Dhuna si dukuri patriarkale e shoqërisë shqiptare

Këto skena prekëse të cilat nuk do të duhej të ndodhnin në asnjë shoqëri, janë të papranueshme, e aq më tepër nëse ato kryehen nga njerëz të arsimuar dhe me pozita zyrtare në shoqëri, siç ishte rasti i kësaj infermiere e cila jo vetëm që njollos veten, profesionin që ushtron dhe institucionin që përfaqëson, por edhe pjesëtarët e tjerë të të njëjtit profesion

Toni Ujkaj

Të mërkurën e kaluar, më 2 nëntor 2022, pothuajse në të gjitha mediat shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri u bë kryelajm një rast dhunimi fizik i trishtë, i cili tronditi opinionin mbarëshqiptarë. Në një video që qarkullonte në rrjetet sociale dhe në mediat online, dukej një punonjëse e cila e rreh (dhunon) një zonjë të moshuar. Për më keq, kjo dhunuese mbante uniformën e infermieres.
Në video dukej qartë infermierja e re në moshë, e cila teksa po godiste me shuplakë në faqe dhe gjunj në bark të moshuarën e strehuar në Qendrën Strehimore në qytetin e Pejës, dikush nga afër e filmonte atë, me shumë gjasa kolegë/e të saj të cilët/at përveçëse nuk e ndalonin dhunuesen për veprimin e turpshëm dhe barbar që po kryente, ata dëgjoheshin duke u zgërdhirë e përqeshur viktimën.
Shtrohet pyetja se si ka mundësi që sot në shekullin 21 të ekzistojnë raste të tilla dhune të cilat nuk ngjasojnë në veprime të qenieve as shtazarake, e lëre më njerëzore?! Raste të tilla të kujtojnë një shoqëri patriarkale me një primitivizëm të skajshëm, e cila të duket si një shoqëri tërësisht e pazhvilluar, e prapambetur me një mendësi si mos më keq.
Këto skena prekëse të cilat nuk do të duhej të ndodhnin në asnjë shoqëri, janë të papranueshme, e aq më tepër nëse ato kryehen nga njerëz të arsimuar dhe me pozita zyrtare në shoqëri, siç ishte rasti i kësaj infermiere e cila jo vetëm që njollos veten, profesionin që ushtron dhe institucionin që përfaqëson, por edhe pjesëtarët e tjerë të të njëjtit profesion.
Çfarë këtë rast e bëri edhe më të rëndë ishte ajo që në media u tha se e dhunuara (e moshës së thyer), ishte nëna e një dëshmori të rënë në krye të detyrës gjatë luftës së Kosovës së vitit 1999.
Raste të tilla por edhe fenomene të tjera të këqija, që fatkeqësisht janë të pranishme në shoqërinë shqiptare, përkeqësojnë dukshëm imazhin e kësaj shoqërie edhe ashtu jo fortë të mirë, për shkak të shumë dukurive të tjera që ende nuk janë çrrënjosur.
Prandaj ajo që do të na gëzonte më së shumti është që raste të tilla të dënohen maksimalisht nga institucionet e drejtësisë, sepse dhuna sipas Kodit Penal, përbën vepër penale.
Në lidhje me dukuri të tilla, të gjithë do të duhej ta jepnin kontributin e tyre, si institucionet qeveritare, shoqëria civile, mediat, etj, që t’i kushtojnë më shumë vëmendje dhe rëndësi parandalimit të dhunës në familje dhe në shoqëri nëpërmjet aktiviteteve dhe fushatave të ndryshme ndërgjegjësuese të cilat do të edukonin masën për të qenë të denjë në shoqëri.
Përveç kësaj, padyshim që është e pashmangshme dhe jetike edukata në familje dhe në institucionet edukativo-arsimore, që fëmijët, më vonë të rritur të mos devijojnë nga emancipimi i përgjjthshëm dhe tiparet më të mira për ta personifikuar një shoqëri që do të shërbente si model i kulturës dhe civilizimit. Përndryshe, do të na njolloset dhe zbehet imazhi përherë e më tepër në qoftë se dukuri të tilla shpeshtohen.
Urojmë që raste të tilla të mos përsëritën më dhe që dhunues/e të tillë/a të kemi çdo ditë e më pak në shoqëri, me shpresë që ky rast do të zgjojë vetëdijën te secili individ, se ne si shoqëri dhe qenie njerëzore duhet të ndihmojmë, të kontribuojmë në mënyrën më të civilizuar të mundshme kurndrejt njëri-tjetrit, e jo ta dëmtojmë njëri-tjetrin duke e dhunuar e keqtrajtuar nëpërmjet formave të ndryshme çnjerëzore!
Ky rast shtron pikëpyetjen se sa të sigurt janë të moshuarit nëpër këto institucione të cilat përveç strehimit, do të duhej t’u ofronin atyre edhe mirëqenien sociale në të gjitha aspektet.

Të fundit

më të lexuarat