
Ti jepet epiteti një femre “atdhetare e shquar e çështjes kombëtare” nuk është e paktë, sepse aty lypet jo pak por shumë për të bërë e sakrifikuar, madje edhe deri në dhënie jete, e mos të flasim për të tjera gjëra që një femër duhet të kalojë gjatë gjithë jetës së saj për ideale dhe çështje kombëtare. Ajo është një dhe e vetmja femër krajane që sakrifikoi gjithçka për çështjen dhe idealet kombëtare, e quajtura Nazire Curaj-Zogaj.
Nazirja e lindur dhe e rritur në trevën e Krajës derisa mori rrugën e shkollimit të mëtejshëm, pastaj e shkolluar dhe e frymëzuar me idealet dhe çështjen kombëtare në Kosovë, ajo sot mund të bëjë krenare çdo femër krajane por edhe çdo banor të trevës që e kujtojnë me rrespekt dhe nostalgji edhe si mësuese por edhe si “femra” më e njohur krajane e idealeve kombëtare, e pse të mos thuhet “heroina” e trevës së tyre. Ajo ka një biografi të gjërë edhe pse dominon vuajtja dhe sakrifica e saj për idealet dhe çështjen kombëtrae shqiptare.
Nazire Curaj u lind më 27.12.1946 në fshatin Ostros i Madh (lagja, Curaj Poshtë) të Krajës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin shkollor 1960/61. Mbasi mbaron shkollën fillore Nazirja regjistrohet në Shkollën e Mesme në Ferizaj, në Kosovë, në vitin shkollor 1961/62 dhe përfundon në vitin shkollor 1964/65. Në vitin 1966 kthehet në vendlindje si mësuesja e parë krajane dhe pikërisht më 1 shkurt të vitit 1966, fillon punën në arsim pranë Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros të Krajës. Në shtator të vitit 1967 e braktis Krajën dhe kalon ilegalisht në Shqipëri. Gjatë qëndrimit katërvjeçar në Shqipëri (gjer më 1971), ajo ndiqte studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës. Gjatë atyre viteve dha provimet e vitit të parë dhe të dytë të studimeve dhe njëkohësisht edhe punësohet për dy vite ku dha mësim në Shkollën Fillore “Vaso Kadija” në Zues të Shkodrës. Pas atyre viteve qëndrese në Shqipëri, ajo vendos të kthehet në vendlindje. Edhe pse kthehet në vendlindje – Krajë asaj nuk i lejohet punësimi në komunën e Tivarit, gjegjësisht të punësohet si mësuese në trevën e Krajës aty ku për herë të parë filloi profesionin e saj dhe mori ditarin e mësueses në dorë. Edhe pas gjithë kësaj, ajo e etur për të punuar profesionin e vet vendos të shkojë në Kosovë dhe pranohet në Shkollën Fillore “Jeta e Re” në Komoran të Kosovës, ku punoi një vit shkollor. Pas një viti shkollor vendos të transferohet për të dhënë mësim në Shkollën Teknike në Ferizaj, në vitin shkollor 1972/73. Edhe në këtë shkollë punoi një vit shkollor. Po një vit shkollor dha mësim edhe në Shkollën Ekonomike në Ferizaj ku vazhdon punën edukativo-arsimore, si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Gjashtë vite shkollore dha mësim në Shkollën Fillore në Babush të Ferizajit. Ajo në mënyrë permanente, me vullnet e zell punoi për ngritjen dhe përsosjen profesionale. Për këtë qëllim regjistrohet në Fakultetit Filozofik, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetit e Prishtinës dhe diplomon në vitin 1980. Profesoresha atdhetare në vitin 1980 fillon të japë mësim në Shkollën e Mesme Bujqësore “Zenel Hajdini” në Ferizaj.
Në një periudhë kohore dhjetëvjeçare (1971-1981) Nazire Curaj nuk rreshtë së punuari për çeshtjen kombëtare. Bile ajo së bashku me aktivistë tjerë si nga Kosova po ashtu edhe nga treva e Krajës, vazhdon aktivitetet e saj patriotike dhe kombëtare për t’u përgaditur për Pranverën e Madhe të vitit 1981. Ajo shkon në vendlindjen e saj – Krajë dhe takohet me patriotët krajanë të idealeve kombëtrae si me Ali Perashin, i cili shprehet i gatshëm për të punuar për çeshtjen kombëtare, po ashtu edhe me patriotët e tjerë krajanë si me Xhafer Markashin, Salih Markashin e Hasan Perashin. Të gjithë së bashku bien dakord që idealet e tyre patriotike ti shkrijnë për çështjen kombëtare shqiptare. Kjo ishte nisma e formimit të grupit ilegal “Jehona e Krajës”, protagoniste e së cilës ishte Nazire Curaj. Kështu, Nazire Curaj së bashku me Eshrefe Mujën në vitin 1982 shkojnë pësëri në Krajë dhe vendosen ilegalisht në lagjen Kacaj (fshati Martiq) në shtëpinë e Et’hem Halilit, ku u zyrtarizua formimi i grupit ilegal “Jehona e Krajës”.
