Shkolla Shqipe “Mëso shqip”, arritja jonë më e madhe

Koha Javore: Z. Kanaqi kur jeni zgjedhur kryetar i Shoqatës “Kraja” në Nju Jork? Çka mund të na thoni për Shoqatën “Kraja”, strukturën e saj, organizimin në Nju Jork dhe në Krajë?
Sami Kanaqi:
Jam zgjedhur kryetar i Shoqatës ”Kraja” në janar të vitit 2022 në mbledhjen e përgjithshme me anëtarësi të gjërë të shoqatës këtu në Nju Jork.
Për Shoqatën “Kraja” mund të them se është një shoqatë që ekziston gati plot 30 vite. Misioni dhe qëllimi i kësaj organizate është që sado pak të ruajmë dhe të trashëgojmë vlerat tona kombëtare, traditën tonë, pse jo dhe të shpalosim edhe ide të reja ku me përpjekjet tona të ndihmojmë sado pak mirëqenien ekonomike, arsimore e kulturore të popullatës që jeton në vendlindje, pse jo edhe këtu në diasporë.
Është priveligj që jam njëri ndër kryetarët e kësaj shoqate dhe është kënaqësi e veçantë për mua të jam në ballë të saj. Në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi, por në bashkëpunim me udhëheqësinë e shoqatës dhe anëtarët e saj, shpresoj se do ia dalim dhe do t’i realizojmë synimet tona deri në fund për aq sa na lejojnë mundësitë tona.
Me zgjedhjen e kryetarit te ri edhe struktura e shoqatës ka ndryshuar, pra në shoqatë veprojnë individë të rinj, breza të rinj me përgatitje të ndryshme profesionale.
Kështu, fjala bie, krahas meje nënkryetarë janë Venera Gjenashi, mësuese dhe Musa Luka, afarist i suksesshëm. Pastaj sekretar kemi z. Fatmir Kollarin, me profesion ekspert ligjor në kibernetikë, Florim Hardolli është arkëtar, me profesion ekonomist, e kështu me radhë.
Organizimi i shoqatës si në diasporë, ashtu edhe në vendlindje është në nivelin e duhur. Mirëkuptohemi dhe bashkëpunojmë ngusht mes veti.

Koha Javore: Me sa kemi dijeni, Shoqata “Kraja “ në Nju Jork është themeluar para shumë vitësh. Para ardhjes tuaj në krye të saj ka patur aktivitete të larmishme. A mund t’i veçoni aktivitetet në kontinuitet të cilat kanë lënë gjurmë në punën e shoqatës ndër vite?
Sami Kanaqi:
Në janar të vitit që vjen Shoqata “Kraja” do të festojë 30-vjetorin e themelimit. Gjatë këtyre viteve është punuar shumë në disa drejtime ku fokusi ka qenë gjithmonë të jemi afër vendlindjes duke ndihmuar në mënyra e forma të ndryshme me aq sa shoqata ka pasur mundësi.
Duhet theksuar se janë ndihmuar me vite studentët tanë duke u mundësuar bursa për studime, organizime të manifestimeve kulturore gjithëpopullore dhe pikniqeve, përmirësimi i infrastrukturës ekonomike, ndihmesë arsimit dhe sportit, ndihma përsonale për individë këtu në Amerikë dhe në vendlindje, shkolla e vallëzimit etj. Të gjitha këto aktivitete janë bërë dhe janë dokumentuar nga kryetarët, parardhësit e mi të cilët kanë punuar me përkushtim dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në aktivitetin e shoqatës.

Koha Javore: Zgjidhja Juaj në krye të shoqatës në diasporë dhe në Krajë është pritur mirë nga opinioni. Besimin që keni fituar nga baza sigurisht po shihet dhe e keni arsyetuar me punë dhe vepra. A mund të na thoni diçka për aktivitetin e shoqatës për vitin që po lemë pas, dhe çfarë aktivitetesh keni paraparë për vitin e ardhshëm?
Sami Kanaqi:
Besimin që kam fituar do të bëj përpjekje maksimale ta arsyetoj me punë dhe me organizim. Gjatë kësaj kohe që jam në detyrë së bashku me anëtarësinë mendoj se kemi punuar mirë, kemi bërë vepra të mira duke i shërbyer gjithmonë më besnikëri dhe dinjitet jo vetëm komunitetit tim kranjan, por edhe mbarë komunitetit shqiptar. Bëjmë përpjekje të ideojmë dhe të realizojmë projekte në fusha të ndryshme qoftë për vendlindjen, por pa harruar dhe aktivitetet këtu në diasporë.
Projekti që bëri bujë është rihapja e Shkollës Shqipe e cila u bë në prill të këtij vitit e cila është mirëpritur shumë mirë. Shkolla Shqipe “Mëso shqip” vazhdon punën me sukses dhe po arrinë rezultate që nuk janë parë ndonjëherë këtu në Amerikë. Me këtë projekt ne patjetër se duhet të jemi krenarë nga vetë fakti se numri i nxënësve sa vjen duke u shtuar dita-ditës. Organizimi i turneut memorial në futboll të vogël në përkujtim të kapitenit legjendar të Krajës Xhafer Cukës më 15 maj 2022, padyshim se është një ngjarje e veçantë sportive për të gjithë ne këtu në diasporë dhe në vendlindje. Organizojmë natën kubane për rimbursim të buxhetit, ku fondet e fitura shkojnë për fondin e shoqatës në realizimin e projekteve të ardhshme, organizojmë piknikun vjetor në diasporë, organizojë iftarin ku të ardhurat e mbledhura shkojnë për bursa të studentëve në Krajë. Shoqata jonë është njëra ndër sponsorët në paradën/parakalimin shqiptar, organizojmë manifestimin me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, etj. Sa u përket projekteve në vendlindje që kemi realizuar do veçoja ndihmat finaciare në organizimin e shëtitjes disa ditore të nxënësve të klasës së tetë dhe nëntë në Shqipëri, finansojmë Ligën e Futbollit në Krajë, ndamë 16 kompjuterë shkollës fillore në Ostros, dhamë fonde për perkrahjen e programeve në gjuhën shqipe, bursa për 19 studentë nga Kraja me vlerë 16.500 dollarë. Pastaj shoqata mundësoi dhe financoi rihapjen e furrës së bukës në Ostros e cila rinisi punën më 1 dhjetor, organizuam pikniqe dhe mbrëmje kulturore gjithëpopullore në verën që lamë pas, etj. Edhe në të ardhmën parashikojmë projekte të reja ku njëra ndër to është pjesëmarrja e nxënësve të shkollës tonë jashtë, pra në Nju Jork në festivalet e radhës, kremtimin e 30-vjetorit të themelimit të shoqatës, etj.

Koha Javore: Opinioni shqiptar në Mal të Zi me vëmendje i përcjellë edhe aktivitetet tuaja rreth çështjes së shqiptarëve/zgjidhjes së çështjes së shqiptarëve në trojet strërgjyshore në Malin e Zi. Si është bashkëpunimi i Shoqatës “Kraja” me subjektet politike shqiptare në Mal të Zi?
Sami Kanaqi:
Bashkëpunimi i shoqatës me subjektet kombëtare shqiptare ka qenë gjithmonë në nivelin e duhur. Shpresoj që bashkëpunimi të vazhdojë në të njëjtin ritëm. Këmi mirëkuptim mes veti dhe merremi vesh për shumë çështje në mënyrë që ne të jemi sa më afër vendlindjes, që ta ndihmojë atë me aq mundësi sa kemi. Mua më vjen keq që strukturat e subjekteve nacionale në Krajë nuk janë në funksion që do duhej të ishin. Më parë Dega e Lidhjes Demokratike ka qenë bartëse e shumë aktiviteteve në Krajë. Kam dëgjuar se ajo nuk funksionon tash sa vjet. Kjo aspak nuk shkon në drejtimin e duhur të zgjidhjes së çështjes tone në vendlindje. Ne pa rezervë përkrahim subjektet nacionale shqiptare në Malin e Zi. Përfaqësuesit e tyre janë përfaqësues autentikë të shqiptarëve. Po shtoj me këtë rast bashkëpunimin me LD në MZ me rastin e shënimit të manifestimit të 28 Nëntorit në Ostros që u organizua këtë vit, ku Shoqata “Kraja” bashkë me Lidhjen Demokratike në Mal të Zi organizuam këtë festë kombëtare dhe ndihmuan njëra-tjetrën ashtu siç na ka hije. Edhe në të ardhmën shpresoj se do jemi afër dhe do bashkëpunojmë ngusht me njëra-tjetrën.

