Shoqëria Kulturore Artistike “Ana e Malit”

Luljeta Avdiu – Cura

Folklori u ka qëndruar shekujve falë paraardhësve tanë që me fanatizëm e kanë kultivuar dhe ruajtur edhe pse në kushte shumë të vështira. Për faktin se është transmetuar e ruajtur në kujtesën popullore brez pas brezi, ne sot kemi këtë thesar të trashëgimisë sonë të cilin duhet të dimë ta çmojmë. Duke mësuar folklorin ne mësojmë se si ka ecur dhe si është zhvilluar populli dhe si i ka përjetuar fatet e veta historike.
Folklori ndryshe mund të quhet edhe thesari popullor, dhe për popullin tonë i cili ka kaluar dhe pësuar transformime të ndryshme përgjatë historisë ka pasur dhe ka një rol të veçantë. Këtu kemi të bëjmë jo vetëm me shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, por në përgjithësi ku jetojnë shqiptarët, janë përpjekur që aty ku kanë jetuar dhe punuar të mbartin një pjesë të kulturës së vendit të vet.
Folklori nuk është meritë vetëm e një gjenerate, sepse çdo gjeneratë qysh nga e kaluara e largët la gjurmët e veta në folklore në treva të ndryshme, kurse ne kemi obligim që këtë thesar ta ruajmë me fanatizëm. Folklori në kohërat më të vështira mbijetoi duke iu falënderuar aftësisë, mençurisë popullore e cila në momentet kur ishte nevoja diti ta përdorë me shumë mjeshtri gjuhën figurative të mbështetur në alegori, kriptologji, enigmatikë, perifrazë, metaforë etj.
Në periudha të ndryshme kohore janë bërë përpjekje për themelime të grupeve folklorike dhe riorganizim të tyre.Të gjitha grupet e folklorit që janë mbështetur nga një kryetar komune apo një tjetër kanë qenë jetëshkurta. Por, kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë përçuar artin, kulturën dhe traditën edhe jashtë kufijve tanë etno-gjeografik për sa kohë kanë ekzistuar.
Në periudha të ndryshme kohore në Anë të Malit kanë ekzistuar shoqëri të ndryshme. SHKA ”Buna” në Katërkollë u themelua në vitin 1969 dhe u riaktivizua në vitin 1978. Kryetar i saj ishte Elez Muça; SHKA “Lipoja” u themelua në Krythë në vitin 1975, udhëheqës të saj ishin Musa Pali dhe Ramazan Berkani; Në vitin 1978 është themeluar SHKA “Zgjimi” në Sukubinë, me kryetar Zija Krajën. Më vonë Shoqëritë “Tradita” (2013), kryetar Selatin Gjeloshi; “Ana e Malit”(2014), kryetare Luljeta Avdiu-Cura dhe së fundmi “Trojet tona”(2021), drejtues Din Zeneli.
Shoqëria Kulturore Artistike “Ana e Malit” u themelua në dhjetor të vitit 2014 dhe kishte këtë përbërje të Këshillit drejtues: Luljeta Avdiu-Cura (kryetare), Zenepa Lika (nënkryetare), Hodo Luka (sekretar), anëtarët: Hajredin Kovaçi, Bajram Seferi, Kristina Shkreli, Fortesa Nika, Izet Draga dhe Sead Asllani.
SHKA ”Ana e Malit” me seli në Katërkollë, si qëllim i kishte vënë vetes kultivimin e traditës së mirëfilltë anamalse, duke përfshirë kështu në mënyrë te posaçme folklorin dhe muzikën burimore të trevës sonë. Një pjesë e mirë nga anëtarët e Këshillit drejtues të shoqërisë, në të kaluarën kanë qenë anëtarë të shoqërive të mëparshme që janë themeluar në trevën tonë. Vlen të theksohet se falë angazhimit të entuziastëve të kulturës, folklori ynë ka marrë jetë në periudha të ndryshme kohore edhe pse shumica e tyre ishin jo profesionistë.
Kur mora ftesën për ta udhëhequr shoqërinë kulturore në fjalë, vajzen Arbanen e kisha 6-vjeçare kurse djalin Albanin vetëm katër muajsh, por në nderim të anëtarëve të familjes sime dhe të bashkëfshatarëve nga katundi im Sukubina dhe jo vetëm,që në kohë të vështira socio-ekonomike dhe politike promovuan folklorin tonë, iu përgjigja pozitivisht ftesës për ta udhëhequr këtë lokomotivë të traditës. Gratë kanë luajtur një rol kyç në ruajtjen e folklorit duke filluar me këngët e djepit, gëzimit, vajit etj.Edhe pse nuk kanë qenë të shkolluara ato kanë qenë të edukuara dhe të pasura në aspektin kulturor, sepse kanë bartur një thesar të madh të krijimtarisë gojore. Po ashtu kanë qenë të pasura nga aspekti i dijebërjes së kostumeve popullore dhe kanë qenë promovuese të tyre, sepse i kanë veshur edhe në jetën e përditshme dhe jashtë shtëpisë. Me fjalë tjera, gratë shqiptare në hapësira të ndryshme etno-gjeografike kanë qenë institucione kulturore. Kështu pata nderin e veçantë që të jem femra e parë kryetare që udhëhoqa një grup folklori nga treva e Anës së Malit që nga themelimi i shoqërive të para në këtë trevë. Për këtë nderim që më bënë u jam mirënjohëse anëtarëve të për Këshillit drejtues për mirëbesimin dhe për vlerësimin, si edhe të gjithë përsonave dhe institucioneve që na përkrahën. Por, mirënjohje meritojnë vajzat që ndër vite me aktivizimin e tyre në grupe të folklorit u hapen rrugë gjeneratave të reja dhe sfiduan mentalitetin e vështirë që sundonte në trevën tonë.
