Plavë – Edhe përkundër paralajmërimeve të ekspertëve që për shkak të një vistër ndikimesh të dëmshme dhe negative, është vënë në pikëpyetje ekzistimi i mëtejmë i Liqenit të Plavës. Edhe më tutje nuk ka të dhëna që së shpejti të niset në mbrojtjen e tij të premtuar dhe revitalizimin. Me shpëtimin e liqenit po vonohet edhe përkundër njohjes se ai duke i falënderuar sipërfaqes prej rreth 2 kilometrash katror dhe duke u shtrirë në lartësinë mbidetare prej rreth 900 metrash, radhitet në njërin prej liqenjve më të bukur në Ballkan.
Mbrojtja e liqenit nuk ka filluar ende edhe pse për diçka të tillë janë iniciuar nisma të shumënumërta, sepse ka të bëhet me liqenin më të madh glacial në Mal të Zi, të cilin gjatë vitit e vizitojnë me mijëra turistë vendorë dhe të huaj. Se Liqeni i Plavës, si visar turistik i Malit të Zi vërtetë është rrezikuar, përmes punimeve të shumta dhe studimeve shkencore ka treguar edhe gjeografi nga Plava, Prof. Dr. Marko Knezheviq, i cili bën apel që përkitazi me këtë çështje së shpejti të reagohet.
“Liqeni i Plavës relativisht shpejtë po zhduket. Pothuaj para syve tanë po mbulohet me barishte kënete dhe po shndërrohet në moçal. Prej vitit 1913, kur liqeni ka pasur sipërfaqe prej 5.4 kilometrash katror, sipas matjeve të atëhershme të Jovan Cvijiqit dhe Stefan Stankoviqit, sipërfaqja i është zvogëluar për 3.4 kilometra katror. Përveç kësaj, liqeni tani në aspektin turistik është i parregulluar, fondi me peshk i varfëruar, brigjet e paarritshme, pos numrit të vogël të ofrimit (hyrjes), derisa hoteli me të njëjtin emër që moti është i mbyllur, të gjitha këto së bashku kaherë paralajmërojnë ngase fjala është mbi resursin e jashtëzakonshëm turistik”, ka theksuar profesori Knezheviq në deklaratën për media.
Kryetari i Komunë së Plavës, Nihad Canoviq, ka bërë me dije se pak kohë më parë ka pasur biseda joformale me përfaqësuesit e Qeverisë në mandatin teknik rreth mbrojtjes së liqenit, por ende nuk kanë ardhur deri te marrëveshjet dhe zgjidhjet konkrete.
“Pak kohë më parë kam biseduar me përfaqësuesit e Qeverisë rreth mbrojtjes së domosdoshme të liqenit. Ato kanë qenë vetëm biseda, por shpresoj që shteti në periudhën e ardhshme do të gjejë mundësinë që të financojë projektin kryesor dhe ideor në mënyrë që pastaj të niset në kërkim të mjeteve prej donatorëve nga Bashkimi Evropian. Pasi që Mali i Zi deklarohet si shtet ekologjik, për këtë sa më parë është detyrë e të gjithë neve të gjejmë mjetet dhe të shpëtojmë Liqenin e Plavës si visar i posaçëm i shtetit tonë”, ka thënë në deklaratën për media kryetari i komunës, Nihad Canoviq.
Nga administrata lokale përkujtojnë se është kryer studimi në bazë të të cilit do të duhet të fillohet në procesin e ruajtjes së të gjitha vlerave të cilat i mban me vete Liqeni i Plavës. Është kryer studimi i mbrojtjes dhe revitalizimit të Liqenit të Plavës, për çka janë ndarë 25 mijë euro. Studimi në fjalë ka dhënë drejtimet (kahjet) kryesore, cilat janë problemet për shkak të cilave vihet deri te zvogëlimi i sipërfaqes dhe thellësisë së Liqenit të Plavës, në çfarë mënyre të zgjidhet ajo çështje dhe sa do të kushtonin shpenzimet e punëve të parapara, kanë deklaruar nga administrata lokale e Plavës, me vërejtjen se vlera parallogaritëse e punëve të mbrojtjes dhe revitalizimit të Liqenit të Plavës kap shumën prej rreth 16 milionë eurosh.
Ekspertët tregojnë se Liqenit të Plavës sipërfaqja i zvogëlohet nga shumë faktorë. Së pari për shkak të pendës e cila vjen nga lumenjtë Luça dhe Gërnçar, pastaj për shkak të çështjes së parregulluar të kanalizimit në vendbanimet përreth, por edhe për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të njerëzve. Nga administrata lokale theksojnë se ekziston zgjidhja që ato ndikime negative të eliminohen.
“Punët e parapara sipas studimit mbi revitalizmin nënkuptojnë që të vendosen pengesat në lumenjtë e sipërpërmendur, të cilat do të ndalonin që lymi nga ata të vjen në Liqenin e Plavës. Punët do të nënkuptonin edhe largimin e lymit ekzistues, i cili do të mund të shfrytëzohet për kryerjen e punëve ndërtimore, por edhe për punimin e tokës bujqësore, për çka profesioni gjegjës duhet të japë fjalën e fundit. Po ashtu, me rastin e rregullimit të Liqenit të Plavës duhet të zgjidhet edhe çështja e shavarit (lloj bari që rritet në këneta) i cili gjende aty, por edhe të gjitha çështjet e tjera të cilat kanë ndikime të dëmshme”, kanë konfirmuar për media nga administrata lokale e Plavës.
Shaban Hasangjekaj