
Haxhi Taipi, veteran i arsimit nga Ana e Malit u lind në fshatin Katërkollë në vitin 1932. Me rihapjen e shkollave pas luftës në vitin shkollor 1945/46, Haxhiu ishte nxënës në klasë të tretë. Pas përfundimit të shkollës fillore katër klasëshe, vazhdoi gjimnazin e ulët (ciklin e lartë) dhe në vitin shkollor 1949-50 përfundoi në mënyrë të rregullt klasën e 7-të. Ishte ndër nxënësit e gjeneratës së parë që përfundoi shkollën 7-vjeçare.
Shkollën e mësuesisë e përfundoi në Nikshiq në vitin 1953. Ka punuar si mësues në shkollën e Krythës dhe në Katërkollë. Për punën e tij shumë vjeçare, përkushtimin dhe kualitetet e veçanta si mësues, në vitin 1990 propozohet nga Këshilli i mësimdhënësve të Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” si Punëtori më i mirë i arsimit.
Mësues Haxhi Taipi në vitin shkollor 1941/42 (kur Italia i çliroi këto treva) ka qenë nxënës i kompozitorit të njohur Prenk Jakova i cili ka punuar si mësues në shkollën e Katërkollës dhe në Krajë. Rreth jetës së tij për herë të parë kam dëgjuar së bashku me nxënësit e mi në vitin 2010 kur ka qenë mysafir në orën time dhe nxënësve u foli për jetën si nxënës dhe më pas për kujtimet dhe angazhimet si mësues. Një vend të veçantë çdo herë në bisedat e tij zë ish-drejtori i shkollës së vjetër Jonuz Divani dhe një pjesë e stafit, të cilët me angazhimin dhe punën e tyre bënë që shkolla t’i tejkalojë kufijtë e një shkolle n’katund. Dhe kështu për këtë shkollë zani mori dhenë në krejt ish-Jugosllavinë dhe më gjerë. Këtë e dëshmojnë më së miri filmat dokumentar për këtë shkollë, artikujt gazetaresk (rreth 67 të tillë) si edhe shënimet e shumta në librin e kujtimeve të shkollës së vjetër.
Çdo herë është emocionuese të dëgjosh rrëfimin e tij se si me shokët dilnin në oborr të shkollës të prisnin mësuesin e tyre të klasës së parë, kompozitorin e mësuesin e njohur Prenk Jakovën. Ai pasi që linte biçikletën në vendin e duhur, u niste në drejtim tonë dhe na ledhatonte dhe përqafonte dhe ashtu shkonim drejt klasës tonë ku për fat të keq të gjithë ishim djem dhe asnjë vajzë. Mësues Jakova na ka mësuar shumë shumë gjëra dhe jo vetëm shkrim e lexim, por edhe edukatën të cilën më pas e mbartnim në familjet tona. Për herë të parë mësuam për historinë e Skënderbeut, Malin e Tomorrit, Fushën e Myzeqesë, Lumin Valbona, etj. Shumë gjëra mësuam atëherë për Shqipërinë që s’i kemi ditur e ndër to vend të rëndësishëm zinte himni kombëtar. Mësuesi na mësonte të vizatonim edhe flamurin.
Mbaj mend si sot ditën kur Viktor Emanueli III, erdhi na përshëndeti neve dhe mësuesin dhe na dha një dhuratë simbolike. Dhuratën mësuesi e ka bërë të holla dhe na i ka nda ne.
Kemi shkuar në ekskurzion në Kalanë e Shasit, te burimi në Millë etj.
Ende sot e kësaj dite i kujtoj dy poezi që na i ka mësuar vetë ai. Aq me pasion dhe dashuri i kam mësuar sa që edhe pse në moshë i përsëris dhe i kujtoj me nostalgji të madhe. Njëra titullohet “Flutur, flutur” kurse tjetra “Topi”.
Në klasën tonë me mësues Jakovën mësonim edhe këngë korale. Mbasi përfundonin orët, kur shkojsha në shtëpi nëna më thonte: Ju kam ndigju tuj këndu, kam ndigju korin…
Dmth me kaq dëshirë e pasion kemi kënduar si nxënës në klasë të parë.
Ai me emocion të veçantë përshkruan klasën e tij, tregon për tre rreshtat e bankave (banka dërrase të palyera). Ishim 30 djem në klasë pa asnjë vajzë.
Mësues Haxhi Taipi flet me dashuri dhe respekt të madh edhe për drejtorin legjendar Jonuz Divanin i cili filloi punën në Katërkollë me datë 5.9.1947 dhe filloi të udhëheqë shkollën pesëvjeçare në Katërkollë.
Jonuzi në raportin për punën 12-vjeçare në Katërkollë në këtë mënyrë e përshkruan godinën e shkollës dhe oborrin e saj:
”Dera e godinës së shkollës dhe banesës ishin të lidhura me tel dhe konop. Dritaret, disa ishin të hapura e disa të thyera. Para dyerve të ndërtesës së shkollës fshatarët kishin bërë rrugicë. Të gjitha ato më tepër i ngjanin hanit të lëshuar fshatar se sa institucionit arsimor. Në godinë të shkollës kam hyrë përmes dritares”.
Sipas Haxhi Taipit, Jonuz Divani mund të konsiderohet Mësues i Popullit, për krejt kontributin e tij në ngritjen e ndërgjegjësimit për shkollimin e fëmijëve në trevën e Anës së Malit, mbajtjen e kurseve kundër analfabetizmit dhe shnëdrrimit të shkollës së Katërkollës në një shkollë model dhe nxjerrjen e saj jashtë koordinatave të një shkolle në katund.
Në bazë të rrëfimeve të mësues Haxhi Taipit në vitin 2011 më lindi idea për të punuar një dokumentar për shkollën e vjetër. Dokumentari u titullua: ”Shkolla e vjeter në Katërkollë – simbol i dijes dhe vetëdijes”.
Takimet me nxënës dhe me mësues të tjerë veteran kanë qenë të shpeshta në oborrin e shkollës së vjetër. Dëshira e madhe për t’ju përcjell nxënësve mesazhet e këtij mësuesi të përkushtuar më ka shtyrë gjithmonë që ta ftoj mësues Haxhin në oborr të shkollës së vjetër si dëshmitar i periudhave të ndryshme dhe shumë të rëndësishme për arsimin shqip në trevën e Anës së Malit. Në vitin 2013 pata zhvilluar një intervistë ku në fund të intervistës dha edhe disa porosi në lidhje me shkollën dhe figurën e Jonuz Divanit.
Apeli i tij në çdo kohë dhe çdo vend është që shkolla e vjetër të shndërrohet në shkollë muze dhe të mbajë emrin e Jonuz Divanit, të mbahet një simpozium për figurën e tij dhe më pas të botohet edhe një libër për të.
Busti i tij nuk duhet të qëndrojë i vetëm tërë kohës, por në data dhe ditë të caktuara të vizitohet. Të gjitha këto propozime nëse arrijnë të bëhen realitet, atëherë i dalim borxhit Jonuz Divanit, shprehet çdoherë mësues Haxhi Taipi.
Së fundmi u takuam në prag të 7 Marsit 2022, Ditës Kombëtare të Arsimit Shqip. Sërish vendtakimi ynë ishte shkolla e vjetër në Katërkollë.
Mësuesi në fjalë gjatë kësaj kohe ka zhvilluar intervista edhe me gazetarë të ndryshëm dhe me rëndësi është edhe intervista dhënë një grupit të të rinjve (qeshor 2022) që po inçizojnë një dokumentar për arsimin shqip në Anë të Malit dhe më gjërë.
Mësues Haxhi Taipi me vullnetin e tij të pashoq asnjëherë nuk u lodh së foluri për shkollën e vjetër e cila bën pjesë te trashëgimia jonë materiale dhe shpirtërore. Ikonat e kësaj shkolle për të janë Prenk Jakova, Jonuz Divani dhe të gjithë kolegët dhe nxënësit e përkushtuar që ngritën lart emrin e institucionit tonë shkollor që sot mbart emrin e heroit, ulqinakut “Bedri Elezaga”.
Le të jetë mësuesi në fjalë shembull se si duhet vendi. Institucionet tona duhet të kujdesen për njerëz të këtillë, njerëz model me shembullin dhe punën e tyre, dhe personat në fjalë të nderohen ashtu siç e meritojnë.