Ulqin – Antologjia “Degë e trungut të urtë”, ku janë përfshirë 28 shkrimtarë shqiptarë në Malin e Zi, përzgjedhur nga shkrimtari Hajro Ulqinaku, është përuruar të enjten mbrëma në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin.
Ky botim i dytë, i plotësuar, është botuar para pak kohësh nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore – Podgoricë.
Shkrimtari Hajro Ulqinaku ka treguar se si ka lindur ideja për përgatitjen e antologjisë.
Ai ka thënë se në fillim të këtij mijëvjeçari, derisa punonte në redaksinë e gazetës “Kronika”, nisi të sistemojë shkrimtarët për fëmijë dhe veprat e tyre. Kjo punë rezultoi me botimin e një antologjie, e cila u botua në tirazh të vogël. Por ajo duhej të plotësohej, sepse ndërkohë dolën edhe 5-6 shkrimtarë që merren me letërsi për fëmijë.
Sipas tij, ky me siguri është jo vetëm libri më i mirë i tij, por “në redaksinë shqipe në Mal të Zi nuk është botuar ndonjë libër që ka më shumë vlerë se ky”.
Ulqinaku ka thënë se antologjia “është libër i veçantë që duhet të hyjë dhe do të hyjë patjetër në shkolla, nxënësit ta kenë në dorë”.
Redaktori i librit, Dimitrov Popoviq, ka thënë se Enti i Teksteve dhe i Mejeteve Mësimore si botues ka pasur një përgjegjësi të madhe në botimin e antologjisë, qoftë sa i përket përgatitjes shkencore dhe ideore, përmbajtjes, por edhe formës.
Ai ka treguar se me shkrimtarin Hajro Ulqinaku janë pajtuar që t’i bëjnë disa ndryshime dhe plotësime të variantit fillestar me qëllim që antologjia të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me kërkesat e kohës.
“Rëndësi ka që ne bëmë një antologji, që e kemi një bazë. Pas dy-tre vitesh, katër viteve, pesë viteve, ajo do të pasurohet, bazën e kemi”, ka thënë Popoviq.
Njëri prej recensentëve të librit, Dr. Haxhi Shabani, ka thënë se kjo antologji, ky libër përzgjedhës ka një të veçantë.
“Dëshmon se edhe këtu shkruhet letërsi shqipe, te shqiptarët në Malin e Zi, dhe shkruhet letërsi e mirë shqipe. Kjo është e rëndësishme”, është shprehur ai.
Ai po ashtu ka thënë se duhet pasur parasysh edhe faktin se në trevat ku jetojnë sot shqiptarët në Malin e Zi janë rrënjët e gjuhës shqipe të shkruar.
“Dhe kjo është e rëndësishme për të relativizuar pak a shumë edhe atë çështjen se a thua letërsia prodhohet vetëm në qendra. Tashmë sidomos letërsia prodhohet edhe në periferi, nganjëherë periferitë mund të bëhen qendra, nganjëherë qendrat mund të bëhen periferi edhe për vlerat që japin”, ka theksuar Shabani.
Ai ka thënë se “ky libër u kushtohet lexuesve të moshës fëmijërore dhe të rinjve, përkatësisht nxënësve të shkollës fillore dhe të mesme dhe ka një nga qëllimet që të mbulojë sadopak atë boshllëkun që ekziston sa u përket botimeve të teksteve letrare të autorëve të vendlindjes për nxënësit shqiptarë në Malin e Zi”.
Recensentja tjetër e librit, Sahibe Hoxha, mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ka thënë se letërsia për fëmijë e shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi është e zhvilluar dhe me vlerë.
Ajo ka thënë se antologjia “Degë e trungut të urtë” na mundëson për t’u njohur “për së afërmi me shkrimtarët shqiptarë nga Mali i Zi, që jetojnë apo kanë jetuar, por që punojnë e veprojnë edhe jashtë vendlindjes, duke mos e harruar kurrë vendlindjen, popullin dhe përjetimet e veta fëmijërore, rrënjët e prejardhjes së vet, rrënjët e thella e të degëzuara në shumë hapësira, por prej të njëjtit trung, në këto troje të lashta”.
Udhëheqësja e përurimit, Ardita Rama, njëkohësisht udhëheqëse e Bibliotekës së Qytetit, ka thënë se antologjia ka për qëllim plotësimin e njohurive të nxënësve shqiptarë të shkollës fillore dhe të mesme për shkrimtarët e vendlindjes.
Përurimi është organizuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore dhe Qendra për Kulturë – Ulqin.
i. k.
28 shkrimtarë pjesë e antologjisë
Në antologji janë përfshirë 28 autorë shqiptarë nga Mali i Zi: Esad Mekuli, Nol Berisha, Bahri Brisku, Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Hajro Ulqinaku, Ali Llunji, Idriz Ulaj, Zuvdija Hoxhiq – Berisha, Ali M. Ahmeti, Asllan Bisha, Shaban Osmanaj, Ibrahim Berjashi, Ali Gjeçbritaj, Gazmend Çitaku, Fran Camaj, Anton Gojçaj, Haxhi Shabani, Anton Berishaj, Zef Gjuravçaj, Nikollë Berishaj, Mark Pashko – Lucgjonaj, Ali Daci, Hasnije Kukaj – Gjonbalaj, Flutur Mustafa, Hajredin Kovaçi dhe Anton P. Gjuravçaj.