Aty ku qëllimisht barazohen vlera dhe jovlera, nuk ka përparim

Anton Gojçaj u lind në Podgoricë. Shkollën fillore e kreu në Tuz, kurse të mesmen në Zarë (Kroaci). Studimet e Letërsisë dhe gjuhës shqipe i ka ndjekur në Universitetin e Prishtinës, ku edhe ka magjistruar. Ka botuar disa libra me poezi, tregime, vështrime / studime letrare dhe një roman. Ka marrë pjesë në shumë manifestime letrare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi etj. Shkruan në gjuhën shqipe. Është i përfaqësuar (me poezi dhe prozë) në disa panorama dhe antologji në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën malazeze, anglisht, finlandisht, kinezisht (ghuha mandarine) dhe frëngjisht. Jeton në Tuz dhe punon si këshilltar pedagogjik në Entin e Shkollimit në Podgoricë

Koha Javore: Z. Gojçaj, për të gjithë ata që ndoshta nuk i kanë lexuar të gjitha veprat Tuaja nga opusi i gjerë dhe i pasur letrar ndër vite, a mund të na tregoni se ku përqëndrohet kryesisht krijimtaria Juaj?
A.Gojçaj: Kam filluar me poezi dhe ende nuk kam dalë prej saj. Kam vazhduar me kritikë letrare. Më vonë kam shkruar edhe prozë. Ka më shumë se dhjetë vite që nuk kam botuar asnjë libër të ri.

Koha Javore: Ndër vite në krijimtarinë Tuaj letrare keni pasqyruar ndër të tjera, edhe plagën e mërgimit (migrimit). Ju shqetëson ende sot kjo dukuri?
A.Gojçaj:
Njerëzit lëvizin, ndërrojnë vend, herë si individë e herë në grupe. Pasojë e kësaj është malli i mërgimtarëve për vendlindjen e braktisur, por edhe zbrazëtia që ndjejnë të afërmit e tyre që vazhdojnë jetën në truallin e të parëve. Mërgimin e hasim në të gjitha kohët dhe te të gjithë popujt. Dhembja për vendlindjen e braktisur është unike, individuale dhe universale njëkohësisht. Motivin e mërgimit në letërsinë shqiptare e gjejmë së pari në letërsinë popullore, pastaj edhe në letërsinë e arbëreshëve të Italisë (popullore dhe autoriale). Numri i shqiptarëve në Malin e Zi bie përditë, kjo s’ më pëlqen… Por numri i tyre rritet diku tjetër, çka, ndoshta, mund të sjellë edhe diçka të mirë. Në krijimtarinë time, mërgimi është më tepër ikje metafizike sesa lëvizje në gjeografi.

Koha Javore: Si krijues i njohur me përvojë shumëvjeçare, sa mendoni së është e zhvilluar dhe sa njihet letërsia që krijojnë shqiptarët në Mal të Zi, dhe cilat gjini letrare dominojnë?
A.Gojçaj:
Letërsia shqipe, në kuptimin modern të fjalës, këtu është shfaqur në çerekun e fundit të shekullit të kaluar. Disa nga shkrimtarët më të mirë dhe më të njohur të Kosovës kanë lindur në Malin e Zi. Por edhe brenda Malit të Zi ka shkrimtarë që shkruajnë shqip. Nuk janë shumë, por krijimtaria e tyre përmban vlera të caktuara dhe nuk meritojnë që të injorohen. Për disa dekada dominoi poezia, kurse viteve të fundit botohen gjithnjë e më shumë libra në prozë. Gjinia e dramës është e varfër, por kur nuk ka teatër shqip, kjo është normale.

Koha Javore: Jo rrallëherë, sidomos viteve të fundit, janë shtuar “krijues” që botojnë libra me tematika të ndryshme. Sa kërkohen kriteret për botim dhe a mund të botojë kushdo?
A.Gojçaj:
Kush ka mjete, boton, pa marrë parasysh vlerat e librit. Kush nuk ka mjete, e ka vështirë. Në Malin e Zi nuk ka asnjë botues të fuqishëm i cili do të mund të krijonte ambient stimulues për letërsinë shqipe. Disa autorë kanë botuar ndonjë libër me ndihmën e fituar nga konkursi i përvitshëm i Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Mirëpo, megjithëse ndër kushtet e konkursit të Fondit kërkohen, më duket, dy rekomandime nga persona kompetentë të fushës përkatëse, shpesh ato rekomandime kënaqin vetëm aspektin formal dhe jepen nga rekomandues pa reputacion profesional. Në 10-15 vitet e fundit janë botuar mjaft tituj me vlera fare modeste dhe të diskutueshme, për botimin e tyre kanë vendosur shpesh njerëz që nuk janë njohës të mirë të letërsisë. Do të ishte me interes të bëhej një hulumtim i pavarur, kush sa lekë ka marrë nga Fondi i sipërpërmendur për botimin e librave në gjuhën shqipe (kufizohem në gjuhën shqipe vetëm për arsye se, në këtë kontekst, na intereson vetëm letërsia shqipe), sa projekte janë finalizuar, çfarë ndikimi kanë prodhuar ato për letërsinë dhe kulturën shqiptare në Malin e Zi… Jo për të ndëshkuar dikë, por që të ndërpriten praktikat e dëmshme.

Koha Javore: Si e shikoni kritikën letrare tek shqiptarët në Mal të Zi, a mendoni se ajo është një kritikë e mirëfilltë apo ka mangësi?
A.Gojçaj:
Në Shqipëri, në Kosovë, në Malin e Zi, përditë dëgjohen ankesa se nuk kemi kritikë letrare, ose se ajo funksionon në bazë të klaneve, raporteve miqësore etj… Kritika letrare, jo vetëm sa i përket letërsisë shqipe në Malin e Zi, është kryesisht glorifikuese. Sipas kësaj kritike, te ne dhe në gjuhën tonë çdo ditë botohen kryevepra. Mirëpo vetëm pas disa ditësh ato fjalë (dhe veprat për të cilat flasin) sikur nuk janë shqiptuar kurrë, harrohen. Kritiku letrar do të duhej të ishte një arbitër i vlerave, një institucion që ka njohuri dhe shije estetike, por edhe parime të larta të etikës profesionale, që e ndan vlerën nga jovlera, shapin nga sheqeri… Në anën tjetër, është hipokrizi të kërkosh kritikë të mirëfilltë në një kontekst kulturor kur folësi (kritiku) në një promovim letrar paguhet sa është mëditja e një punëtori krahu, shpesh nuk paguhet fare, ose “shpërblehet” me një darkë apo drekë (pra, “për bukë goje”, si “punëtor t’falë” dikur) me një “faleminderit” në fund. Një komunitet që nuk i respekton krijuesit e kulturës, apo që i lë jashtë vëmendjes ata, rrezikon të mbetet pa respektin e ndërsjellë. Aty ku qëllimisht barazohen vlera dhe jovlera, nuk ka përparim.

Koha Javore: Ndër dhjetë veprat Tuaja letrare të botuara deri më sot, cilën e kishit veçuar si më të lexuarën apo që ka i përmbushuar pritshmëritë tuaja si krijues?
A.Gojçaj:
Nuk dua ta veçoj asnjërën nga veprat e mia. Poezia ka shkuar më larg, libri im i poezisë është botuar edhe në gjuhën angleze, poezitë e mia janë përfshirë në disa antologji në gjuhën shqipe dhe në disa gjuha të huaja, romani dhe disa tregime janë përkthyer në gjuhën malazeze… Secila e ka rëndësinë e vet dhe me secilën më lidhin emocione të veçanta. Për to janë shprehur mjaft lexues, me gojë dhe me shkrim. Kryesisht jam i kënaqur, por jo edhe “ i dehur “ nga suksesi.

Koha Javore: Cilat janë disa nga problematikat me të cilat përballet letërsia shqipe (shkrimtarët shqiptarë) në Malin e Zi?
A.Gojçaj:
Letërsinë nuk e krijon leku, por botimi kushton dhe as promovimi nuk bëhet pa lekë. Te ne, shpesh, shkrimtarët janë të detyruar që të trokasin në dyert e donatorëve potencialë, të kërkojnë lëmoshë, si lypsarë… Veprat letrare në gjuhën shqipe që botohen në Malin e Zi, nuk i gjen në libraritë (as në bibliotekat) e Shqipërisë, të Kosovës, as gjetiu… Sa e di unë veç botimet e Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore i gjen në librarinë e Entit në Podgoricë dhe s’di ku tjetër. Të tjerat vetëm ekspozohen në panaire. Unë kryesisht i kam dhuruar, i dhuroj librat e mi.

Koha Javore: Zëri Juaj si krijues i spikatur ka depërtuar përtej trojeve shqiptare, në letërsi të huaja me antologji poezie, dhe me romane, duke u përkthyer në disa gjuhë: në malazezisht, anglisht, kinezisht, frëngjisht dhe në gjuhën finlandeze. Çfarë e bën një shkrimtar të njihet edhe tek popujt e huaj?
A.Gojçaj:
Nuk ma merr mendja se jam shkrimtar i njohur. Sot ka mijëra e mijëra shkrimtarë, botohen mijëra libra në ditë, anembanë. Nuk di si bëhet një shkrimtar i njohur as në nivelin kombëtar, e lëre më ndërkombëtarisht. E vetmja gjë që mund të këshilloj është që shkrimtarët duhet ta “lexojnë” me vëmendje dhe me empati jetën empirike, por edhe të punojnë ditë e natë për ta përmirësuar cilësinë e shkrimeve të veta. Nuk di rrugë tjetër. Madje as kjo nuk garanton sukses. Përkthimet ta rrisin krenarinë, por shpesh ato bëhen veç “përkthime për hir të përkthimit” dhe nuk shkaktojnë kurrfarë jehone në gjuhën në të cilën përkthehen. Së paku ky ishte rasti me përkthimet e veprave të mia.

Koha Javore: Një kohë keni punuar si gazetar në të përjavshmen në gjuhën shqipe, “Koha Javore”. Në këndvështrimin Tuaj, çfarë mendoni se u mungon sot mediave shqipe në Mal të Zi?
A.Gojçaj:
Interneti ka bërë që të shuhen shumë media dikur të mëdha dhe të rëndësishme në botë. Mediat shqipe në Malin e Zi e kanë të vështirë të mbijetojnë në një konkurrencë të madhe, kombëtare dhe globale… Ndoshta shansi i tyre është trajtimi i temave nga jeta e shqiptarëve në Malin e Zi… Kam punuar shtatë vjet në redaksinë e “Kohës Javore” dhe konsideroj se gjatë asaj periudhe mësova gjëra që më ndihmuan në aspekte të ndryshme.

Koha Javore: Cili është angazhimi Juaj aktual dhe kur mund të presë lexuesi vepra të reja letrare nga Ju?
A.Gojçaj:
Shkruaj pak, lexoj shumë. Shpresoj se në ndonjë çast të afërm do të mëshirohet ndonjë muzë dhe do të shkruaj përsëri, por nuk e di se kur do të ndodhë as çfarë mund të dalë në dritë… Por, mos më mbani për fjale!

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat