Hamid Alaj
Në shtator të vitit 1988, Nazire Curaj përsëri dënohet me një vit burg dhe burgun e vuan në Mitrovicë dhe Beograd ku përsëri vazhdojnë torturat ndaj saj. Pasi lirohet nga burgu ajo përsëri shkon ilegalisht në Krajë për të vazhduar aktivitetet e saj patriotike dhe atdhedashëse. Nga përndjekjet e shumta nga policia sllavo-komuniste jugosllave, Nazirja herë pas here detyrohet të kalojë në Shqipëri. Tanimë në një gjendje të mjerueshme, e dalur nga burgu, pa punë, e me fëmijë të vegjël kalon në Shqipëri disa herë por edhe në këtë gjendje të rëndë psiqike policia malazeze e ndalin dhe e mbajnë në burgun e Shpuzës për pesë ditë me pretekstin që pas pesë ditëve të paraqitet në policinë e Prishtinës. Pra, nga kjo shihet qartë se Nazire Curaj-Zogaj ishte një patriote e flaktë nga treva e Krajës, ishte e lidhur për të vazhduar veprimtarinë e saj për çështje kombëtare, andaj ishte e ndjekur këmba-këmbës nga UDB-ja jugosllave, e cila torturohej fizikisht dhe mendërisht. Ishte e burgosur disa herë si në burgun e Ferizajit, Nishit, Prishtinës, Mitrovicës, Beogradit e të Shpuzës. Ajo u rezistoi të gjitha burgjeve, qoftë në Serbi, Kosovë e Mal të Zi dhe asnjëherë nuk u dorëzua, përkundrazi dilte kryelartë në mbrojtje të idealeve të veta kombëtare. Edhe pas gjithë këtyre vuajtjeve e burgosjeve ajo asnjëherë nuk u mposht edhe pse spijunët e “udbashat” e policisë sllavo-komuniste e torturonin, ajo përsëri qëndronte kokëlartë. Të njëjtën gjë e bënte kudo ku vepronte si në vendlindje Krajë po ashtu edhe në Kosovë ku jetonte dhe kishte bazën e veprimtarisë së saj. Mbi të gjitha luftonte për çlirimin e kombit të vet nga thundrat sllavo-komuniste jugosllave.
Fakti që Nazirja kishte krijuar një shoqëri patriotike si në Kososvë po ashtu edhe në vendlindjen e saj Krajë, kishte formuar dhe udhëhequr grupin ilegal “Jehona e Krajës” së bashku me patriotët e tjerë krajanë, ajo nuk mund të anashkalojë idealet dhe çështjen kombëtare që ia kushtoi tërë jetën e saj. Ajo nuk mund të pranonte diktaturë, dhunë policore e vuajtje të popullit të saj, ndaj dhe i shfaqi hapur bindjet e saj politike, por në të njëjtën kohë edhe policia sllavo-komuniste jugosllave nuk mund ta pranonte Naziren, ndaj e goditi me burgime të njëpasnjëshme duke e ndjekur këmba-këmbës në veprimtaritë e saj. Ajo kurrë nuk u mundua për përfitime vetjake, politike e karrieriste, por veten e shkriu për idealet kombëare dhe bashkim të të gjithë trevave shqiptare në një shtet të përbashkët-Shqipërinë Natyrale.
Nazire Curaj përveç që është marrë me veprimtari patriotike kombëtare, ajo njëkohësisht është marrë edhe me shkrime të ndryshme e sidomos me poezi. Ka shkruar qysh në bankat e shkollës së mesme kur ishte në Kososvë. Kryesisht shkrimet e saj kanë qenë të orientuara me tema për vendlindjen, por ka shkruar edhe tematika të ndryshme e sidomos ato me tema atdhedashurie. Nuk janë të botuara deri më tani asnjë nga shkrimet e saj por shpresojmë që edhe ato një ditë ta shohin dritën e tyre në revista, gazeta e periodikë të ndryshëm, mbase në një vepër të veçantë të saj.
