
Fjala e mbajtur para prindërve dhe qytetarëve ulqinakë nga Jahja Domnori
Jahja (Jaho) Domnori (1905-1989), “Mësues i Merituar”, drejtor i shkollës së parë shqipe në Ulqin në vitin 1941 si dhe inspektor i shtatë shkollave në fshatrat përreth Ulqinit. Ka shërbyer si mësues në shumë qytete të Shqipërisë: Shkodër, Dibër, Vlorë, Peshkopi dhe Durrës. Në vitet pas çlirimit ka drejtuar kurset për kualifikimin e mësuesve të rinj që i shërbyen hapjes së shkollave shqipe në shumë krahina të vendit, kryesisht në pjesën veriore. Krahas mësuesisë, ai shërbeu si administrator dhe ekonomist i shumë shkollave dhe konvikteve studentore kryesisht në internatin e Dibrës, Vlorës dhe Shkodrës.
Në vitin shkollor 1941-1942, Ministria e Arsimit e Shqipërisë, drejtuar nga ministri Ernest Koliqi, vendosi të dërgojë mësues nga Shqipëria edhe në Mal të Zi, ndërkohë qe edhe vet Ulqini i përkiste nënprefekturës së Shkodrës. Shkodrani, Jahja Domnori emërohet drejtor i Shkollës Fillore “Skanderbeg” të Ulqinit.
“Zotni të ndershëm dhe vllazën ulqinakë,
Ma parë ju kerkoj të falun që keni pasë mirësinë me marrë mundimin e me udhtue deri ktu. Arsyeja e mbledhjes së sotme s’asht tjetër vetëm se dishroj me pasë nji marrdhanie me ju me qëllim qi t’u apim edukatën e duhun fëmive tuaj.
Andrra qi keni pasë pame tash sa`kohë, sot u shfaq me atë gjuhë qi ju e ruejtet si prushi në gji. Sot po ju flet nji vlla i përzemërt i jueji. Më kujtohen fjalët e shkrimtarit Francez Builo i cili thotë : se nji popull qi ruen gjuhen e vet aj ka ruejt cilsin e rrugës së indipendencës. Por kjo gjuhë e ruejtun prej jush si drita e syve duhet punue, e këtë punë e ban shkolla.
Prandaj ma parë do t’ju flas për randesinë e shkolles e mandej do të flas marrdhanien qi ka shkolla me ju, për me rritë fëmitë si duhet.
Shkolla si dihet ka për qëllim të mbram me mësue e me zhvillue inteligen e fëmis. Ajo deshiron me perpunue përnjiheresh e armonikisht të gjitha vetitë shpirtnore të femis. E aj nuk asht vetëm nji shpirt, e as vetëm nji trup qi do t’i jepet edukata, por asht nji njeri.
Shkolla vegon me formue qenie të plotsueme d.m.th. burra e gra me trup të shëndoshë, me zemer trime, me vullnet të fortë, me nji shpirt të drejtë, por edhe njers që të jenë të zotët me mprojtë të drejtat e veta. Prandaj djelmve dhe varzave që do t’u bahet teslime edukata në doren e tyne, do të jenë feëmit t’u, fmi shqiptarësh të shekullit XX.
Shkolla perpiqet me pergaditë qytetarë e qytetare të rrespektueshem ndaj ligjeve, me dashtë tek s’ban atdheun e tyne e krejtë të gadshëm me ba çdo sakrificë për të.
Nji njeri qi s’ka dashtni për atdhe aj s’ka besimin e sigurtë. Për këtë arsye shkolla duhet me siguru vemendjen e të gjithë shpirtnave të njomë për nji qellim: Atdheu mbi të gjitha.
Shkolla e sotshme nuk do të japi njohuri të thata, por do të mundohet qi me anë të punve të vogla me j’a pergaditë të gjithë ata cilësi shpirtnore qi ka prirje fëmija.
Prej c’thame, se shkolla e jonë përgaditë përnjiheresh njeriun në kuptim të vërtetë të fjalës, qytetarin e mëtejshëm.
Shkolla e sotme jo vetem qi e mpron të drejtën fetare të sejcilit, por edhe i ep shkas zhvillim të perhapjes së çdo feje tue e lanë të lirë mësimin e ushtrimin.
Asht shume i gabueshëm në qoftë se ndokuj i përshkohet nëpër mend se shkolla shqiptare përbuz fetë. Kjo mund të jetë vetëm nji propagandë e flligt e atyne qi dishrojne me ju ba varrin ju.
Me hi e me folë se ç’randsi kanë fenat, unë nuk jam kompetent për këtë punë, por di t’ju them se nji njeri qi hjek shpresen (uzdajen) prej zotit aj nuk do të ketë shtyllë ku me u pshtet ose shkop ku me u mbajtë. Te tanë jeta do t’i shkonte si i mbytuni nëpër shkumë.
Por faktorët qi perbajnë shkollen janë fëmitë e mësuesit e si çdo mjeshter, për me e krye zanatin (mjeshtrinë) e tij i duhen veglat e brumi, ashtu edhe na, për me krye misionin e naltë t’tonin duhet te kemi brumin, qi janë fëmitë të formuem si duhet.
