
Të shkruash portretin e një personi që nuk e ke njohur kurrë, por për të cilin kam dëgjuar shumë prej kushëririt tim të ndjerë Basri Karamanaga, derisa isha student në Beograd, është jo vetëm një sfidë por edhe rrezik. Basriu, i cili punonte si makinist në një anije të madhe në lumin Sava në Beograd, takohej shpeshherë me shokun e tij të ngushtë nga Ulqini, Xhemal Lanica, i cili asokohe punonte në Ambasadën e Italisë në Beograd, në kohën e kryeministrit Aldo Moro. Në këto takime, ku më ftonin edhe mua ndonjëherë për darkë, nuk mund të mos bëhej fjalë për shokun e tyre të fëmijërisë Ismet Lamon. Basriu më tregonte se ata kishin qenë gjithmonë të pandarë. Në këtë mënyrë edhe unë kam mësuar prej tij pak për këtë personazh të njohur të qytetit të Ulqinit.
Mua dhe shumë ulqinakëve të tjerë u ka mbetur në kujtesë grupi i të rinjve nga Ulqini, mes të cilëve Basri Karamanaga, Ismet Lamoja, Xhemal Lanica, Bahri Mollazeqiri, Rasim Beci etj., të cilët ishin shumë tërheqës, markantë, gjithmonë të qeshur, të vyeshëm, të veçantë dhe të rrallë. Për Ismet Lamon më duket se është shkruar pak ose aspak. Mendoj se ai meriton shumë më tepër sesa një portret modest nga unë. Megjithatë, le të jetë ky portret një përpjekje që mos ta harrojmë jetën dhe veprimtarinë e tij.
Që prej disa kohësh, në fokus të interesimit tim është figura e Ismet Lamos, këtij intelektuali të rrallë nga Ulqini, i edukuar dhe i arsimuar fillimisht në qytetin e tij të lindjes, pastaj edhe në Kosovë, ku edhe ka jetuar pjesën më të madhe të jetës, por edhe në Sarajevë dhe Zagreb, ku ka studiuar dhe është formuar si personalitet. Përpos si intelektual, duhet theksuar se Lamoja, falë zemrës së tij të madhe, gjatë kohës që ka jetuar dhe punuar në Kosovë, ka bërë shumë për ata të cilët për herë të parë kanë ardhur në këtë vend, ku duhet veçuar mbështetjen e madhe për të rinjtë nga Ulqini që kanë studiuar në Prishtinë. Këta intelektualë, qofshin shkrimtarë, piktorë, afaristë etj. nuk e kanë harruar ndihmën dhe kontributin e Lamos gjatë kohës së studimeve të tyre në Prishtinë. Kështu kurdoherë që përmendet emri i tij, ata gjithmonë flasin dhe e kujtojnë me një respekt të posaçëm.
Përpos si intelektual, duhet theksuar se Lamoja, falë zemrës së tij të madhe, gjatë kohës që ka jetuar dhe punuar në Kosovë, ka bërë shumë për ata të cilët për herë të parë kanë ardhur në këtë vend, ku duhet veçuar mbështetjen e madhe për të rinjtë nga Ulqini që kanë studiuar në Prishtinë. Këta intelektualë, qofshin shkrimtarë, piktorë, afaristë etj. nuk e kanë harruar ndihmën dhe kontributin e Lamos gjatë kohës së studimeve të tyre në Prishtinë. Kështu kurdoherë që përmendet emri i tij, ata gjithmonë flasin dhe e kujtojnë me një respekt të posaçëm
Ismeti i takon fisit të madh Lamoja nga Pazari i Ulqinit, i cili ka pasur gjithmonë persona të njohur në lëmi të ndryshme që kanë lënë gjurmë të pashlyera në historikun e këtij qyteti dhe më gjerë. Shumë prej tyre kanë qenë, siç thuhet në Ulqin, nishanet e Pazarit. Dua të përmend njërin prej tyre – Elez Lamon, një zotëri të lindur, të cilin e kam njohur. Ai ka qenë një njeri i rrallë, i urtë, i gojës, trim. Me një fjalë, një njeri me peshë të veçantë në qytetin e Ulqinit. Prandaj nuk është për t’u çuditur se nga ky fis kanë dalë edhe shumë intelektualë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Ismet Lamoja, që për mua është pa dyshim në majën e kësaj piramide.