Koha Javore: Cilat janë planet afatgjata të shoqatës? Cilat projekte i keni prioritare në diasporë dhe në vendlindje?
Sami Kanaqi:
Siç theksova më lart, ne do vazhdojmë me projekte dhe plane të reja. Pas Vitit të Ri do kemi mledhjen e radhës dhe do të shqyrtojmë më detajisht planet për vitin 2023. Në fokus është dhe do të jetë financimi dhe vijueshmëria e punës së Shkolles Shqipe “Mëso shqip”, shënimi i 30-vjetorit të Shoqatës “Kraja”, turneu në basketboll, ku do marrin pjesë shqiptarët nga të gjitha trojet shqiptare, pikniku vjetor, projektet për vendlindjen që në të ardhmën e afërt do të bëhen publike për opinionin e gjerë.

Koha Javore: Si është bashkëpunimi me shoqatat e tjera simotra që veprojnë në Nju Jork/Amerikë?
Sami Kanaqi:
Bashkëpunimi me shoqatat e tjera është shumë i mirë dhe frytdhënës. Dëshmi e gjallë është rihapja e Shkollës Shqipe “Mëso shqip” ku u bëmë tok tri shoqata: “ Ana e Malit”, Ulqini” , “Kraja” dhe bëmë gjënë më të bukur dhe me shumë vlerë siç është Shkolla Shqipe “Mëso shqip”. Po ashtu në bashkëpunim më këto shoqata para disa ditësh organizuam dhe eventin me rastin e 28 Nëntorit, ku ishte një natë magjike.
Edhe më tutje do vazhdojmë të bashkëpunojmë si tri motra, ashtu siç na ka hije dhe do bëjmë gjëra edhe më të bukura se bashku. Bashkëpunim kemi edhe me shoqatat e tjera shqiptare që veprojnë këtu në Amerikë.

Koha Javore: Shkolla Shqipe “Mëso Shqip” është sukses i madh i tri shoqatave atje. Si arrini të financoni këtë program?
Sami Knaqi:
Financimi i Shkollës Shqipe “Mëso shqip” bëhët duke iu falënderuar fondeve të tri shoqatave si dhe prindërve që çojnë fëmijët në shkollë, pa harruar dhe donatorët tanë që na gjenden çdo herë pranë kur bëhet fjalë për financim, dhe jo vetëm. Me këtë rast dua t’i falëndroj të gjithë ata që po kontribuojnë në mënyrë të vazhdushme që kjo shkollë të funksionojë pa pengesa dhe me sukses.

Koha Javore: Uroj që puna t’u vejë mbarë dhe Ju përgëzoj për veprimtaritë e larmishme që shoqata ka bërë ndër vite. Në të njëtën kohë shfytëzojmë rastin që Ju personalisht, dhe përmes jush të gjithë mërgimtarëve t’ua urojmë Vitin e Ri 2023!
Sami Kanaqi:
Faleminderit Ju për këtë intervistë të këndshme dhe që ndiqni nga afër aktivitet e shoqatës. Urojmë përmes jush festat e fundvitit redaksisë, lexuesve të Kohës Javore dhe gjithë bashkëkombësve në vendlindje dhe diaporë. Gëzuar për shumë vjet!

Intervistoi: Ali Gjeçbritaj

Të fundit

më të lexuarat