Shijet e produkteve organike

Gjekë Gjonaj

Duart e arta të grave të Anës së Malit përveç produkteve të qumështit, kanë përgatitur edhe produkte nga lloje të ndryshme të bimëve të shëndetshme e mjekësore, kultura të pemëve e perimeve të freskëta dhe të thara, ëmbëlsira tradicionale dhe lëngje tradicionale të jetës së përditshme, dhe për festat e ndryshme të motmotit dhe zakonet e jetës familjare, të cilat me një ritual të pasur e të larmishëm gjallëronin jetën e fshatit. Midis këtyre festave konsideroheshin më të rëndësishmet Bajrami i Madh i cili festohej në mbarim të Muajit të Ramazanit, pastaj Bajrami i Vogël, që ndryshe quhet festa e Kurban Bajramit, ditë në të cilën familjet e mesme dhe të pasura thernin bagëti dhe 2/3 e mishit të therur ua shpërndanin familjeve të varfra. Festa e Pashkëve dhe Krishtlindja (Kërshëndellat), të cilat kremtohen nga besimtarët katolikë dhe ortodoksë. Këto festa ishin të përbashkëta dhe respektoheshin nga e gjithë popullata. Ndër gatimet kryesore tradicionale veçojmë: kryelani me bukë kallamboqit, qumësht, mazë e kripë, groshë (fasule) me mish, groshë pa mish, groshë me bishtajë, mish i thatë, mish me lakra, japrak me lakra, mish pule me oriz të pjekur. Kjo gjella e fundit ishte aq e shijshme sa anamalasit për të e përdorin shprehjen: “Çou i dekun e ha pulë të pjekun”. Në këtë zonë janë përdorur shumë edhe këto gjellëra : qerkek, petë nga mielli, byrek me patate (kërtolla), lakror me kunguj, terhani për të cilin në këtë zonë thuhet: “Mjerë kush e banë e lum kush e hanë”, kaçamak me miell kallamboqit e tëlyen. Në dasma janë përdorur këto ushqime: çorba (supa), mishi me lëng, qerkeku, pitja dhe peta.
Sipas zakonit të kësaj krahine, nusja kur ka shkuar për herë të parë në gjini (familjen e saj) u ka dhënë kuleç fëmijëve të cilët dilnin rrugës për ta pritur nusen e ëmbëlsira të tjera. Nusja atë ditë me vete ka sjellë tek familja e saj një pite dhe një tespixhe me dy tepsia.

Gatimet për raste festash të ndryshme kalendarike
Për festën e Bajramit janë përdorur këto ushqime: petulla me djathë, çorbë, mish qengji i zier ose i pjekur, mish deleje i zier ose i pjekur, mish dashi i zier ose i pjekur, groshë e zier, pite, byrekë me patate, tespixhe, pekmez, fiq, etj.
Me sa mësuam nga meshtari nga Kllezna, Dom Simon Filipaj II për festën e Pashkëve amviset përgatisin përpeq (si ushqim kryesor), vezë të ziera, qepë, hudhra të njoma, djathë dhe kripë. Për festën e Kërshëndellave nuk përgatitet ushqim i veçantë. Natën e kësaj feste përdoret peshku, mundësisht ngjala.

Lëngjet tradicionale
Pjesë e kuzhinës tradicionale të anamalasve janë pijet (lëngjet): sherbet, ciqër, lëng shege, lëng thane, uthull rrushi, hashaf prej fiqve të thatë, raki rrushi, verë , etj.
Zahiretë e dimrit
Përgatitja e zahireve është traditë e hershme e gjithë trevës së Anës së Malit. Zgjatja e periudhës së dimrit shtron domosdoshmërinë e grumbullimit të ushqimeve dhe përgatitjes së tyre që në fund të stinës së verës dhe fillimit të vjeshtës. Në këtë periudhë përgatiten reçelrat, turshitë nga më të thjeshtat deri tek të mbushura si: reçeli i fikut, reçeli i ftoni, reçeli i kumbullave, mami (pekmezi), etj. Prej turshive veçojmë: specat, lakrat, domatet, ullinjtë e regjur në kripë, patëllxhanët, etj.
Gatimet tradicionale anamalase i qëndrojnë besnike traditës agrobujqësore, të gatuara krejtësisht me prodhimet e tokës vendase. Këto gatime të bazuara në traditën gastronomike vendase (prodhimin lokal) kanë karakter të veçantë, shije të fortë, aromë të mirë dhe të qëndrueshme. Ato pëlqehen dhe preferohen në të gjitha fshatrat për freskinë dhe cilësitë e veta organike. Shumica e këtyre gatimeve transmetohen (përcillen) nga brezi në brez.
Ushqimet tradicionale të kësaj zone përveç se po luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e traditës dhe kulturës, gradualisht po kthehen në një pjesë të rëndësishme të kulturës shqiptare si pjesë e trashëgimisë kulturore të paprekshme dhe një atraksion gjithmonë e më i rëndësishëm për turistët. Turizmi gastronomik gjithashtu mund të riforcojë mjedisin, autonominë dhe identitetin e një destinacioni duke ndërvepruar edhe me sektorë të tjerë të ekonomisë.

Të fundit

më të lexuarat