
Para hyrjes në Kala nga Porta e Madhe nga Jugu, në anë të majtë janë varrezat ortodokse, në anë tjetër kisha ortodokse. Deri në fillim të shekullit XX në atë vend ishte xhamia e Meterizit. Gjithmonë “te kisha”, siç e kemi quajtur ka fryrë erë. Duke kaluar andej në fëmijëri kemi pasur frikë, na dukej si vend misterioz.
Shkova për ta vizituar vëllaun Ruzhdinë.
Filluam bisedën për kohërat para luftës në ish-Jugosllavinë e mëparshme, momente të vështira për të gjithë, posaçarisht për popullin shqiptar.
Ruzhdi rrëfen:
“Besimi atëherë mbaroi gjimnazin. Filluan ta kërkojnë me shkua në ushtri. Miqo Mijoviqi kryeshefi i repartit ushtarak në Komunën e Ulqinit më tha: Djalin tënd do ta çojmë në ushtrinë detare-marinare në Pullë (Kroaci). Pse në Pullë, a nuk mundet diku më afër në Mal të Zi, në Kumbor , në Bokën e Kotorrit?, pyeta i zemëruar:
‘Jo’ -tha ai”.
Po ato ditë Ruzhdi informohet dhe i kanë thënë se djali duhet të jetë i punësuar si praktikant dhe atëherë nuk e çojnë në shërbimin ushtarak për më së paku një vit.
“Shkova në Budvë në Drejtorinë e “Rivierës së Budvës”. Drejtori ishte Diki Kazhanegra, puntor i vjetër në turizëm, miku im. Ai e thirri referentin për punësim dhe i tha:
“Bëj çdo gjë që i nevojitet Ruzhdit“.
Dhe kështu Besim Karamanaga u punësua praktikant në anijen turistike “Smaragd” e cila lundronte me turista deri në Ulqin, Tivar, Durrës, Dubrovnik.
Kaloi një vit. Reparti ushtarak përsëri e kërkonte Besimin për ta nisur në ushtri. Një polic i tha Ruzhdit:
“Djalin tënd e kemi në regjistër, është i nënvizuar me bojë të kuqe…”.
Atë verë erdhi një ekskursion me të rinj nga Danimarka. Besimi u njoftua me ata. U shoqëruan disa ditë. Lindi miqësi dhe shoqëri e re.
Dhe kështu, Ruzhdi me bashkëshorten Budijen së bashku me djalin Besimin shkuan në Beograd dhe fituan vizën për Danimarkë. Besimi drejt nga Beogradi u nis për në Kopenhagen. Letrën e mori në dy drejtime, por mendonte të rrinte atje. Dhe ashtu ndodhi…
Besimi mbërriti te shokët e rinj, u punësua dhe vazhdoi atje…
Kaluan dy vjet. Situata në Mal të Zi dhe ish-Jugosllavi ishte e tensionuar, ishte në këmbë lufta civile, shkatërrimi i qeverisë.
Besimi nuk mund të vinte në Ulqin. Për takimin me familjen e ngushtë erdhi deri në Durrës.
Ruzhdi, Budija, Luani dhe Florina u takuan me Besimin në Durrës.
Pas dy ditëve Besimi u kthye në Danimarkë.
Binjakët
Ishte data 21 gusht 2009. Orët e pasditës. Ulqinin e goditi një tërmet jo shumë i rëndë. Megjithatë njerëzit u frikësuan. Nuk e kishin harruar tërmetin e 15 prillit 1979.
Edina Karamanaga ishte shtatzënë muajin e tetë ,priste të lindin binjakët.
Tërmeti e prishi qetësinë e saj. Filloi lindja e parakohshme. Menjëherë e transportuan në maternitetin e Podgoricës. Më 22 gusht lindi më parë “njëshi” e pas 5 minutash edhe “dyshi”, Xhenani dhe Floriani. Kishin peshë shumë të vogël prej 1.600 gr. Nuk ishin të përgatitur për jetën jashtë mitrës së nënës së tyre.
Në repartin për neonatologji në Institutin për Sëmundjet e Fëmijëve filloi lufta për jetën e tyre.
Çdo ditë kontaktoja me Dr. Rada Rudanoviqin, më së pari si axha i Besimit, babait të binjakëve, por edhe nga pozita e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin.
Gjendja e binjakëve ishte shumë e vështirë, por kujdesi, puna profesionale me një angazhim të posaçëm të Dr. Rada Rudanoviqit si dhe të mjekëve të tjerë nga ky repart me kohë filloi të përmirësohet. Në spital qëndruan gati dy muaj.
Mbijetuan… Sot Xhenani dhe Floriani janë 13 vjeçarë, nxënës të mirë, luajnë futboll…
Besim Karamanaga
Autobiografi
Jam Besim Karamanaga. I lindur më 3.9.1971. Shkollën fillore dhe atë të mesme i përfundova në Ulqin. Gjatë pushimeve verore babai më punësoi në vitin 1987 në anijen e firmës “Montenegto Expres”. Punova si marinar në anien “Smaragd”. Në vitin 1988 dhe 1987 punova në anijet “Petrovac” dhe “Olcinium”. Në vitin 1989 punova marinar në një hidrogliser “Ceklin” ku kapidan ishte zotni Avdo Nimanbegu. Ai ishte komshiu jonë nga Kalaja. Kaluam shumë bukur. Pastaj vazhdova në një anije në Liqenin e Shkodrës.
Gjimnazin e përfundova në Ulqin në vitin 1989. Në fund të vitit shkova fillimisht në Gjermani, ku edhe u punësova, prej aty vazhdova për në Danimarkë. Atje qëndrova 12 vite të plota.
Shkaku më i madh ishte situata e vështirë e cila mbizotëronte atëherë në Jugosllavi.
Duke punuar kam marrë pjesë në kurse të ndryshme dhe e mësova zanatin e kuzhinierit. Restaurantet më të njohura në Kopenhagen ku punova ishin: ”Via Appia” dhe “Canaletto”.
Ulqini, Kalaja, deti ishin çdo ditë e natë në mendimet e mia.
U ktheva në Ulqin përgjithmonë…
Në fund
Besim Karamanaga ishte një ndër shumë djemtë e tjerë të cilët u larguan nga vendlindja shkaku i luftës, shkaku i politikës sërbomadhe e cila bënte çdo gjë që ta frikësonte popullin shqiptar dhe të largohen nga vendi i tyre, posaçarisht të rinjët.
Besimi u kthye. Krijoi familje. Babai i tij, Ruzhdi thoshte:
“Nuk kam djalë për Danimarkë, Besimi do të kthehet…”.