Gjuha shqipe është identiteti ynë

Ka pasur, ka dhe do të ketë debate për mënyrën e formimit të gjuhës letrare, nëse ai (Kongresi i Drejtshkrimit) ishte një vendim politik, nëse vendimi për bazën e standardit të gjuhës shqipe ishte i diktuar nga faktorë jashtëgjuhësorë etj. Por askush nuk mund të kundërshtojë (kontestojë) nevojën e një gjuhe letrare të njësuar për të gjithë shqiptarët në territoret e tyre historike dhe në diasporë

Ismet Kallaba

Gjuha është mjeti kryesor i komunikimit dhe elementi përcaktues i identitetit të një kombi. Ajo është shenja dalluese që na veçon nga të tjerët, na bën të ndjehemi krenarë për përkatësinë tonë kombëtare, na bën të jemi krenarë se jemi shqiptarë. Kudo që të shkojmë e bartim me vete këtë pjesë të trashëgimisë sonë. Gjuha amtare është ajo që nuk e përcaktojmë ne, sepse atë e marrim me gjirin e nënës.
Gjuha shqipe ka mbajtur gjallë frymën e shqiptarizmës në këto treva, përkundër faktit se mbi 140 vite janë shkëputur administrativisht prej trungut shqiptar. Ashtu siç duhet pranuar se shumë të tjerë janë asimiluar tashmë, pikërisht sepse e kanë humbur gjuhën dhe nuk flasin më shqip.
Ndonëse të paktë në numër, shqiptarët që sot jetojnë në Malin e Zi, janë një gurrë e pashtershme e pasurisë gjuhësore, folklorike, frazeologjike etj. Pothuajse çdo trevë shqiptare ka të folmen e vet, që karakterizohet me veçoritë e saj. Kështu dallojmë të folmen e Ulqinit, të Anës së Malit, të Krajës etj.
Ky vit shënon 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku edhe ne shqiptarët në Malin e Zi, patëm delegatin tonë, mësuesin e përkushtuar të gjuhës shqipe. dr. Ismail Doda, atëherë drejtor i shkollës “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros të Krajës. Ka pasur, ka dhe do të ketë debate për mënyrën e formimit të gjuhës letrare, nëse ai (Kongresi i Drejtshkrimit) ishte një vendim politik, nëse vendimi për bazën e standardit të gjuhës shqipe ishte i diktuar nga faktorë jashtëgjuhësore etj. Por askush nuk mund të kundërshtojë (kontestojë) nevojën e një gjuhe letrare të njësuar për të gjithë shqiptarët në territoret e tyre historike dhe në diasporë. (A e keni pyetur veten ndonjëherë?) Çfarë do të ndodhte po të mos kishim një gjuhë letrare të njësuar? Çfarë do të ndodhte sikur fillimet e viteve ’90 të shekullit të kaluar t’i gjenin shqiptarët pa një gjuhë letrare kombëtare? Prandaj gjuha standarde mund të thuhet me plot gojë se ka qenë një faktor përbashkues për shqiptarët kudo ku ata jetojnë, duke nxitur dhe paraprirë proceset e ardhshme politike që do të ndodhin në fund të shekullit të kaluar dhe fillim të këtij shekulli, ashtu siç Kongresi i Alfabetit i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ka një keqkuptim në raportin e gjuhës letrare me dialektet dhe të folmet e gjuhës shqipe. Ky keqkuptim lidhet me ngatërrimin e ligjërimit bisedor apo joformal, që përdoret në shtëpi, në rrethin familjar etj., dhe ligjërimit formal, d.m.th. ligjërimi që përdoret në veprimtarinë zyrtare administrative e politike, në veprimtarinë arsimore, në shtypin publicistik e shkencor. Gjuha letrare kombëtare nuk na pengon ne për të përdorur variantin e të folmes nga vijmë në bisedë me shokët e miqtë, në raste gëzimesh e hidhërimesh, në këngët me të cilat jemi rritur, në kallëzimet e gazmoret popullore etj


Ka një keqkuptim në raportin e gjuhës letrare me dialektet dhe të folmet e gjuhës shqipe. Ky keqkuptim lidhet me ngatërrimin e ligjërimit bisedor apo joformal, që përdoret në shtëpi, në rrethin familjar etj., dhe ligjërimit formal, d.m.th. ligjërimi që përdoret në veprimtarinë zyrtare administrative e politike, në veprimtarinë arsimore, në shtypin publicistik e shkencor. Gjuha letrare kombëtare nuk na pengon ne për të përdorur variantin e të folmes nga vijmë në bisedë me shokët e miqtë, në raste gëzimesh e hidhërimesh, në këngët me të cilat jemi rritur, në kallëzimet e gazmoret popullore etj.
Dua të citoj me këtë rast Akademikun Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe njëri ndër shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë shqiptarë, i cili në konferencën jubilare të organizuar në Tiranë në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, në fjalën përshëndetëse ka theksuar:
“Sot, duke qenë shkrimtar që i përkulet gjuhës shqipe si më të madhes vlerë që kemi, ju them pa asnjë mëdyshje se gjuha letrare shqipe nuk më ka zhgënjyer asnjëherë, as me kuptimet e bartura të fjalëve, as me të kryerën e tejshkuar ose me paskajoren e foljeve dhe as me hijeshinë sintaksore që marrin fjalitë e bashkërenditura ose nënrenditura në një frazë shumëkuptimore.
I lexoj dhe i shijoj po me aq ëndje Mjedën dhe Fishtën, Naimin dhe Çajupin, Koliqin dhe Kutelin.

Ne ia kemi borxh për ta ruajtur gjuhën shqipe Buzukut, atyre që e lëvruan gjuhën tonë nën shembullin e tij dhe të gjithë atyre që e mbrojtën dhe u dënuan për gjuhën shqipe nga pushteti malazias dhe ish-jugosllav, sepse gjuha shqipe është identitetit ynë


