Nga Ulqini i Vjetër

Gani Karamanaga

Rexhep Tërceta u lind në Tivarin e Vjetër në vitin 1909. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje. Aty mësoi zanatin për këpucëtar.
Ishte kohë lufte, u ndërruan okupatorët, më së pari ishte Italia, pastaj erdhi Gjermania.
Në ato kohra Rexhepi i ri kalon për të jetuar në Ulqin.
Motra e tij Gjylasfija para Luftës së Dytë Botërore martohet në Ulqin për Ibrahim Becin.
Rexhepi martohet me Xhemile Bashën. Ishte burë i gjatë, me të folurkarakteristike të përzier ulqinako-tivarase. Në Pazarin e Ulqinit gëzonte autoritet të veçantë. E donte shoqërinë, por edhe shoqëria Rexhep Agën. E donte gjuetinë e shpesëve të egra, por nuk ishte gjuetar i suskseshëm. Shokët e tij tregonin se shpesh herë i ka blerë shpesët nga gjuetarët e tjerë për të treguae suksesin në gjueti.
Rrëfimi 1
Në ordinancë. Rexhep Aga u plak. Nganjëherë ishte edhe pacienti im në ordinancë, ose shkoja për ta vizituar në shtëpinë e tij. Gjithmonë kam pasur kënaqësi kur ka ardhur te unë për shikim. Më së pari i kujtoja fjalët e babit tim për të:“Rexhep Aga, baba jem ka than për ty:
“Na ulqinakët kemi dhanë shtatë burra prej Ulqinit për me ardhur Ti në Ulqin”.
Menjëherë ishte përgjigja prej Rexhep Agës:“ Je ner, e flet ner”.
Rrëfimi 2
Syneti ynë . Në Ulqin syneti ka një traditë të madhe. Gjithmonë është thënë se borxhi më madh i prindërve është syneti i djemve, si edhe martesa kur të vijë koha. Më parë, por edhe sot, është ruajtur tradita që gjyshi dhe gjyshja prej nënës, t’u bien djemve të cilët synetohen dashin e bukur. Shpesh thonë është çuar dashi më lodër dhe me hejdije (dhurata) të tjera.
Nganjëherë edhe sot bëhet kështu.
Arsyet për synet ndahen në tre grupe: dedikimi religjioz, për arsye mjekësore të menjëhershme për të parandaluar sëmundjet në të ardhmen. Synetllykun e përcjellë dasma me ftesa, muzikë, darkë. Më kujtohet syneti ynë.
Ne të katërt kemi qenë në një krevat të madh, të cilin e kishte prurë babai prej një seferi me barkë. Shyqyri – Çyli dhe Ruzhdiu kanë qenë përpara, prej detit, kurse Ismeti – Meti edhe unë, në anë të krevatit, afër derës së dhomës.
Oda e madhe jonë në Kala prej detit ka dy dritare prej bahçes, e cila shikon në Lima.
Vëllait të madh, Çylit, i kujtohet se neve na kanë ardhur 8 deshën për synet, prej të afërmve tonë. Një javë është bërë dyzen e aheng, janë prerë gjashtë deshën, dy të tjerët i ka çuar babai në Zogaj te Omer Koleni. Më ka mbetur në kujtim muzika me qemale (violinë), dajre dhe gëzimi dhe shyhreti i madh.
Dy miqtë e babait Rexhep Tërceta dhe Emro Katana, kanë kërcyer bukur, duke djegur faculetat, duke luajtur në mes të odes. Duke e përcjellë Rexhepin, është kënduar kënga:
Hajde, Xhepo, marshalla,
Kam dëshirë me të pa,
Luj, Xhepo, luj,
Lojën ta paguj..
Vëllait Çylit – Shyqyrisë i kujtohet: “Kur jena ban synet, shpija jonë ka ndriçue prej së largut. Kanë thanë:” Shpija e Canit Karamanagës ndriçon si “Lojdi”.
Rrëfimi 3.
Bombardimi i Ulqinit . Më 7 nëntor 1943, Ulqini atëherë pjesë e Shqipërisë u bombardua nga aeroplanë amerikanë rreth orës 10 paradite. Në qytet janë ndodhur fuqi të pakta gjermane dhe stacioni i xhandarmërisë. Aeroplanët bombardues i takonin Forcës Bombarduese Taktike Afrikane Veri-Perëndimore (anglisht: Northwest African Tactical Bomber Force), që ishin pjesë e Forcës së Dymbëdhjetë Ajrore (Twelfth Air Force) të Ushtrisë Amerikane. Nga bombardimi më së shumti janë dëmtuar lagjet: Mahalla e Re, Meraja dhe Rana. Shumë shtëpi janë rrënuar dhe dëmtuar. Pas