Një sport i admiruar dhe gjithnjë e më i popullarizuar

Fluturimi i lirë me vela ose (paraglajding sport) është një sport aventuresk rekreativ i klasifikuar si sport ekstrem, dhe realivisht i ri, veçanërisht tek ne në Mal të Zi (Malësi). Ky lloj sporti është shfaqur në vitet e ‘80-ta të shekullit të kaluar. Pavarësisht se pilotët nuk përdorin motor për të fluturuar, fluturimi me paraglajder mund të zgjasë me orë të tëra, ku mund të përshkohen me qindra kilometra. Duke shfrytëzuar me mjeshtëri burimet e ngritjes, piloti mund të fitojë lartësi, shpesh prej disa mijëra metrash

Koha Javore: Z. Gjokaj, si lindi pasoni Juaj për sportin e fluturimit të lirë me vela (paraglajding sport), dhe në cilin vit e realizuat fluturimin e parë?
F. Gjokaj:
Të fluturoj, për mua ka qenë vetëm ëndërr. Mirëpo, pasi u njoftova se ekziston shkolla në rajon ku mund të mësosh fluturimin e lirë me vela, në fillim të vitit 2018 unë mora guximin që t’i hyja kësaj sfide që do ta quaja ekstreme. Para fluturimit të parë, kishte gjashtë muaj që mësoja teorinë, dhe kishte një muaj që bëja stërvitje, pastaj fluturimi i parë ishte si një nga ëndrrat e bëra realitet dhe fillim i një rrugëtimi të pafund.

Koha Javore: Z. Gjurashaj pasioni Juaj për fluturimin e lirë me vela, po ashtu është i hershëm. Prej sa vitesh merreni me këtë sport?
A. Gjurashaj:
Fluturimin e parë e kam bërë në tandem (si pasagjer) në vitin 2012. Aty edhe më lindi ideja që edhe unë të filloj të merrem me këtë sport, ku pas disa ditësh fillova trajnimet e më pas përfundova shkollën për pilot paraglajdingu në Bijello Pole. Në vitin 2018 regjistrova shkollën për fluturim me pasagjer (tandem) në Zllatibor, ku e përfundova me sukses.

Koha Javore: Z. Gjokaj, si një profesionist i kualifikuar, sa e kushtueshme është t’i hysh këtij sporti dhe sa ia vlenë, a ka përfitime?
F. Gjokaj:
Për të marrë lejen e drejtimit (kualifikimin përkatës) kushton. Gjithashtu, për t’i blerë paisjet e nevojshme duhet ndarë një sasi e konsiderueshme parash. Mirëpo, ajo çfarë përfiton, nuk ka çmim. Vet fakti se për mua ka qenë një ëndërr e cila u bë realitet, flet për atë se a ia vlen të fluturosh. Në përfitime nuk kam mënduar fare, posaçërisht jo në fillim. Nëse studion për të fituar lejen për fluturime dyshe e cila është edhe më sfiduese sesa leja personale, atëherë ka edhe përfitime, mirëpo kjo ka edhe përgjegjësi të shumëfishta.

Koha Javore: Z. Gjurashaj nga këndvështrimi juaj prej profesionisti, sa është i zhvilluar paraglajdingu në Mal të Zi dhe sa i popullarizuar është ai?
A. Gjurashaj:
Paraglajdingu si sport është gjithnjë në zhvillim e sipër çdo ditë e më shumë. Konkretisht në Mal të Zi, ky lloj sporti ka stagnuar viteve të fundit, nga vet fakti se tash disa vjet nuk ka shkollë përkatëse për trajnim të pilotëve. Sa u përket fluturimeve dyshe, çdo ditë e më shumë ka të interesuar.

Koha Javore: Z. Gjokaj të merresh me këtë lloj sporti, përveç që duhet të jesh i guximshëm dhe sypatrembur, çfarë tjetër duhet të zotërosh?
F. Gjokaj:
Fillimisht duhet mësuar aerodinamikën e krahut, meteorologjinë dhe teorinë e fluturimit, pastaj duhet zotëruar kontrollimin e krahut në kushte të ndryshme atmosferike, e për ta arritur këtë duhet një ekuilibër mendor dhe trupor.

Koha Javore: Z. Gjurashaj na tregoni pak se çfarë pajisjesh duhet të posedojë një paraglajder që të fluturojë në mënyrë të sigurtë?
A. Gjurashaj:
Kur bëhet fjalë për pajisjet për fluturim, kryesore janë vela, ulësja (sedilja), parashuta rezervë dhe helmeta. Përpos këtyre, kemi edhe instrumentet të cilat na tregojnë lartësinë, shpejtësinë, ngritjen lart, drejtimin dhe shpejtësinë e erës.

Koha Javore: Z. Gjokaj gjatë kësaj periudhe pesëvjeçare që po pilotoni, sa ka interesim për këtë sport aventuresk, si ka qenë sezoni i sivjetshëm?
F. Gjokaj:
Nëse flasim për interesimin e klientëve për fluturime dyshe, sezoni turistik i sivjetshëm ka qenë më i dobët, mirëpo këtë sezon kemi frekuentuar qytetin e Budvës, aty ku kemi pasur më së shumti fluturime dyshe nga të interesuarit vendas dhe të huaj. Kemi pasur kërkesa edhe për fluturime nga Deçiqi (Bratila), ku disa i realizuam, mirëpo duke pasur parasysh infrastrukturën rrugore të pafavorshme deri tek pika e fluturimit atje, detyrohemi që t’i redukojmë fluturimet.

Koha Javore: Z. Gjurashaj cilat janë pikat më të përshtatshme në Malësi për të fluturuar?
A. Gjurashaj:
Pikënisje në Malësi kemi Bratilën dhe një pikë në fshatin Delaj. Kryesisht fluturimet i bëjmë nga Bratila, prej ku mund të fluturojmë edhe me orë të tëra, pavarësisht nga kushtet atmosferike, të përshkojmë edhe me dhjetëra kilometra territor.

Koha Javore: Z. Gjokaj cilat aktivitete sportive do të veçonit me pjesëmarrjen tuaj ndër vite?
F. Gjokaj:
Duke qenë se ky lloj sporti në Mal të Zi dhe veçanërisht në Malësi nuk ka ende promovimin e duhur, pjesëmarrjet nuk kanë qenë në nivelin e kënaqshëm. Mirëpo, ajo që mund të veçoj dhe që pati bërë jehonë për vendin tonë, ishte pjesëmarrja në garën sportive të sportit të lirë me vela “Kupa e Deçiqit – 2019”, ku tridhjetë pilotë fluturuam në qiellin e Malësisë. Ishte kjo një garë e bashkëorganizuar nga unë, Arbeni dhe Asociacioni i Paraglajdingut të Malit të Zi. Në atë ditë me diell e cila pati favorizuar pilotët pjesëmarrës, fluturimi i lirë me vela kishte pushtuar qiellin e një pjesë të Malësisë, ku banorët për herë të parë në këtë vend patën rastin ta shikojnë dhe ta përjetojnë nga afër fluturimin e pilotëve.

Koha Javore: Z. Gjurashaj kur mund të bëhet i rrezikshëm sporti i paraglajdingut, përkatësisht një fluturim?
A. Gjurashaj:
Paraglajdingu është i rrezikshëm aq sa piloti ia lejon që të bëhet. Në qoftë se piloti kryen trajnimet për fluturim solo, ndjek parashikimin e motit, fluturon me pajisje sipas nivelit të aftësive që zotëron, rreziku pothuajse nuk ekziston.

Koha Javore: Z. Gjokaj çfarë mund t’i ofroni Malësisë me këtë lloj sporti?
F. Gjokaj:
Jemi me fat të madh që kemi malin e Deçiqit i cili është sikurse ta kishte krijuar Perëndia për këtë sport ajror, dhe kështu duke e praktikuar nga viti në vit, ne promovojmë bukuritë natyrore të Malësisë të cilat janë të shumta. Ne të dy pilotët profesionistë në Malësi jemi të gatshëm që t’u ofrojmë turistëve fluturime dyshe të cilat karakterizohen me xhirime nga ajri, ofrim peisazhesh mahnitëse, dhe në këtë mënyrë promovojmë vendin tonë.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat