
Përpjekjet e shoqërisë për të qenë në hap me trendin e kohës janë racionale dhe në pajtim me synimet për zhvillimin dhe avancimin si shoqëri bashkëkohore e emancipuese. Megjithatë, krahas kësaj përpjekjeje, ndodh që të tejkalojmë kufijtë për shkak se me ekzagjerimin që mund të bëjmë, shthuremi dhe po deformojmë atë që quhet kultura e përgjithshme e shoqërisë.
Ky opinion i referohet asaj se çfarë ofrojnë sot disa media shqiptare në përmbajtjen e programacioneve të tyre. Kështu, do apo nuk do, përveç politikës ditore që është bërë lajtmotiv i edicioneve të lajmeve, dominojnë emisionet zbavitëse dhe argëtuese “Reality show”, ndërsa dukshëm më të pakta janë ato të karakterit edukativ, arsimor, kulturor, artistik e shkencor të cilat janë përherë të nevojshme.
Kuptohet se shumica e mediave sot, veçanërisht ato në pronësi private reshtin pas komercializmit dhe sensacionalizmit, pra për produktin që plasojnë në treg për të vjelur mjete financiare që të vetëfinancohen e ndoshta edhe vetëm për të mbijetuar prodhojnë emisione “Reality show” për të rritur shikueshmërinë e tyre përherë e më tepër. Këto emisione dalin të jenë më të rëndësishmet duke marrë parasysh kohën televizive që iu jepet. Fasha e orarit zakonisht varijon nga pasditja deri në mesnatë, që është koha më me shikueshmëri dhe më e shtrenjta për një televizion.
Shtrohet pyetja se sa këto media me përmbajtjet e tyre programore i shërbejnë interesit të përgjithshëm të shoqërisë, duke pasur parasysh misionin e vet ku përveç informimit dhe zbavitjes, ndër të tjera, media ka për detyrë edhe edukimin e masës dhe formimin e një shoqërie të shëndetshme. Realiteti aktual tregon se me këto lloj përzgjedhjeje që po praktikojnë gazetarët dhe drejtuesit e disa mediave, media e ka humbur rrugën e misionit.
Pëveç asaj që media në këtë mënyrë nuk i shërben misionit për të cilin është destinuar, ajo për fat të keq ndikon negativisht tek formimi i shoqërisë, sepse në këto programe dëgjojmë edhe gjuhë të papërshtatshme e joetike.
Në vend që publiku i gjerë të pasurohet mendërisht e shpirtësisht me emisione të karakterit kulturor, arsimor, eduktativ, shkencor etj, nga të cilat do të dilte një gjuhë standarde dhe progresiste, aty dëgjon një gjuhë të dhunës verbale, e nganjëherë edhe fizike, një model komunikimi të ulët i cili promovon shembuj të këqinj për t’u ndjekur.
Pra mediat të cilat konsiderohen si pushtet i katërt për fuqinë, rolin dhe influencën e tyre në transformimin, zhvillimin dhe demokratizimin e shoqërisë, do të duhej pareshtur që të veprojnë për të përmbushur këtë rol. Shoqëria shqiptare a cilado qoftë në kohën e botës dixhitale dhe mes një mori informacionesh të pakontrolluara që sot sërviren, ka nevojë që mediat klasike duke filluar prej radios, gazetës e televizionit, të sjellin rubrika e emisione të fokusuara në kualitet së pari, ndërsa dëgjueshmëria, lexueshmëria dhe shikueshmëria të jenë dytësore.
Këtë ndihmë dhe qasje ndaj edukimit dhe emancipimit të shoqërisë, media mund ta bëjë vetëm nëpërmjet programeve televizive të cilat do të ishin të dobishme, ku do të dominonin emisionet që do të kultivonin dhe transmetonin thesar të vlerave të mirëfillta.
Në këtë kuadër media me pakësimin e emisioneve show dhe me shtimin e programeve të sipërpermendura, do ta përmbushte më së miri rolin që asaj i takon, dhe në këtë mënyrë do të promovonte një shoqëri me vlera të larta morale dhe intelektuale duke u dhënë kështu pas asaj që quhet kulturë e përgjithshme masive.
Me këto lloj programesh që padiskutim do të kishin influencë pozitive në shoqëri, të rinjët ndoshta do të fillonin gradualisht që të sensibilizohen dhe të kuptojnë se vërtetë programet zbavitëse nuk janë të duhurat, përkundrazi ato duke të mbajtur të “mbërthyer” pas ekraneve me orë të tëra, ta humbasin kohën e cila po të shfrytëzohej për qëllime të tjera si në detyrime shkollore ose profesionale, shoqëria sot do të ishte shumëfish më e arsimuar, me një potencial intelektual dhe shkencor që edhe kombet e tjera do t’ia kishin lakmi.
Nisur nga roli dhe influenca që kanë mediat në shoqëri, atëherë duhet pranuar se për të gjitha ato dukuri negative që ngjajnë në shoqëri, siç janë dhuna në familje e shoqëri, vrasjet e vetëvrasjet, krimi e korrupsioni, një “faj” të madh e kanë mediat të cilat nuk u servojnë shikuesve të tyre atë produktin e qenësishëm që do të kishte si rezultat zbutjen dhe çrrënjosjen e dukurive negative të shoqërisë.
Por në këtë prizëm është po aq e rëndësishme që vetë të rinjtë sot të dinë të zgjedhin në mes asaj që u ofrohet dhe asaj që e kanë të nevojshme, pra në mes vlerave të mirëfillta dhe antivlerave që medoemos lënë pasoja afatgjata.