Jo vetëm që Nazirja është marrë me shkrime të ndryshme, por për Naziren edhe kanë shkruar të tjerët qysh kur ajo ishte gjallë dhe në flakën e veprimtarisë së saj patriotike. Për Naziren kanë shkruar edhe emigrantët krajanë në Nju Jork, ku bukur mirë më kujtohet kur isha student në SHLT në Ferizaj në vitet ‘80, një bashkëvendas i imi (i autorit të këtij shkrimi) në mërgim në Nju Jork me pseudonimin “Lulo” më dërgonte poezi kushtuar Nazires dhe më porosiste që t’ia dorëzoja asaj, mirëpo edhe pse unë (autori i shkrimit) nuk e kam takuar Naziren, por në distancë e kam parë disa herë, por jo folur apo ndenjur me të, sepse si student që isha na kaplonte friga t’i afroheshim një patrioteje si ajo me pretekst se do të na spiunonte dikush në policinë e Tivarit dhe do të humbisja të drejtën e shkollimit, dhe ato poezi i mbaja shumë të fshehura që të mos mi dinin as shokët e mi se unë i kam, dhe kështu amaneti i “Lulo’s” kurrë nuk u plotësua nga një student krajan, madje ato poezi gjatë një udhëtimi nga Prishtina për në vendlindje Krajë, ranë në dorë të policisë së Tivarit në stacionin e autobusave në Tivar dhe kur më pyeten policët se: “Ç’farë janë këto”, unë u përgjigja: “Detyra shtëpie”), duke iu treguar se isha student dhe kisha detyra shtëpie për studime, dhe kështu i shpëtova bukur mirë një marrje në pyetje nga policia malazeze, burgosje disaditëshe apo edhe disavjeçare, mbase edhe ndërprerje studimesh të mëtejshme.
Nazire Curaj vdiq më 14 dhjetor të vitit 2019 në Ferizaj të Kososvës por u varros aty ku e kishte lënë amanet. në vendlindjen e saj në Krajë. Ajo u kthye në vendlindjen e saj në Krajë që e donte shumë, në arkivol të mbështjellur me flamurin shqiptarë Kuq e Zi – që e kishte në zemër por edhe si venë në trupin e vet. Për në banesën e fundit ajo u përcoll me nderime të veçanta dhe një respekt të madh me pjesëmarrjen e bashkëvendasve në ceremoninë e varrimit të saj. U përcoll për në banesën e fundit edhe nga shumë veprimtarë të kohës kur ajo vepronte dhe punonte për çështjen kombëtare. Gjatë përcjelljes së arkivolit të saj për në banesën e fundit, ajo u përcoll edhe nga shumë banorë të Ferizajit ku jetonte dhe vepronte, nga familjarët, bijat, nipat e mbesat e saj dhe një numër i madh qytetarësh nga Kosova e më gjërë.
Gjatë ceremonisë së varrimit për veprën dhe figurën e atdhetarës krajane Nazire Curaj folën edhe figura të njohura politike e veprimtarë të ndryshëm.
Edhe pas vdekjes së Nazire Curaj janë shkruar artikuj dhe poezi të ndryshme kushtuar kësaj “heroine krajane”. Me rastin e vdekjes së saj edhe autori i këtyre rreshtave ia ka kushtuar një poezi mësueses, atdhetares dhe patriotes krajane titulluar “Heroinës krajane-Nazire Curaj”.
Jeta dhe veprimtaria patriotike dhe arsimore e Nazire Curaj, është një jetë e lavdishme dhe pothuajse një histori e veçantë, sidomos në veprimtarinë patriotike e cila ishte edhe shumë e mundishme, për të kryer detyrat e saj arsimore-patriotike, jetë kjo pothuajse gjysma e saj kaloi nëpër burgjet sllavo-komuniste jugosllave. Me të duhet të krenohet e mbarë Kraja si dhe e gjithë shqiptaria. Sot popullata krajane duhet të jetë krenare me këtë bijë të tyre të paharruar, por edhe shembull se si duhet punuar dhe vepruar për idealet kombëtare. Ajo sot lirirsht mund të thuhet se gjendet në piedestalin e femrave veprimtare shqiptare për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ajo sot është heroinë e trevës së Krajës. Nazire Curaj mbetet një emër i madh i femrës-gruas së panënshtruar krajane, por edhe mbarëshqiptare e cila diti si të veprojë e punojë për çështjen kombëtare.
I lehtë i qoftë dheu i tokës së Krajës që aq shumë e deshi.
Qoftë i paharruar kujtimi i kësaj besnikeje krajane, kosovare dhe e gjithë shqiptarisë.