Personalitet me vizion të gjerë dhe shumëdimensional letrar, artistik e kulturor

Shaban Hasangjekaj

Poeti, romancieri, eseisti, përkthyesi, gazetari, dramaturgu, albanologu, mësuesi dhe botuesi shqiptar, Ernest Koliqi, së bashku me Mitrush Kutelin, cilësohet si themelues i tregimit modern shqiptar me përmbledhjet: “Hija e Maleve” (1929), “Tregtar flamujsh” (1935) dhe “Pasqyrat e Narçizit” (1936). Ai vlerësohet si njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.
Ndër të tjera, një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kanë depërtuar në Shqipëri dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërisë famëkeqe Jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga viti 1913 deri në vitin 1941, nuk kishin lejuar asnjë shkollë shqipe, dhe as edhe një libër në gjuhën shqipe. Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre, ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri në 20 vjet burg. Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t’i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.
Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj të vitit 1903, në një familje të njohur patriotike. Është i biri i Shan Koliqit dhe i Agës së Cuk Simonit, nga lisi i tamblit ishte nip Parrucejsh, familje reshpere shkodrane fort e kamur. Lisi i gjakut të tij kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, e rënë në Krahinën e Anamalit rreth vitit 1700 së pari, e pastaj në Shirokë. Prej një të pari, i mbetet nofka Kolaj, të cilës iu vendos prapashtesa -iqi, prej tregtisë së vazhdueshme me Malin e Zi. Ishte i dyti me radhë ndër vëllezërit dhe motrat, pas Mikelit që bëhet Kardinali i parë shqiptar, dhe pas tij vijnë Leci, Guljemi, Margerita, Viktori dhe Terezina.
Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgon për të studiuar në Itali në vitin 1918. Së pari në Kolegjin Jezuit “Cesare Arici” në Bresha, e pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Në të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht. Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës. Nxë shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet edhe me shumë intelektualë të kohës. Në vitin 1921 shpallet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi, e cila fiton çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit-hat Frashërit dhe Luigj Gurakuqit.
Në muajt mars e prill, merr pjesë si përfaqësues i Shoqatës Kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Harapin nga Shoqëria “Bogdani” dhe Patër Anton Harapin, në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Lazër Mjedës.
Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, Luigj Gurakuqi e thërret në Tiranë dhe e emëron sekretar personal. Aderon në Shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej patriotit Avni Rrustemi. Më pas emërohet sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte kolonel Rexhep Shala.
Me triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim. Del në veri të Mbretërisë SKS (Serbo-Kroato-Sllovene), ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Për dy vjet qëndron në Tuzlla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Në vitin 1928 gjendet në Bari të Italisë mes Bahri Omarit, Sotir Pecit, Sheh Karburanës dhe Koste Paftalit. Në Zarë të Dalmacisë boton edhe përmbledhjen e parë me novela në vitin 1929, ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe fillon punën si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe pastaj në Gjimnazin e Shkodrës (1930-1933), ku mes të tjerëve do t’iu japë mësim Petro Markos dhe Luigj Radit. Nisi të veroi ndër bjeshkët e Dukagjinit ato vite ku përpos ndodhive shënonte edhe këngët erotike, kujtime të cilat do t’i shkruante pas ‘70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Mustafa Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij, të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë, pasi që lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e vitit 1924.
Në vitin 1933, jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-1936, ishte pjesëtar i stafit botues i të përkohshmes “Illyria”, ku botoi poemthin në prozë “Quatuor”. Në po të njëjtën të përkohshme, në vitin 1935, Migjeni botoi vjershën “Të lidet njeriu” me nxitje të Koliqit. Në vitin 1936, Koliqin e emërojnë lektor të shqipes në katedrën e Albanologjisë, të drejtuar nga gjuhëtari Karlo Tagliavini. Në vitin 1937, doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”), falë mbledhjeve që kishte bërë Patër Bernardin Palaj, tezë doktorate, e cila u vlerësua nga shumë albanologë, si N. Jokli, M. Lamberts etj.
Ernest Koliqi transferohet nga Padova në Romë në muajin tetor të vitit 1937 si lektor i shqipes. Në vitin 1938, në Universitetin Shtetëror të Romës hapet Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë deri sa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë që kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941, në Qeverinë Verlaci nën pushtimin italian.
Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në fund mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekstet shkollore shqipe e libra më shumë se qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i “Historisë së letërsisë në dy vëllime”, “Shkrimtarët shqiptarë” nën përkujdesjen e Namik Resulit e Karl Gurakuqit vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me vëllimin IV prej H. Reçit, Spiro Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim që në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelimin e studimit të folklorit. Bashkë me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940, prej ku lindi Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, para rendës i Akademisë së Shkencave.
Ernest Koliqi themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të viti 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtator të vitit 1941, nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës. Në një letër dërguar më 16 tetor të vitit 1941 nga ministri i Arsimit të qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë, thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumëçmuar, që nuk dha rezultat.
Në vitin 1943, Ernest Koliqi shkon në Romë për të vazhduar punën si ordinar në universitetet dhe emërohet ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë ai merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor të vitit 1946, krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, Dr. Ismail Verlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku, duke i ndejtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të vitit 1947, Koliqi themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali në vitin 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.(Vazhdon)