Ju bie si shembull nji zdukthatar, se sado veglat e mira me i pasë, kur brumi asht i keq nuk mund të krijojë nji gja të persosun.
Pra e para e punës na dona me pasë fëmitë të gatuem deri diku prej nanave ulqinake e mandej na me i vu në rrugë të mbarë.
Shkolla pra kërkon qi m’i vue fëmitë në marrdhanie me ju në kondita hygjenike siç e lypë nevoja trupore e shpirtnore e tyne.
Duhet ta dini se në pikëpamje të pastërtisë (temisllekut) fmija asht nji pasqyrë e nanës dhe e babës.
Prandaj puna e parë asht qi me anë të pastertise, fëmija munden me e pasë trupin e shëndoshë e asht e dijtun se latini kot s’ka thanë: Mendja e shndoshë, në trup të shndoshë (men sana in corpore sana).
Nji fmi qi ka trupin e shëndoshë, aj ka edhe mendtë e shndoshtë e asht i gadshëm me i rrokë mesimet si duhen. Familja duhet të ketë kujdes, qi fëmitë me i dergue të pastër në shkollë.
Tash do të flasi për (terbijen) edukaten e shpis e mandej të shkollës.
Ma parë se kërkushi, i takon nanës kujdesimi i fëmivet, për arsyet se:
1-Ndërmjet prindve e fëmive, gjindet lidhnije ma e ngushtë, pse fmija din me dashtë ma fort njat qi i plotson dishirat e nevojat e tij. Nji fëmis po ju afrue nji i huej menjiherë nise me u ngërvallë.
2-Ndërmjet prindve e fëmive, në mnyrë të veçantë, frymzimi i nanës ka fuqinë ma te madhe, pse nans e femiu gjinden ma afer se kërkushi, aq afer sa gadi me u thanë nji.
Pestalozi, themelues i edukatës (i ilmi-terbijes) na msoj me i lshue nanës vendin e parë.
Nanat e edukueme, lindin e rrisin fmi të edukuem. Këtë fuqi të nanës e gjejmë edhe te jala popullore: Ban nanë se të gjas e dy kambë i rrëshqas.
Vepra e prindve ndaj fëmijve asht çmos e fuqishme pse pak a shumë prind e fëmi kanë nji gjak e nji natyrë. Fëmija pa dalë mirë prej djepit mundohet me i ndihmue vllazenve të vet ma të dobet, këtu kuptohet edhe veprimi i përbashkët. Aty në shpi mundohet me u marrë parasysh personaliteti i fëmis.
Tue kën se ne familje janë fëmi ma pak, munden me ju plotsue të gjitha nevojat secilit fëmi.
Por ktyne të mirave u rrin përballë edhe këto të kqija :
Jane disa prind qi nuk dien a as nuk ju vjen përdorësh edukata.
Disa për shkak të punve të shumta qi kanë jashta shpijet, nuk mund t’u a barin kujdesin e as nuk mund t’u vien rreth fëmive. Disa të tjerë, nuk i japin randsien qi i përket edukatës. Kto gjana ndodhin edhe nëpër familje ku nanës e babës i del koha me rritë fëmit.
Janë disa nana, zoja shpijash, të cilat ja japin vet tamlin e gjiut fëmive. Kjo asht ndera e stolija ma e madhe për nji nanë shqiptare. Ka disa nana të tjera, të cilat për me i dhanë vedit randsi ose për me u dukë se jane shpijash të mira nuk merren aspak me rritjen e fëmivet, edhe tamlin e gjiut nuk ja japin atyne. E ktu vjen edhe rrënimi i familjeve të mdha. Fëmit e tyne jane lanë në dorën e disa të rejave, qi janë ma fmi se fmija.
Prandaj tue marrë për bazë se shteti ynë të gjithë shpresen e ka pshtet në familje, të cilat sa ma nalt qi të jenë, aq ma nalt qëndron shteti.
Duhet ta dimë se pasqyra e fmijve në shkollë asht nana e pasqyra e konstruktorit të shtetit asht shkolla.
Prej shka thame deri ktu, kuptohet se shkolla e parë e fmive asht familja, por edhe shkolla ka të mirat e saj.
Fëmija në shkollë gjindet si nji gjymtyrë e nji shoqnije e kjo gja asht ndër faktorët ma kryesor qi e bajnë atë me përfitue ndiesit e rrelacionit shoqnuer. Aty shef se si mundet me i ndihmue nji ma t’vobegtit, nji ma të dobtit fizikisht.
Në shkollë e kqyrin edukatën njers kompetent (qi e kanë për zanat) të cilët kanë mësue po për njatë punë e janë të rrahun me çashtje fëminore.
Mësuesi në shkollë i rrin fëmis pa paragjykime e kjo punë i ndihmon fort për me pru nji gjykim të madh mbi sjelljen e mbi të metat e fëmis.
(vazhdon nga numri i kaluar)
Në shkollë tue punue nxansit krijohet nji farë zelli (calltije) me ja kalue njëni tjetrit. Kjo punë ka nji njoftje të madhe për fmi deri sa të ruhet e të mos kalohet kufini.
