
Më telefonoi Xhavid Kahari nga Nju Jorku.
“Mirëdita Dr. Gano. Shpresoj se jeni të gjithë mirë, si je? Me çka merresh këto ditë?”
„Mirë jemi, unë jam pensionist, shkruaj nga pak që të kaloj kohën, thonë se më ecën kjo punë“, ishte përgjigja ime.
„Ata që shkruajnë duken mirë dhe jetojnë shumë“, tha Xhavidi duke u qeshur.
Babai i tij, Ibrahim Bimo Kahari ishte ndër punonjësit e parë të turizmit modern në Ulqin. Ka qenë kamarier i dalluar, kryeshef i puntorëve. Një kohë ishte edhe pronari i restaurantit „Park“ në Plazhin e Madh. Peshku i Ulqinit i përgatitur (“në gradelle“) nga Ibrahim Bimo Kahari ishte i njohur edhe jashtë Ulqinit.
Më kujtohet gjyshi i Xhavidit, Mano Kahari peshkatar me nam si edhe gjyshi tjetër Musli Hidri, vozitësi i parë i ambulancës në Shtëpinë e Shëndetit të Ulqinit me të cilin kam punuar në fillim të karrierës sime mjekësore.
Musli (Mehmet) Hidri (1908-1980), u lind më 1908 në Ulqin në familje të vjetër ulqinake. Është vozitësi i parë i ambulancës në Ulqin. Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur automjetin e parë në Ulqin. Në vitin 1960 punësohet në shëndetësi dhe deri në pension, në vitin 1974, punon në transportin e të sëmurëve. Musli Hidri nuk ka qenë vetëm vozitës, por shpeshherë edhe ndihmësi i mjekut. Për arsye të rrugëve të vështira dhe të gjata, disa herë i kanë ndodhur raste si gruaja shtatzënë të lindë gjatë transportit për në Maternitet në Cetinë ose në Tivar.
Takimi me diasporën në qershor 2009
Në qershor të vitit 2009 isha në vizitë te “Columbia University” si dhe te “Jacoby Hospital Center” në Bronks te Prof. Allan Ros.
Me disa mërgimtarë na Ulqini u takuam në Stejten Ajllënd. Ishte një ambient bregdetar (si me qenë në Ulqin). Biseduam për bashkëpunimin e mundshëm me vendlindje. Ishin prezentë miku ynë Prof. Allan Ros, Adnan dhe Fatmir Nimanbegu, Xhavid Kahari, kardiologu Dr. Bahri Ceka, vëllëzërit Haxhibrahimi dhe Kasmi..
Nga biografia e Xhavid Kaharit
Në mbarim të dekadës së tetë të shekullit XX ai fillon karrierën politike: zgjedhet për kryetar të rinisë së Ulqinit, anëtar i kryesisë së Lidhjes Komuniste, anëtar i konferencës së rinisë të Malit të Zi, gjithashu edhe anëtar i Kuvendit Komunal të Ulqinit. Ishte përparimtar, i aftë.
Ka bashkëpunuar me politikanët e asaj kohe: Stankoviqin, Maroviqin, Brajoviqin, Rakçeviqin, Gjukanoviqin… Politikani i ri ishte dëshmitar i Revolucionit Anti-byrokratik.
Fillimisht për polikanin shqiptar nga Mali i Zi ky ishte realitet, në princip kundër nacionalizmit. Por, Xhavid Kahari nuk u dakordua me disa mendime të tyre dhe së shpejti për politikantët malazezë u bë “iredentist”, kurse për shqiptarët “tradhëtar”.
Ai vendosi se nuk ka të drejtë që fëmijëve të palindur t’u impotojë mendimet të cilat shkojnë përmes ligjeve fetare, nacionalizmit ose drejtimeve politike.
Vendimi: 29 tetor 1989 – Titograd – Beograd – Njujork.
Jeta atje nuk ka qenë e lehtë, duke filluar nga punët në restaurant, pastrimet…
Arriti t’i përfundojë studimet postdiplomike.
Gati 30 vjet është në detyrën e analitikut financiar, si bankier i sukseshëm në një ndër instucionet financiare më të rëndësishme të Amerikës.
Me shumë punë dhe sakrifica, me ndihmesën e bashkëshortes arritën të edukojnë dy fëmijët e tyre të cilët sot janë avoketër, duke mos harruar vendlindjen e prindërve të tyre – Ulqinin e Malin e Zi. Këta dy të rinj janë pa asnjëlloj paragjykimi.
Ai i ka mbajtur kontaktet me vendlindje.
Sabri Buzuku
Biografi e shkurtër e Xhavid Kaharit
Xhavid Kahari, i biri i Ibrahimit (Bimit), u lind në Ulqin në vitin 1960. Shkollën fillore dhe të mesmen (gjimnazin) e kreu në Ulqin në vitin 1978. Diplomoi pranë Fakultetit Ekonomik në Sarajevë në vitin 1982, me sukses të lartë. Punësimin e parë e ka patur në Ulqin në Ndërmarrjen Ndërtimore “Primorje”, ku ishte i inkuadruar deri në vitin 1986.
Po këtë vit, u zgjodh kryetar i Rinisë Socialiste të Komunës së Ulqinit, si edhe anëtar i kryesisë së Rinisë Socialiste të Malit të Zi. Në prill të vitit 1989, pas ngjarjeve të janarit, u zgjodh anëtar i kryesisë së Komitetit Komunal të Lidhjes Komuniste të Ulqinit.
Xhavidi, një ndër të parët nga intelektualët e Komunës së Ulqinit, e vuri re drejtimin e gabuar që po merrte Lidhja Komuniste e Malit të Zi, duke rënë nën ndikimin e politikës nacionaliste serbomadhe. Pas një konflikti mes tij dhe kryetarit të atëhershëm të Komunës së Ulqinit, pasi i parashtroi atij gabimet evidente të kohës dhe nuk gjeti mirëkuptim, në fund tetor të vitit 1989 gjatë vizitës së tij në Beograd në Kongresin e Rinisë të Jugosllavisë, shkon në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aplikon për vizë të cilën ia japin dhe po atë ditë niset për në Shtetet e Bashkuara.
Pas vështirësive të para, Xhavidi u gjet shumë mirë në Shtetet e Bashkuara. U martua dhe i linden dy fëmijë – Anani dhe Enesa. Xhavidi aktualisht punon në një ndër bankat më të mëdha të Nju Jorkut, dhe është shefi i repartit për kreditime në Indi dhe Brazil. Te dy fëmijët e tij diplomuan pranë universiteteve më prestigjoze të Nju Jorkut me suksese te larta. Djali diplomoi pranë Fakultetit Juridik dhe punon si avokat; vajza diplomoi pranë Fakultetit Ekonomik dhe është e punësuar në një ndërmarrje tregtare.
Me largimin e Xhavidit, Ulqini ka humbur nje intelektual të rrallë, njeri të sinqertë, shpirtbardhë dhe përparimtar. Xhavidi kur ka kohë të lirë vjen në Ulqin. Është i lidhur me vendlindje, është plot ide dhe sygjerime, por në këtë vend nuk ka kush që e dëgjon. Ai me largimin e tij mesiguri që ka fituar shumë, sidomos në edukimin edhe arsimimin e familjes, por më shumë seç ka fituar ai, kemi humbur ne.
Jakup Murati
Mërgimtarët nuk e harrojnë kurrë vendlindjen
Se me rëndësi është kujdesi i diasporës për Ulqinin dhe ulqinakët, tregon edhe fakti që në vitin 2004 nëpërmjet Jakup Muratit, avokat nga Ulqini, përndryshe specialist për kontratat ndërkombëtare, kanë dërguar 3.700,00 dollarë amerikanë për rregullimin e Maternitetit në Ulqin, të cilat i janë dhënë Dr. Gani Karamangës, si drejtor të Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin.
Donacioni ishte nga Mujo Murati me shokët e tij në SHBA.
(Gani Karamanaga: njëri nga ata ishte edhe Xhavid Kahari).
Mendoj se ky nuk është i vetmi rast kontributi. Sipas dijenisë sime, Ulqinit dhe ulqinakëve u bëhen shumë donacione nga diaspora nga e gjithë bota, të cilat ulqinakët nuk u harrojnë, kështu që të gjitha të hollat janë harxhuar sipas dëshirës së diasporës.
Ulqinakët kurrë nuk i kanë keqpërdorur dhe kurrë nuk do t’i keqpërdorin donacionet që vijnë nga diaspora…
Disa fragmente nga refleksionet e Xhavid Kaharit
Nuk e kuptoj se pse i largoni fëmijët tuaj nga vendlindja, që diturinë akademike falas t’ua japin shteteve tjera shumë më të pasura se Mali i Zi? Pse kryeministër (i mëparshëm) Krivokapiq e keni kishën para fakultetit? Pse e keni më të rëndësishme ndërtimin e kishave? Më mirë ndërtoni spitale. Pse ju si shkencëtar e anashkaloni shkencën? Në vend që të potenconi vaksinimin, keni bërë që Mali i Zi të jetë momentalisht shteti me vaksinim të ulët…
Zotëri Dritan Abazoviq, në krahasin me kohën kur unë isha në politikë, në krahasim me ato kohëra të vështira, ka rëndësi të posaçme që kanë lejuar që një shqiptar të udhëheqë Qeverinë e Malit të Zi.
Të gjitë ne shqiptarët për këtë gjë jemi krenarë….
Situata aktuale është alarmante
Në Mal të Zi gjendja ekonomike është e vështirë. Çdo mosmarrëveshje politike, ngadalësimi i vendimeve, lojërat dhe kalkulimet, qytetarët tanë i çojnë në gjendje të vështirë. A e dini se në varësi të numrit të popullatës, jeni në borxhe të mëdha. Borxhi shtetëror është i madh dhe joproporcional në krahasim me të ardhurat dhe financat shtetërore. Opsionet për ndaljen e inflacionit tek ju janë shumë të vogla, çmimet e energjisë janë të pasigurta, prodhimi i shtetit është i vogël dhe në ulje.
Edhe shëndetësia është në krizë, kuadrot në shëndetësi janë duke ikur jashtë vendit…
Papunësia e kuadrove me shkollim të lartë është në rritje dhe largimi i këtyre kuadrove është alarmant. Edhe nataliteti është në rënie, dhe presioni në fondet e pensionimit është për çdo ditë më i madh.
Politikanë të nderuar, nuk mundet mossuksesi juaj të arsyetohet me punën e atyre para jush…
Në fund
Xhavid Kahari shprehet:
“Fëmijët e mi të lindur në Amerikë, pa paragjykime dhe ngarkesa, në kushtet reale dhe normale do të ktheheshin në Mal të Zi…”.
(Nga libri në dorëshkrim “Mërgimtar”)