Gjatë vitit të parë SHKA “Ana e Malit” ishte shumë aktive. Gjatë këtiJ viti rrugëtimin nuk e kishte të lehtë, sidomos në fillim të aktivitetit, por me përkushtimin e anëtarëve dhe anëtareve si edhe Këshillit drejtues të shoqërisë sonë, kjo SHKA për një periudhë 1-vjeçare arriti të marrë pjesë në katër festivale dhe të jetë pjesëmarrëse në një serë aktivitetesh kulturore si mbrenda ashtu edhe jashtë vendit.
Mbresëlënëse ishte dalja e parë në skenë pikërisht në Festivalin e Gjirokastrës, në maj të vitit 2015, ku shqiptaret nga Mali i Zi u kurorëzuan me vendin e tretë. Kjo dalje e parë në skenë dhe ky çmim i përbashkët me shoqëritë e tjera pjesëmarrëse, na motivoi edhe më tepër në punën tonë të palodhshme në promovimin e vlerave dhe traditave të trevës sonë.
Po në maj të këtij viti, morëm pjesë në Festivalin në Rahovec “Anadrinia Jehon 2015”, për t’u kurorëzuar nga juria e festivalit me dy çmime: Çmimi orkestra më e mirë e festivalit (në përbërje prof. Mustaf Zhugjeli – harmonikë, Shuajb Bisha – violinë, dhe Samir Dabi – dajre); si dhe Çmimin këndimi më i mirë tradicional i grave dhe vajzave (Elira Kovaçi, Hazreta Cuca, dhe Egzona Nika – Kënga e bletës). Pas Rahovecit, pikërisht në muajin qeshor 2015, radhën e kishte Kaçaniku legjendar ku shoqëria jonë pati fatin të marrë pjesë në Festivalin “Kaçaniku 2015”, festival të cilin vendasit e organizonin për nder të Ditës së Çlirimit.
Në këtë festival çmimi “Dueti më i mirë” iu dhurua pikërisht Elira Kovaçit dhe Suad Shaptafit.
Ftesa e radhës për shoqërinë tonë erdhi nga ana tjetër e Atlantikut për të marrë pjesë në “Albanian Festival”, me ftesë të z. Mark Shkrelit, ku shoqëria jonë atje u prezantua denjësisht .Pjesëmarrja në këtë festival ishte vetëm fillimi i aktiviteteve në SHBA, sepse me ftesë të z. Naser NikëS u prezantuam në “Sofren e shqipes”, organizuar nga Albi’s Party dhe Tv Blue Sky Music dhe pastaj edhe me një tjetër koncert në Stejten Ajlënd. Edhe gjatë vitit 2016 ishim pjesëmarrës në një sere aktivitetesh dhe organizimesh ku veçojmë pjesëmarrjen në: Ditën e verës në Elbasan, Karnavalet e Korçes, Festivalin e Kulturës Shqiptare në Mantova, Festivalin e Dumresë në Elbasan, si edhe në shumë aktivitete të tjera me rëndësi në Ulqin dhe rrethinë.
SHKA “Ana e Malit” ishte aktive edhe gjatë vitit 2017, me pjesëmarrje në organizime kryesisht në Ulqin dhe rajon. Gjatë aktivitetit 3-vjeçar dosja u mbush me çmime dhe mirënjohje, për të mbetur kështu dëshmi e një pune të përkushtuar të komplet Këshillit drejtues dhe anëtarëve.
Që të bëhet zgjidhja më e mirë e mundshme e që skenat e festivaleve dhe aktiviteteve në vend dhe më gjërë të ndriçojnë nga larmia e kostumeve, valleve tona ulqinake, anamalse, krajane, malësore, shestanase etj. do ishte e nevojshme që në kuadër të Qendrës për Kulturë në Ulqin të themelohet një ansambël që i përmbledh këto treva. Ka ardhur koha që thënies: “Folklori lind në fshat e vdes në qytet” t’i ndërrohen fjalët dhe të përdoret si moto: “Folklori lind në fshat dhe rritet në qytet”.
Po ashtu në shkolla duhet të ekzistojë një lëndë e veçantë edukuese në lidhje me trashëgiminë kulturore, në mënyrë që edukimi i brezit të ri të bëhet që në bankat e shkollës. Në këtë mënyrë në të ardhmen do të kemi një rini që do të dijë të çmojë vlerën e trashëgimisë kulturore të vendit të vet por edhe do bëhej shkak që pikërisht individë të ndryshëm të bëheshin bartës të aktiviteteve kulturore dhe promovues të trashëgimisë. Njohja e trashëgimisë kulturore dhe lidhja në aspektin kulturor material e shpirtëror me vendet e rajonit është nevojë e kohës dhe një imperativ në këtë kohë të globalizmit.

Të fundit

më të lexuarat