Në shkollë, fmija din me njoftë fuqitë e veta mendore e trupore e mos me i besue vetes.
Ma teper se sa vjen, pra i zhduket madhështija.
Në shkollë, ku pa ndryshim rrin e mëson si i vobegti si pasaniku, përpjeket e afrohet ma teper gjaja shoqnore. Ktu fillon pra, me ja diet pasaniku të vobegtit, zengjini fukarasë.
Ktu meson fmija ç’asht zeqati, sadakaja, buka e Shna Ndout. Sidomos në kohë të sotshme, ku popujt nji palë kanë rrezervue kapitale e nji palë të tjerë janë dënue me vdekë ujë, për ktë shkak po perligjen me lufta e gjaqe.
Dhima për të vobegtin e drejtsia për të gjithë jane bazat esenciale të shkolles së sotshme.
Këtu do t’ju flas pak për edukimin e përbashkët ku do të mësojnë pa ndryshim varzat edhe djelmtë.
Në statistiken qi kam në dorë, shof se janë regjistruem 227 djelm e 97 varza.
Kjo gja më ban me dyshue mbi formimin e nanave shqiptare (ulqinake) prej të cilave do të mvaret e ardhshmja e fëmivet.
Ndeja e pandame e djelmve me varza i ban të parët ma të paqët në fjalë.
Kur të dy palët do të edukohen në shkollë do të kenë respekt për njëri tjetrin.
E keqja asht, kur prindja i lanë fëmit, djelm e varza pa shkollë, ku asnji njeri s’merr mbi ta kurrfarë përgjegjsije. Prandaj ju thrras, o vllazen ulqinakë qi të mos i lëni fëmit t’u rrugve, pse ktu në shkolle ecin zbashku djalë e vajzë, si në votër vllau me motër.
Prej shka thame deri ktu, kuptohet se shpija asht baza e edukatës, ndërsa shkolla i çon përpara me disiplinen e vet. Prandej shkollë e shpi duhet të kenë nji lidhni e krahasueme si njëna dorë lanë tjetren e të dyja lajnë fytyrën.
Fëmija në shkollë huen 6 vjetsh, e aj i ka kenë shtrue edukatës së prindve e vazhdon gjithnji nën mbikqyrjen e tyne.
Në qoftë se nji fëmi kalon nji orë në shkolle e shumë ore në shpi ç’do të ngjante në qoftë se familja asht në kundërshtim me shkollën.
Po e xamë se në shkollë ndalohet kumbara, alkooli etj, çdo të ngjante në qoftë se familja i ep letra me luejt për natë ose pjek rakinë vet. Puna e mësuesit në ktë mnyrë shkon në Buen. Pra nji gja qi e ndalon mësuesi duhet të jetë e ndalueme edhe prej prindve.
Për ktë asht e domosdoshme me përmbledhë njohuni mbi jeten e fmive tuej. Nji prind ankohet se djali s’kap liber me dorë.
Mësuesi ankohet se djali vjen vonë në shkollë.
Ka fmi që rrinë të merzitshëm në shkollë, mësuesi duhet të dijë në qoftë se ka ndonji hall apo ndonji smundje, e tue dijtë shpirtin e nji fëmije, din me gjetë edhe dermanin për të.
Ka fmi qi vuejn me smundje të ndryshme, prindi duhet të bisedojë me msuesin, e mësuesi ka me kënë i gadshëm me u sjellë me të si i perket.
Shumë fëmi që kanë probleme, vëhen në rrugë të mbarë prej nji mësuesi specialist, kur prindi e mësuesi punojnë zbashku. Por nji gja duhet me pasë parasysh, mos me i msue fëmit vetëm me urdhna.
Fmija e sahati nuk duhen me u ngrehë shpesh por duhen lanë me ecë edhe vetiut. Në daç me e vu fëmin në rrugë të mbarë duhet me i kallxue atç ç’ka do të bajnë e jo kurrë gjanë e ndalueme.
Në qoftë se mësojmë nji fëmi me punue vetem me urdhna, ka me mbetë gjallë e ngusht,e kur t’i bien ndonji gja mbi krye s’ka me diet me e plotsue.
Fjala qi i thue fëmis duhet me kënë nji mur çeliku, nuk duhet të thyhesh e të bajnë atë qi nuk e ke lejue ma parë.
Kurrë mos i fol me gjak të nxetë, e aty ku mundesh me krye punën me nji fjalë t’ambel. Fmija bindet ma shpejt me fjalë të mira se sa me fjalë te ashpra apo me rrahje.
Fëmija asht tue u formue dhe na duhet ta respektojmë atë qi edhe ai mandej të na respektojë ne.
Pëndesa: Mungon ”.
Materiali nga fjalimi i Jaho Domnorit me rastin e hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe në Ulqin, si edhe fotot, më janë dërguar në e-mail nga zonja Pertefe Domnori Leka, vajza e Jahja Domnorit, dhe janë pjesë e arkivit tim personal. Njohja me Pertefen ishte një moment i veçantë në jetën time. (fund)