bombardimit të Ulqinit një numër i banorëve ka braktisur qytetin, duke kaluar tek kushërinjtë dhe miqtë në fshatrat fqinje, ndërsa kishte dhe nga ata që kanë shkuar në Shkodër. Sipas të dhënave të vitit 1969, 30 vetë kanë humbur jetën në këtë bombardim. Bombat kanë rënë në pjesën më të banuar të Ulqinit. Ka pasur shumë viktima: nga familja Lamoja katër anëtarë, Kasmi – pesë, Zejnelaga – dy, Ushaku – dy, Pufja – katër, Stojanoviq – tre, Raiçeviq – katër, Mavriqi – pesë, Lazoja – pesë dhe Braci dy anëtarë. Ishin edhe nëntë viktima prej familjeve të tjera. Jetën e humbi edhe Gjylije Gorana Lazoja, vajza e Latif Goranës.Disa familje ulqinake shkuan nëpër fshatra, disa të tjera në Shkodër.
Iljaz Beci 1937) – Kujtimet : “Në mejtep kemi qenë më tepër se 40 djemë e vajza. Menjëherë erdhi një vranësi, dielli u zhduk. Filloi bombardimi. Mësusesi – hoxha fillimisht nuk na qiti jashtë. Mejtepi ishte në afërsi të shtëpisë të dajës tim Rexhep Tërcetës i cili erdhi së bashku me Reshit Goranën ( në mejtep ishte edhe djali i tij Hasani). Ata i than mësuesit-hoxhës me i qit fëmijët jashtë. Hoxha i dëgjoi. Nuk kaluan dhjetë minuta dhe bomba ra në mejtep dhe e rrëxoi. Të gjithë fëmijët shpëtuan.
Rrëfimi 4.
Mirëmbrama . Dikur në shumë shtëpia zakonisht për mëngjes është përgatitur vala, qulli, terhani dhe nganjëherë krylana.Por, një mbrëmje në një shtëpi bënë valë për mbrëmje. U ulën rreth sofre.
Rexhep Tërceta e vizitoi një mbrëmje familjen e mikut të tij në Kala. Prej dritares e vërejti se ata ishin ulur për të ngrënë valë. Trokiti në derë. Kur e morën vesh se po vjen Rexhepi, ata tenxheren me valë e fshehën nën minder. Por, Rexhepi i ka vërejtur dhe tha:
“Unë nuk e di si me ju përshëndetë, me ju thanë mirëmrama nuk mundem, se jeni tue hangër valën, par po ju tham natja e mirë, ma së miri…”.
Rrëfimi 5.
Fotografia. Në dekadën e 5-6, filloi turizmi masovik në Ulqin. Në hotelin KO-OP (më vonë hotel “Galeb”) ka pasur edhe disa turistë nga Polonia. Rexhep Aga ishte qefli i shetitjes dhe dyzenit dhe shpesh ka qenë mysafir në hotel. Njëherë ishte një shoqëri e madhe së bashku me disa vajza nga Polonia. Fshehtazi dikush e fotagrafon Rexhepin në afërsi të një vajze të bukur. Atë fotografi “shokët” ia çojnë Xhemiles, bashkëshortes së Rexhep Agës.
Më vonë në pytjen time ai tregon:
“Kohë mjezdite, u ngjita në shtëpi..gruja më shikon shtremtë, nuk e di se çka ka, e pyes “çka isht gru”. Xhemilja ven duart nën bel dhe prej benebrekve don me nxjerr diçka. Mendov mos dan me nxjerr thikën, po hapet lajmi “ gruja e vogël mbyti burrin e madh”. Xhemilja qiti forografinë ku jam unë me atë polaken.. Më vonë e gjeta se kush ma ka ba këtë gja..Çka me i ba? Me i gjyku barnarore?”
Epilog: pas dy ditëve erdhën në shtëpi te Rexhep Aga, „autorët“ e kësaj fotografie dhe kërkuan falje nga Xhemilja.
Rexhep Aga pas këtij tregimi i sinqertë më tha:
„Isht e vërtet e kam dashtur shoqëninë, por edhe shoqnia mu, kam qenë qefli dyzenit edhe hengut, gjojës, por gjithmonë në vendin e parë te unë ka qenë familja jeme, kam pasur duganjën në Pazarin e Ulqinit, kam punue dhe fitue, familja nuk ka hek keq asnjëherë..“.
Rexhep Aga ka lënë pas vetes tri vajza dhe dy djemë.
Djali i vogël Ruzhdia ka ndrra jetë, kurse të tjerët jetojnë me familjet e tyre në Ulqin.

(Në fund. Ky tekst ka për qëllim që të mos harrohet jeta në Ulqinin e Vjetër, të dikurshëm. Rexhep Tërceta kishte qenë ndër përfaqësuesit e këtij qyteti të lashtë, simboli i Pazarit të Ulqinit.)

Të fundit

më të lexuarat