Nazirja ka ardhur shpesh në Krajë nga Kosova ku jetonte dhe vepronte. Sa qëndronte në vendlindje së bashku me patriotët e tjerë krajanë formonin dhe shkruanin trakte të ndryshme kundër regjimit sllavo-komunist dhe njëkohësisht edhe i shpërndanin në mënyrë ilegale nëpër rrugët e Krajës. “Gjatë qëndrimit njëjavor në Kacaj, unë kam shkruajtur disa trakte për t’i shpërndarë në mbarë Krajën dhe disa letra proteste, që t’ju dërgohen të gjitha instancave që nga Komuna e Tivarit e gjer në Federatë”, shprehet Nazire Curaj. Ajo me urdhër të aktivistit të njohur për çeshtje kombëtare nga Kosova patriotit Abdulla Prapashtica, shkon në Krajë me detyrë që të formojë një grup të besueshëm i cili do të shërbejë si bazë e nevojshme për të bashkëpunuar me shtetin amë – Shqipërinë.
Në prill (9 dhe 10) të vitit 1981 Nazire Curaj merret në pyetje nga policia e Ferizajit për aktivitetet e saj patriotike dhe me këtë rast dënohet dy (2) muaj burg, kurse më 18 prill po të atij viti e largojnë nga puna. Kolektivi i shkollës ku ajo punonte dhe nxënësit e asaj shkolle protestuan për një kohë të gjatë, plot gjashtë muaj për kthimin në punë të mësueses së tyre, por ai kthim i saj në marrëdhënie pune u mundësua në shtator të vitit 1992. Pasi lirohet nga burgu dymujor, po në vitin 1981 ajo shkon në Krajë dhe njëkohësisht viziton edhe Ulqinin. Me këtë rast merret në pyetje nga UDB-ja në Stacionin policor të Ulqinit. Kthen në Kosovë dhe vashdon aktivitetet e saj patriotike.
Në shtator të vitit 1983, Nazire Curaj merr detyrë që përmes Krajës, me ndihmën e anëtarëve të grupit ilegal “Jehona e Krajës” të shkojë në shtetin amë bashkë me Xhabir Morinën, me detyrë që të kontaktojë me udhëheqësit e shtetit amë dhe të kërkojë ndihma konkrete për fillimin e Luftës Çlirimtare në Kosovë. Kjo ishte Nazire Curaj e cila kishte guxim dhe vullnet ta kryente çdo detyrë që i ngarkohej asaj për çeshtjen dhe idealet kombëtare. Dhe at[ e bënte. Niset për në shtetin amë – Shqipëri dhe atje kërkon të takohet me disa udhëheqës të lartë shtetëror për të kërkuar ndihmë por siç shprehet ajo: “mbeta e zhgënjyer duke më thënë se nuk janë pjekur kushtet për një gjë të tillë”. Pasi kthehet nga Shqipëria ajo bie në depresion të thellë dhe njëkohësisht humb vetëdijen dhe ashtu në atë gjendje, pa pikë mëshire, policia fashite jugosllave e burgosin sërisht me një nga nxënëset e saj, Elmaze Graincën në vitin 1985 ku ndaj saj ushtrojnë dhunë të paparë saqë brenda dy ditëve i thejnë 15 dhëmbë e dhëmballë, ku gjaku i shkonte curril nga hunda, veshi e goja, ku shpesh nuk ishte e zoja të ngrihej në këmbë, por ashtu në atë gjendje përpiqej të qëndronte në këmbë, gjë që e paraqet edhe në një poezi të saj të pabotuar ku ajo shprehet: “Si feniksi unë jam ba / Shumë herë vdiqa dhe u ngjalla”. Po atë vit (22 tetor 1985) mbahet gjykimi i saj në Prishtinë me kryetar të trupit gjykues Shefki Sylaj, “udbashi” famëkeq shqiptar i asaj kohe i cili me këmbëngulje kërkon që Nazire Curaj të dënohet me burgim të përjetshëm, kurse eksperti ligjor boshnjaku Muhedi Salihamixhiqi-neuropsikiatër, insistonte që Nazire Curaj të dënohej me një vit burg, kurse ish-nxënësja e saj të lirohej në mungesë faktesh.
Pasi që Nazirja ishte me origjinë nga Kraja, trevë e cila ishte nën juridiksionin e Malit të Zi, në burgun e Prishtinës ku Nazirja vuante dënimin vijnë disa “udbasha” nga Mali i Zi me pretekst që ajo është nga Mali i Zi dhe që ajo të transferohet në burgun e Shpuzës për ta vuajtur dënimin, mirëpo një “udbash” shqiptar, njëfarë Arif Riza mundohet që Naziren mos ta lëshojë në duar të malazezëve duke iu treguar atyre dosjen shëndetësore të saj “udbashave” malaziaz që kishin ardhur për ta marrë Naziren. Ashtu ndodhi, Nazirja nuk u transferua në Mal të Zi në burgun e Shpuzës por e vuajti dënimin në burgun e Prishtinës aty ku ishte dënuar.
(vazhdon)