Numri i kopeve të bagëtive në zonën e Anës së Malit vazhdimisht ulet për shumë arsye. Me gjithë problemet e shumta me të cilat përballen çdo ditë bujqit dhe blegtorët e kësaj zone, me mbijetesën e fermave të tyre ende ka të tillë, ndonëse me numër simbolik, të cilët merren me bujqësi dhe blegtori, të cilat pas turizmit janë degët kryesore ekonomike të Komunës së Ulqinit.
“Blerja e produkteve të tij blegtorale është e siguruar, por ai me të drejtë ankohet në rritjen e çmimeve të karburanteve, ushqimit të kafshëve dhe pjesëve të tjera të nevojshme për mbarëvajtjen e fermës”
Sejdi Astafa nga fshati Selitë në Anë të Mali, diç më shumë se 20 kilometra larg Ulqinit, ka një fermë me 20 lopë dhe 70 dele. Për fermën e tij kujdeset ai, bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij të grupmoshës 13-16 vjeç. Të gjithë janë të angazhuar dhe të aftësuar për profesionin e bujkut dhe të blegtorit. Secili nga ata pa përtesë shtatë ditë të javës e kryejnë punën e vet në fermë, pa asnjë ditë pushim që nga orët e hershme të mëngjesit e deri në mbrëmje vonë. Punë në fermë ka shumë, sepse siç pohon fermeri i suksesshëm Astafa, kultivimi i kopeve të dhenve dhe të lopëve qumështore kërkon kujdes të veçantë e të vazhdueshëm dhe punë e mundim jashtëzakonisht të madh. Në fermën e tij ka mish dhe qumësht. Familja Astafa prodhon diç më shumë se 200 litra qumësht në ditë, apo 6 deri në 7 mijë litra qumësht në muaj.
“Për fermën e tij kujdeset ai, bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij të grupmoshës 13-16 vjeç. Të gjithë janë të angazhuar dhe të aftësuar për profesionin e bujkut dhe të blegtorit. Secili nga ata pa përtesë shtatë ditë të javës kryejnë punën e vet në fermë, pa asnjë ditë pushim që nga orët e hershme të mëngjesit e deri në mbrëmje vonë”
Nuk prodhon kos, djath e gjizë, por qumështin ia shet Qumështores “Srna” nga Nikshqi, e cila çdo ditë bën grumbullimin e qumështit dhe pagesën e rregullt në fund të muajit. Blerja e produkteve të tij blegtorale është e siguruar, por ai me të drejtë ankohet në rritjen e çmimeve të karburanteve , ushqimit të kafshëve dhe pjesëve të tjera të nevojshme për mbarëvajtjen e fermës.
“Ky fermer punëtor veçmas është i zhgënjyer në Komunën e Ulqinit e cila, siç shprehet ai, nuk i mbështet fermerët ulqinakë pothuajse aspak me vite të tëra, për dallim nga komunat e tjera në Mal të Zi”
“Me çmimet aktuale mezi mund të mbijetojmë. Qumështi është shtrenjtuar pak muajt e fundit ,por ende nuk mbulon shpenzimet e koncentrateve. Karburanti është gjithashtu i shtrenjtë”, thotë Astafa. Nuk ka prodhim të suksesshëm në industrinë e qumështit nëse nuk prodhohet edhe foragjere, prandaj ai prodhon rreth dy hektarë misër dhe rreth tre hektarë tërfil.
Sipas fjalëve të tij, mbështetjen më të madhe e ka nga Ministria e Bujqësisë së Malit të Zi, e cila për çdo vit i ndihmon dhe i stimulon fermerët përmes subvencioneve të ndryshme. Ajo çka paraqet vështirësi për të gjithë fermerët që aplikojnë përmes ministrisë përkatëse për mjete nga fondet e ndryshme shtetërore e evropiane, pohon Astafa, është procedura administrative e cila do të duhej dukshëm të lehtësohej.
Ky fermer punëtor veçmas është i zhgënjyer në Komunën e Ulqinit e cila, siç shprehet ai, nuk i mbështet fermerët ulqinakë pothuajse aspak me vite të tëra, për dallim nga komunat e tjera në Mal të Zi. Edhe pse klima në zonën e Anës së Malit është e butë, ushqimi për kafshë duhet të sigurohet për dimër, kështu që Astafa ka përgatitur më shumë se katër mijë denga me sanë për fermën e vet.
Këtë vjeshtë ai kultivoi disa hektarë tokë. “Nuk është e lehtë, sidomos kur kostot e prodhimit po rriten, por duhet të punosh në fshat”, thotë Astafa.
Gjekë Gjonaj