Ulqini si qytet me traditë dhe kulturë ka pasur gjithmonë intelektualë të rrallë, të njohur jo vetëm në qytetin e tyre por edhe në nivel kombëtar. Ne ulqinakët jemi krenarë për të gjithë ata intelektualë të cilën janë arsimuar në Kosovë dhe në vende të tjera, duke lënë gjurmë të pashlyera në kulturën e kombit tonë. Në këtë kuadër, për mendimin tim, bën pjesë edhe Ismet Lamoja, një person me kulturë të gjerë, i cili përpos punës në arsim, ku fillimisht ka punuar në Krajë, është marrë edhe me aktivitete të shumta kulturore në vitet ’60 të shekullit të kaluar, në ato kohë të vështira për kombin tonë. Puna në arsim ka qenë për të frymëzuese, kështu që pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Sarajevës, është punësuar si profesor i gjeografisë në Gjimnazin “Ivo Llolla Ribar” në Prishtinë. Ai ka qenë i aftë dhe pa dyshim ka mbetur sinonim se si është dashur të zhvillohet mësimi në shkollë, duke e kombinuar dijen dhe dashurinë për arsimin me moshën e fëmijëve.
Ismet Lamoja u lind në Ulqin, në vitin 1934. Ai është njëri prej pishtarëve të arsimit në gjuhën shqipe te ne dhe i takon plejadës së ulqinakëve guximtarë, të cilët e kanë lënë vendlindjen e tyre dhe kanë shkuar të shkollohen në Kosovë dhe qytete të tjera të ish-Jugosllavisë, ku kanë pasur mundësi më të mëdha. Po përmendi disa prej atyre që janë arsimuar në Kosovë, si Ali Llunji, Ruzhdi Ushaku, Simë Dobreci, Hajro Ulqinaku, Basri Çapriqi, Daut Shurdha dhe shumë të tjerë, që më vonë kanë lënë gjurmë në kulturën dhe arsimin në gjuhën shqipe në përgjithësi duke edukuar shumë breza kudo ku jetojnë shqiptarët. Këtij grupi i takon edhe Ismet Lamoja. Ai ishte ndër të parët që pati kurajo të largohet nga vendlindja e tij Ulqini për t’u arsimuar e më vonë për të dhënë kontribut të madh në edukimin dhe arsimin e të rinjve. Sot ka shumë intelektualë të cilët nuk e kanë harruar mësuesin e tyre të parë dhe profesorin e tyre në shkollën e mesme.
Edhe disa të dhëna nga jeta e tij. Ismet Lamoja e ka kryer gjimnazin në gjuhën serbe në Ulqin, në vitin 1949. Në vitin 1950 është regjistruar në Shkollën Normale në Gjakovë, të cilën e ka kryer në vitin 1954 në Prishtinë. Studimet universitare – dega Gjegrafi i ka kryer në Sarajevë, kurse studimet pasuniversitare në Zagreb. Një kohë të gjatë ka punuar edhe jashtë arsimit, duke qenë zëvendësministër në Entin për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Prishtinë. Megjithatë, arsimin e ka pasur në shpirt dhe në zemër, prandaj pavarësisht se ka pasur sukses në punën e tij në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës deri në vitin 1992, kur është pushuar me dhunë nga puna nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, arsimin nuk e ka lënë kurrë pas dore. Ndihma dhe këshillat e tij për shumë studentë gjithmonë kanë qenë të mirëpritura dhe frymëzuese.
Po ashtu është me rëndësi të theksohet dhe të mos harrohet se edhe Ismet Lamoja, së bashku me një grup të mësuesve si Veli Hoxha – Malohoxha, Hilmi Cungu dhe disa të tjerë, që prej fillimit të punës së tyre në arsim në Krajë, e cila ka qenë bastion i arsimit në gjuhën shqipe te ne në kohën kur në Ulqin ka mbizotëruar mësimi dhe arsimi në gjuhën serbe, kanë dhënë një kontribut të madh në arsimin dhe avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe te ne dhe në përgjithësi te populli shqiptar.
Ismet Lamoja ka ndërruar jetë në vitin 2006, në Prishtinë. Inshallah shpirti i tij gjen prehje në xhenet.