Gjuha letrare shqipe u ka shërbyer mrekullisht të gjithë shkrimtarëve të mirë, më pak u ka shërbyer shkrimtarëve mesatarë dhe pak ose aspak u ka shërbyer shkrimtarëve të pazot, të cilët edhe sot vazhdojnë ta fajësojnë gjuhën letrare për dështimet eventuale në fushë të krijimtarisë dhe të dijes. Skepticizmi i tyre nuk ka të bëjë me mundësitë e gjuhës, por me mungesat e tyre në fushën e dijes dhe të njohjes.”
Gjuha është, para së gjithash, dashuri. Niveli i përdorimit të gjuhës shqipe varet nga vetë ne (përdoruesit e saj). Mënyra se si dikush e flet apo e shkruan gjuhën shqipe të njësuar flet për formimin e tij.
Ka shumë faktorë që ndikojnë në përvetësimin e gjuhës shqipe letrare, por do të veçoj dy prej tyre që për mua kanë rol parësor (thelbësor): librat e mirë dhe mësuesit e mirë. Sipas meje, mësuesi duhet të jetë i pajisur të paktën me dy gjëra: dijen dhe pasionin apo dashurinë për gjuhën. Nëse nuk e ka asnjërën, atëherë ka gabuar profesionin.
Të gjithë ata që kanë marrë detyrën të mësojnë fëmijët, duhet ta dinë se kanë marrë përsipër një detyrë të shenjtë, por edhe përgjegjësi të madhe. Nuk ka faj më të madh nëse nuk i mësoni fëmijët siç duhet e aq më keq nëse ua mësoni gabim gjuhën shqipe. Dëgjoj nganjëherë mendimin e gabuar sikur gjuha shqipe është përgjegjësi vetëm e gjuhëtarëve dhe e mësimdhënësve të gjuhës shqipe. Jo, ajo është përgjegjësi e të gjithë neve. Mësuesit, pavarësisht se i cilës lëndë është, nuk i falet të bëjë gabime drejtshkrimore (gjuhësore). A ka më absurd se kur themi që dimë gjuhë të huaja dhe nuk e përdorim siç duhet gjuhën shqipe?
Kam pasur fatin që të kem mësues të mirë të gjuhës shqipe: në shkollën fillore mësimdhënësen Syme Kokaj, në shkollën e mesme Hava Pereziqin dhe në fakultet profesorin Gjovalin Shkurtaj, të cilët kanë ngjizur tek unë dashurinë për gjuhën. Në këtë kontekst, secili (prej jush që jeni të pranishëm këtu sonte) ka përvojën e vet, të mirë ose të keqe, të mësimit të gjuhës shqipe në shkollë.
Jetojmë në kohën e rënies së kulturës gjuhësore, gjë që vërehet më së miri në përdorimin e gjuhës shqipe sot. Ka një varg faktorësh që kanë ndikuar në këtë, që nga globalizimi, interneti dhe përdorimi i teknologjive të reja të informacionit, që imponojnë një gjuhë tjetër. Por ajo që varet nga ne e që për mua është ndër kryesoret, është kujdesi dhe përgjegjësia, gjegjësisht moskujdesi dhe papërgjegjësia në përdorimin e gjuhës shqipe. Aq sa na e kanë përdhosur të tjerët (pushtuesit) gjuhën tonë, jo më pak e kemi përdhosur edhe vetë me përdorimin vend e pa vend të fjalëve të huaja, fjalëformimeve që e kanë rrënjën në një fjalë të huaj etj. Për të qenë vetëkritik, pasi që i përkas fushës së medias, lexojmë dhe dëgjojmë në median shqiptare fjalë të huaja për të cilat kemi fjalët shqipe plotësisht të përshtatshme. Kjo është e pafalshme. Të mos flas për komentet në mediat online dhe rrjetet sociale, që tregojnë sa poshtë ka rënë kultura gjuhësore e folësve të gjuhës shqipe.
Krahas problemeve që janë të përgjithshme (të ngjashme) për të gjithë folësit e gjuhës shqipe letrare, shqiptarët në Malin e Zi kanë edhe probleme të tjera që lidhen me të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe nivelin e përdorimit të saj. Është e vetëkuptueshme që ne, shqiptarët në Malin e Zi, e kemi më të vështirë, sepse jemi nën trysninë e gjuhës zyrtare (malazeze). Përkundër kësaj, kjo nuk na ndalon të përdorim drejt dhe si duhet gjuhën shqipe letrare. Prandaj le të shërbejë edhe kjo veprimtari si thirrje për institucionet shtetërore dhe vendore për rritjen e shkallës së përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj në përputhje me rregullat e gjuhës letrare shqipe.
Ne ia kemi borxh për ta ruajtur gjuhën shqipe Buzukut, atyre që e lëvruan gjuhën tonë nën shembullin e tij dhe të gjithë atyre që e mbrojtën dhe u dënuan për gjuhën shqipe nga pushteti malazias dhe ish-jugosllav, sepse gjuha shqipe është identitetit ynë.
Në fund, duke falënderuar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që i është përgjigjur ftesës sonë për të organizuar bashkërisht këtë veprimtari, duke pasur parasysh faktin se shqiptarët në Malin e Zi janë pak në numër dhe nuk kanë institucione kërkimore-shkencore e kulturore të veta në nivel shtetëror, ju kujtoj se duhet t’i ktheni pak më tepër sytë ndaj nesh, si pjesë e obligimit institucional, por para së gjithash kombëtar dhe moral.
(Fjala e hapjes në veprimtarinë jubilare shkencore “Një komb – një gjuhë letrare” për nder të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë në Ulqin, më 3 dhjetor 2022)

Të fundit

më të lexuarat