Sulltana Xhurreta, duararta që s’pushoi deri në vdekje të krijojë veshje popullore

Përveç endjes së pëlhurave dhe qepjes me dorë të veshjeve popullore të gjinisë femërore dhe mashkullore në tezgjah, ajo ka bërë edhe endjen e qilimave e produkte të tjera artizanale në pëlhurë, të cilat para tri dekadash ishin mjaft të kërkuara

Gjekë Gjonaj

Artizanja Sulltana Xhurreta nga fshati Rashtishë i Anës së Malit, ka qenë një nga gratë e rralla kudo në trevat shqiptare në Mal të Zi, që ka ruajtur e zhvilluar traditën qindravjeçare të endjes së pëlhurave dhe të qepjes me dorë të veshjeve popullore të grave, vajzave dhe burrave të kësaj zone në tezgjah. Unë këtë punëtore duarartë, e cila deri në vdekje vazhdoi këtë traditë, e kam njoftuar para 27 vitesh kur në shtëpinë saj zhvillova një intervistë për Televizionin e Malit të Zi. Ajo përveç qepjes së kostumit tradicional të gjinisë femërore dhe mashkullore, ka bërë edhe endjen e qilimave për të cilët thoshte ende ka kërkesa dhe për fat të mirë nuk u ka humbur vlera.

Gjatë punës së saj shumëvjeçare si artizane dha kontributin e vet që t’ua përcjellë këtë art të bukur , por edhe të vështirë brezave të rinj. Dëshira që zanatin e saj të prodhimit të veshjeve të femrave me motive popullore të zonës t’ua trashëgojë edhe femrave të tjera, nuk u realizua


Përveç mikpritjes së ngrohtë, buzëqeshjes së saj të ëmbël dhe fjalëve burrërore siç i kanë hije një zonje të shtëpisë e cila di të presë e të përcjellë mysafirët sipas zakonit shqiptar, veçmas më la përshtypje “punishtja” e saj në katin përdhesë të shtëpisë familjare e mbushur me punime të ndryshme e të larmishme në pëlhurë, kostume tradicionale për gra, vajza e meshkuj të zonës, të punuara me një larmi ngjyrash e modelesh që zbukuronin muret e kësaj hapësire. Aty kishte tezgjahun e madh dhe vegla të tjera nga druri të vjetra të punës së dorës ku, siç na tha ajo, vite të tëra punon për të realizuar porositë e blerësve të produkteve të saj brenda shtetit dhe në diasporë.

U mundua gjithmonë të mbajë hapin me tregun por, siç shprehej ajo, pa lënë mënjanë traditën tonë, rrënjët tona sepse rrënjët janë ato që e ushqejnë pemën dhe e bëjnë atë të ngjitet lart e të shtojë degë të reja. Në këtë mënyrë ajo përmes punimeve të saj artizanale të mrekullueshme në tezgjah dhe me dorë ruajti traditën e trashëguar brez pas brezi


Në këtë hapësirë të shtëpisë së saj ku ajo punonte, e cila i përngjante një muzeu etnografik, ishin të vendosura edhe eksponate të tjera të vjetra nga jeta, puna dhe shpirti i pasur i anamalasve. Në kujtesë më ka mbetur sofra e cila sipas rrëfimit të saj, ishte më se njëqind vjet e vjetër. Mbi këtë sini ishte i vendosur një servis shumë i vjetër ushqimesh e pijesh të zonës. Këto dhe eksponate të tjera që pashë atëherë në shtëpinë e kësaj gruaje që me duart e saj punoi art, janë dëshmi e mënyrës së jetesës së popullatës së atjeshme të cilat do të duhej të ruheshin sepse kanë një vlerë të paçmueshme.
Vërtetë ishte kënaqësi të shohësh për së afërmi demonstrimin e saj të punës në tezgjah para kamerës. Për dallim nga shumë persona të profileve të ndryshme, madje edhe funksionarë të lartë të cilët e kanë frikë kamerën, ajo krejtësisht natyrshëm duke punuar në tezgjah si profesioniste e mirëfilltë me maturi, qetësi e qartësi shpjegonte çdo detaj të punës së saj. Ajo këtë zanat e kishte mësuar qysh e re nga nëna e saj. Prej atëherë u dashurua pas këtij zanati dhe pasi i hyri në zemër nuk e ndërpreu deri në fund të jetës së saj. Sipas kësaj artizane të njohur veshja e grave të Anës së Malit është e shumëllojshme dhe vazhdon të kërkohet kryesisht në gazmende familjare, si fejesa apo martesa.
Artizanja Sulltana Xhurreta u mundua gjithmonë të mbajë hapin me tregun por, siç shprehej ajo, pa lënë mënjanë traditën tonë, rrënjët tona, sepse rrënjët janë ato që e ushqejnë pemën dhe e bëjnë atë të ngjitet lart e të shtojë degë të reja. Në këtë mënyrë kjo artizane përmes punimeve të saj artizanale të mrekullueshme në tezgjah dhe me dorë ruajti traditën e trashëguar brez pas brezi.

Këtë zanat e ka mësuar qysh e re nga nëna e saj dhe prej atëherë u dashurua pas tij dhe pasi i hyri në zemër nuk e ndërpreu deri në fund të jetës së saj


Gjatë punës së saj shumëvjeçare si artizane dha kontributin e vet që t’ua përcjellë këtë art të bukur, por edhe të vështirë brezave të rinj. Gjeneratave të reja disa herë u ka thënë, madje i ka lutur që mos ta humbin këtë traditë. Ajo shpresonte se brezi i ri i femrave anamalase do të ndërgjegjësohet dhe do të vazhdojë të punojë këto veshje tradicionale, qilima e artikuj të tjerë nga pëlhura. Nga ana tjetër, ajo shprehu shqetësimin e saj se puna e dorës përmes të cilave bëhen këto veshje po rrezikon të shuhet. Dëshira që zanatin e saj të prodhimit të veshjeve të femrave e meshkujve me motive popullore të zonës t’ua trashëgojë edhe femrave të tjera, nuk u realizua. Disa artizane të reja të kësaj krahine tashmë nuk punojnë më punime në tezgjah dhe veshje popullore me dorë si dikur, por po krijojnë kostume të moderuara, jo origjinale për nevojat e tregut.

Të fundit

më të lexuarat