Vazhdon tradita e prodhimit të mjaltit në Malësi

Bletaria është një zanat i hershëm, zanafilla e së cilës daton që prej shumë shekujsh, duke vazhduar deri në ditët e sotme, e trashëguar brez pas brezi. Bletaria është një disiplinë që merret me rritjen dhe kultivimin e kolonive të bletëve të mjaltit, zakonisht në koshere të punuara nga njerëzit (bletarët).
Nëse i referohemi periudhës kohore se kur ka filluar ky zanat të zgjojë interesim tek familjet në trevën e Malësisë, atëherë duhet potencuar se popullata këtu ka një traditë relativisht të gjatë në bletari, prej afro një shekulli edhe pse atëherë me kushte më primitive të punës dhe më pak e zhvilluar, krahasuar me sot që ka një avancim të theksuar të mjeteve dhe tekonologjisë.
Ky zanat në trevën e Malësisë nuk është lënë pas dore thuajse asnjëherë, sepse nga viti në vit kjo trevë ka pasur dhe vazhdon të ketë bletarë të mëdhënj dhe të dalluar.
Sot bletaria në vend është e zhvilluar dhe prodhimtaria e mjaltit nga kjo trevë është e cilësisë së lartë.
Ndër bletarët e shumtë të kësaj treve është edhe Kolë Ujkaj, i cili këtë zanat po e ushtron plot pesëmbëdhjetë vite. Ai në një bisedë për gezetën “Koha Javore” rrëfen për pasionin dhe veprimtarinë e tij disavjeçare në këtë lëmi.
Pasionin për bletarinë ai e trashëgoi nga të parët e tij, sepse siç thekson, me këtë zanat i është marrë babai, gjyshi dhe katërgjyshi.
I pyetur për vështirësitë eventuale që mund të has një bletar teksa vendos t’i hyj këtij zanati, Ujkaj thotë se kur njeriu ka vullnet dhe pasion për një punë, vështirësitë pothuajse mposhten tërësisht.
Bletari i ri nga mosha, por jo edhe nga përvoja, tregon se vitin e parë kishte katër-pesë koshere, për të arritur që sot pas pesëmbëdhjetë vitesh, të numërojë mbi gjashtëdhjetë të tilla.
Bletaria sikurse çdo zanat apo profesion tjetër, padyshim se përveç praktikës kërkon edhe njohuri teorike të cilat Ujkaj i zotëron falë literaturës që ai e shfleton nga dita në ditë, për të qenë bletar i cili do ta njohë më mirë këtë disiplinë.
“Bletaria duke qenë se është një degë specifike, kërkon punë të vazhdueshme, mund dhe përkushtim të veçantë. Po ashtu, për të qenë bletar i suksesshëm nevojitet angazhim i parezervë”, shprehet Ujkaj.
Ai tregon se bletaria kërkon përkushtim të shtuar, veçanërisht gjatë sezonit kur edhe nxirret mjalti për t’u konsumuar – shitur. Ujkaj thotë se për t’u marrë me këtë zanat kërkohen kushtet e duhura, mjetet e punës, kosheret, toka e përshtatshme ku të vendosën bletët, mjetet financiare, etj.
“Gjithashtu, rëndësi kanë edhe kushtet klimatike dhe natyra ku bletët do të mund të kullosnin, ta mbledhin nektarin për të prodhuar më vonë mjaltin. Fjala vjen, këtë vit në zonat fushore të Malësisë nuk ka pasur jetë për bletët, ndërsa në zonat malore ka qenë jetë e frytshme dhe e shëndetshme”, thotë Ujkaj.
Ai rrëfen se për ta ushtruar këtë zanat dhe për të qenë jetëgjatë si bletar, duhen edhe mjete financiare të konsiderushme, sidomos në këtë kohë të inflacionit të përgjithshëm ku çdo gjë është shtrejtuar, e rrjedhimisht edhe blerjet për bletarinë.
I pyetur se cili është sekreti i punës së një bletari në mënyrë që mjalti të dalë sa më cilësor, Ujkaj thotë se çelësi i cilësisë së mjaltit qëndron në korrektësinë që ka një bletar gjatë prodhimtarisë së tij.
“Që mjalti të dalë sa më natyral apo bio, nuk kërkohet asgjë më shumë se sa prodhuesi (bletari) të mos bëjë dinakëri (hile) gjatë prodhimit të mjaltit. Malësia fatmirësisht është një trevë e cila i ofron të gjitha mundësitë që mjalti të dalë natyral dhe pa hile. Prandaj e mira është që prodhimi të bëhet në mënyrën më korrekte të mundshme, pa e përzier me ndonjë produkt artificial që do ta dëmtonte cilësinë e mjaltit”, shprehet Ujkaj.
Nxjerrja e mjaltit bëhet me makineri të punuar enkas për këtë produkt, shton Ujkaj, ndërsa tregon se ky është një proces i cili kërkon durim dhe kujdes të veçantë.
“Kur është jeta e shëndetshme, një koshere bletë mund të prodhojë deri në dhjetë kilogramë mjaltë, por edhe më shumë”, shprehet ai.
Që bletët të kenë jetë të shëndetshme, bletari duhet përherë që kujdeset edhe për shëndetin e tyre, që të evitojë sëmundjet eventuale nga të cilat bletët mund të preken, apo të vdesin.
“Sëmundja më e përhapur tek bletët është ajo e “varroas”, ose siç njihet në gjuhën popullore, rriqrës. Pra, për t’i mbrojtur nga kjo sëmundje, bletët duhet trajtuar me ilaçe të posaçme të cilat eliminojnë këtë lloj insekti, dhe rrjedhimisht edhe shpëtimin e bletëve”, shprehet Ujkaj.
Për prodhimin e mjaltit, bletarët shfrytëzojnë dy periudha kohore përgjatë vitit, muajin qershor dhe gjithashtu edhe muajin shtator.
I pyetur nëse ka ndonjë lloj subvencionesh nga Ministria e Bujqësisë, Ujkaj thotë se mbështetje u ofrohet vetëm për të blerë ilaçet e nevojshme për mbrojtjen e bletëve nga sëmundjet.
“Mirëpo kjo ndihmë financiare modeste është e pamjaftueshme. E mira do të ishte që për çdo koshere të kemi subvencione nga Ministria e Bujqësisë, duke marrë parasysh se ky është një zanat që kërkon investim të konsiderueshëm financiar”, shprehet ai.
Në pyetjen tonë se a mund të jetohet nga bletaria dhe sa ka interesim nga të rinjtë që sot të merrem me këtë zanat, Ujkaj pohon se kur jeta i favorizon bletët, mund të jetohet nga ky zanat.
“Ndërsa kur është jeta e keqe, jo vetëm që nuk mund të flitet për profit, por një bletar pëson edhe deficit financiar. Kur më pyesni për interesimin e të rinjve për bletarinë, them se për fat të keq nuk ka interesim, dhe kjo sipas mendimit tim për faktin se nuk ka subvencione të mjaftueshme nga institucionet përkatëse për këtë degë agrare. Unë mendoj se sikur të ekzistonte një mbështetje më e madhe edhe interesimi do të ishte më i lartë, sepse në këtë mënyrë të rinjtë do të motivoheshin më shumë që të fillojnë të merren me bletari”, thekson Ujkaj.
Në fund të kësaj bisede, i pyetur nëse ka ndonjë vështirësi eventuale në shitjen e prodhimit të tij (mjaltit), ai thotë se i ka blerësit e tij të përhershëm dhe të sigurt të cilët ia blejnë atë, sado sasi që që ai mund të prodhojë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat