
Jahja Domnori
Drejtori i parë
Shkolla e parë fillore – tetëvjeçare është trajtuar si bastioni i malazezëve ku gjithmonë kanë dominuar udhëheqësit malazezë.
Por ishin edhe tre drejtora shqiptarë.
Shkolla Fillore
„Skënderbegu” – Ulqin
Italia hyri heret para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri në vitin 1939. Menjëherë formuan Mbretninë Shqiptare.
Pas okupimit të ish-Jugosllavisë së Parë, në prill më 1941, Ulqini si vend me shumicë shqiptare të popullatës i takonte Mbretnisë Shqiptare prej vitit 1941-1945.
Kufiri ka qenë te Ura e Mërkotit (ku edhe sot është kufiri ndërmjet Komunës së Tivarit e Ulqinit).
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht në vitin shkollor 1941/42, Ministria e Arsimit e Shqipërisë dërgoi në Ulqin e rrethinë disa mësues, në mesin e të cilëve shkodranin Jahja Domnori, i cili emërohet drejtor i Shkollës Fillore „Skënderbegu” të Ulqinit.
Prej mësuesve të tjerë nga Shqipëria përmenden Zef Tarnaku, Xhemal Lopçi, Hasan Brahimi, Ganije Baçi, Zekije Golemi, Persa Gjurbabej e ndonjë tjetër. Mes tyre gjendeshin mësuesit Minja Nikollë Gega dhe Angjelina Pistulli të cilët vazhduan punën e tyre arsimore në këtë trevë edhe në vitet e pastajme.
Jahja Domnori, njëkohësisht ishte përgjegjës edhe për shkollat që përfshinte në atë kohë nënprefektura e Ulqinit si në: Shtoj, Darzë, Pistull, Salç, Peçuricë, Goranë, Kosiq, Katërkollë dhe Sukubinë. Ndërsa në përgjithësi në vitin shkollor 1941/42 nxënës në nënprefekturën e Ulqinit, së bashku me Krajën dhe Tuzin gjithsej ishin 1.809 nga 51 fshatra ku punonin 30 mësues.
Jahja Domnori i ka kushtuar kujdes të posaçëm realizimit të programit mësimor, në mënyrë të veçantë programeve të gjuhës shqipe, të historisë e të gjeografisë së Shqipërisë. Përveç mësimit të rregullt këta mësues kanë zhvilluar edhe kurset verore kundër analfabetizmit që i përfunduan me sukses.
Fadil Taipi
(1933-2007)
Drejtori i dytë
Fadil Taipi i takon gjeneratës së parë të Shkollës Tetëvjeçare në Katërkollë, ku u lind më 1.5.1933. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin 1950. Në qershor të vitit 1950 jep provimet e semimaturës me sukses. Sipas udhëzimit të Januz Divanoviqit, drejtori i Shkollës së Katërkollës, Fadili regjistrohet në Shkollën Normale në Gjakovë, ku kreu tri klasë, ndërsa klasën e katërt në Prishtinë në qershor të vitit 1954.
Në vjeshtë të vitit 1954 e hasim në Sarajevë. Edhe si student tregoi sukses të shkëlqyeshëm dhe merr diplomën e profesorit në afat rekord.
Punën mësimore e fillon në shkollën e vendlindjes në nëntor të vitit 1959, pastaj dha mësim në Shkollën Fillore “Boshko Strugar”, në Ulqin.
Fadil Taipi në intervalin kohor 1963-1966 ishte drejtor i kësaj shkolle, mirëpo me hapjen e Gjimnazit në Ulqin zgjidhet drejtor (1.6.1966) dhe këtë detyrë e ushtron tri vjet.
Pas 12 vjet të punës në këtë shkollë, përsëri caktohet drejtor nga viti 1981, fillon një periudhë e vështirë e tejet delikate kur nxënësit dhe mësimdhënësit i akuzojnë se janë nacionalistë, irredentistë dhe etiketime të tjera çfarë mund të pillte mendja e armiqve të shkollës me mësim në gjuhën shqipe në trojet shqiptare në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni.
Fatkeqësisht në këtë periudhë largohen nga procesi mësimor profesorët shqiptarë të dalluar për edukimin, arsimimin e nxënësve dhe për sjellje shembullore.
Përveç punës në shkollë fillore dhe të mesme, Fadil Taipi ka pasur detyra me peshë të rëndë politike. Në intervalin kohor 1968-1986 ushtroi këto detyra me përgjegjësi politike: kryetar i Komunës së Ulqinit, deputet në Kuvendin e Malit të Zi, deputet në Kuvendin e RSFJ dhe detyra të tjera.
Pensionohet në vitin 1986.
Vdiq më 15.4.2007.
Muhamed – Muho Spuzha
Drejtori i tretë
Muhamed Spuzha u lind në Ulqin më 9.5.1955. Shkollën fillore dhe tetëvjeçare e kreu në Ulqin. Fakultetin Filozofik, Degën filozofi – sociologji e përfundon në Prishtinë në vitin 1987.
Menjëherë fillon punën në Gjimnazin “Vëllazërim – Bashkim” në Ulqin, si profesor i lëndëve të sociologjisë në gjuhën shqipe dhe malazeze. Falë rezultateve të treguara në procesin arsimor, në vitin 1984 zgjidhet ndihmës/drejtorit i gjimnazit. Por, dashuria për procesin arsimor e kthen përsëri në mesin e nxënësve.
Në janar të vitit 2001 angazhohet në Ministrinë për Pakica të Qeverisë së Malit të Zi lidhur me proceset e arsimit, kulturës dhe informimit.
Ajo çka është më rëndësi në punën dhe angazhimin e Muhamed Spuzhës ishte zgjedhja për drejtor të Shkollës Tetëvjeçare “Boshko Strugar” në Ulqin. Ai ishte drejtori i tretë shqiptar në këtë shkollë.
Muhamedi ishte drejtor në këtë shkollë dy mandate të plota, prej vitit 2003 deri në vitin 2011. Në këtë periudhë edhe zv/drejtori ishte shqiptar, Sytki Malohoxhiq.
Një periudhë të shkurtër kohore, Muhamed Spuzha ishte edhe drejtor i Qendrës për Kulturë në Ulqin. Në vitin 2015 zgjidhet si udhëheqës i mësimit në mënyrë praktike në Gjimnazin e Ulqinit. Aty do të punojë deri në dalje në pension, në vitin 2022.