
Dyert e Muzeut të Ulqinit në Kala, në kuadër të së cilit punojnë pavijoni arkeologjik, etnologjik dhe galeria e arteve, që nga muaji mars i vitit të kaluar janë të mbyllura për shkak të punimeve në rikonstruksionin e tij brenda të cilit ndodhet një trashëgimi me vlerë duke filluar nga eksponatet e periudhës ilire e deri tek artefaktet dhe veshjet e krahinave të ndryshme shqiptare të këtyre anëve. Vlera e këtij investimi, siç na njoftoi drejtuesi i këtij muzeu Gazmend Kovaçi, është 80.000 euro.
Ky projekt me vlerë prej 80.000 euro financohet nga Komisioni Evropian, Zyra për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte të Komunës së Ulqinit në kuadër të projektit trepalësh të Malit Zi, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës
“Ky projekt financohet nga Komisioni Evropian, Zyra për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte të Komunës së Ulqinit në kuadër të projektit trepalësh të Malit Zi, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Me këtë projekt është përfshirë rikonstruksioni i gjysmës së kompleksit të Muzeut, kurse pjesa tjetër duhet të jetë në vëmendjen e investimeve të ardhshme në mënyrë që të arrihet një standard që duhet të kenë të gjithë muzetë. Deri më tani janë vendosur dyert dhe dritaret e reja në pavijonin e etnografisë dhe në galerinë e arteve, janë sanuar muret e brendshme në të dy pavijonet e përmendura dhe është në fazën e punimeve tualeti për turistët, i cili është më se i nevojshëm.
Pas përfundimit të punimeve të planifikuara me këtë projekt dukshëm do të përmirësohen kushtet e punës së këtij muzeu, do të shtohet oferta e Muzeut, do të shtrenjtohen biletat prej 3 në 5 euro për hyrje në Muze, ndërsa edhe arkëtimet do të njohin rritje
Po ashtu është përfunduar edhe pullazi në objektin e etnografisë”, pohon Kovaçi. Sipas fjalëve të tij, pjesë e këtyre investimeve është edhe instalimi i dritave ( ndriçimi) në të tri ndërtesat e Muzeut. Ai shpreson se punimet do të përfundojnë deri në fund të marsit të këtij viti në mënyrë që të mund të përgatisin Muzeun për sezonin e ardhshëm turistik. “ Pas përfundimit të punimeve të planifikuara me këtë projekt dukshëm do të përmirësohen kushtet e punës së këtij muzeu, të cilat kanë munguar shumë dekada. Përveç kësaj do të shtohet oferta e Muzeut, do të shtrenjtohen biletat prej 3 në 5 euro për hyrje në Muze, ndërsa edhe arkëtimet do të njohin rritje në krahasim me vitet e mëparshme”, shprehet Kovaçi. Ai shton se synojnë që kjo hapësirë muzeore e vendosur në pjesën e epërme të Kalasë, pranë portës veriore të saj të kthehet në një pikë atraksioni për turistët vendas dhe të huaj, të ruhen vlerat e objekteve historike si atraksione gjithmonë edhe më tepër të lakmuara në shërbim të vizitorëve dhe të jetë një vlerë e shtuar e këtij qyteti të lashtë ndër më të vjetrit në bregdetin Adriatik, me histori më të vjetër se 2500 vjeçare.