(Vijon nga numri i kaluar)
Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator të vitit 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi emërohet drejtues.
Ernest Koliqi themelon të përkohshmen “Shejzat” (it.”Le Pleiadi”) të cilën e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asaj kohe. Vijimësi e traditës publicistike që la në atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyejnë atdhe. Koliqi ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia, duke iu dhënë hapësirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj. “Shenjëzat” shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shoqërore e shkencore albanologjike në botë. Ato në kronikën e tyre regjistruan edhe ngjarje të tjera, që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kulturor për një periudhe rreth njëqind vjeçare. Martin Camajt, më 4 maj të vitit 1969, i vdes bashkëshortja Vangjelia. Vdekja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvendësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij.
Ernest Koliqi vdes më 15 janar të vitit 1975, në shtëpinë e tij në Romë të Italisë dhe varroset në qytetin e amshuar me datën 18 janar 1975, i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite të varrimit kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vendet e ndryshme.
Veprimtaria krijuese letrare e Ernest Koliqit është e bujshme dhe gjithëpërfshirëse, opusi i të cilës është vërtetë i begatë. Siç u përmend edhe më sipër, qasjen e parë që e pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhën italiane. Pasi fitoi konkursin për himnin kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruajë atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik “Kushtrimi i Skanderbegut”, i botuar në shtypshkronjën “Nikaj” në Tiranë në vitin 1924, e cila mbarështohej nga vëllai i Dom N. Nikajt. Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përfituara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte, Ernest Koliqi shkruan me pseudonimin ‘Borizani’ në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, e botuar në Zarë të Kroacisë në vitin 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmijërinë, trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizmi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore, dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me endje, e selitur me themelet dokjesore të shpirtit shqiptar.
Ernest Koliqi në vitin 1932 boton vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë”, me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe, që u përdor menjëherë si tekst letërsie në Gjimnazin Klerik të Shkodrës, dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledhë në vëllimin “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushën e mendimit estetik shqiptar në 1935, Itali. Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh”, me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën, gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike.
Ernest Koliqi boton vëllimin e dytë të antologjisë me titull “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Taglavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. “Tregtar flamujsh” (1935) dhe “Pasqyrat e Narçizit” (1936), Koliqi sjellë një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje te re letrare shqipe.
Gjatë veprimtarisë të punës së vet krijuese, Ernest Koliqi ka bashkëpunuar me revistat “Hylli i Dritës”, revistë e françeskanëve, “Leka”, revistë e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare”, e Branko Merxhanit, “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).
Nga viti 1954 deri te ai 1961, Koliqi fillon të botojë studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në ketë studim të tij vërehet përpjekje për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firencë të Italisë boton vëllimin “Poesia popolare albanese” (“Poezia popullore shqiptare”), ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. Në vitin 1959, boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“Icanti della Rinascita”) me përkthimin në italisht kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. Në vitin 1960, boton romanin me titull “Shija e bukës së mbrume” për të cilin vetë Koliqi shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të një të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së Dytë Luftë Botnore”. Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D´Anuncio dhe shqiptarët”). Në vitin 1963 boton “Antologia della lirika albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”), ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj, ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta shqiptare e Bari-t në vitin 1936), ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. Në vitin 1965 qet në dritë veprën “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia del popoli d’Europa”, Milano, ku paraqet një pasqyrë të gjerë mbi Shqipërinë, si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. Në vitin 1970 riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t në vitin 1936 që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit shqiptar. Në vitin 1972 boton vëllimin “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze, një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. Në vitin 1973, vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcis, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961, kur përktheu këngën XXVI, më 1971, këngët XII-XIII-XIV dhe XV).
Ernest Koliqi ka qenë i martuar me bashkëshorten Vangjelie Vuçani me të cilën ka pasur dy fëmijë – Markun dhe Elizabetën. Gjatë karrierës së vet të punës ka kryer detyrën e mësuesit, ministrit, pedagogut dhe botuesit.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat