
Madalena dhe Marjani janë një çift shumë simpatik nga Republika Çeke, të cilët një ditë i takova në Guci. Më pyetën për Kishën Katolike të Shna Ndout. Kishin dëgjuar për të dhe deshiruan ta vizitonin. Ndodhi e diel dhe famullitari i kishës Don Gabriel Grabanica kishte lajmëruar meshë at ditë për në orën 18. Ejani me mua u thash se e kemi një prift të mirë dhe është alpinist sikur ju. U gëzuan.
Rruga nga Ulqini në Guci është 3-4 orë por Don Gabrieli nuk priton. Thotë se kënaqet në këto troje. 14 vetë ishim atë ditë në meshë. Nuk e di se a është gjynah apo turp. Mora një copë letër atë natë dhe fillova t’i shkruaj emrat e të gjithë malësorëve katolikë të Gucisë. Sikur mësuesit dikur për t’u vendosur nxënësve mungesë afër emrit. Dolën 66 katolikë në Gucinë legjendare. Pleq e t’ri si thoshin dikur t’parët tanë. Në vitin 2003 pata botuar një libër “Kujtimet e Cakut”. Aty pata shkruar për shpërnguljen e malësorëve katolikë nga kjo zonë. Prej vitit 1960 deri në vitin 1990, u shpërngulën 565 banorë katolikë. Sot jemi 66. Kemi një ndër kishat më të bukura të Malësisë së Madhe, por është e thatë. Me vite nuk kemi prift që rrin këtu, por vijnë priftërinj herë pas here dhe nuk e harrojnë këtë popull të vogël. Fajin për mospjesmarrje në liturgjinë shenjte e kemi vetë ne, e jo arqipeshkvia as priftërinjtë, as ai, as tjetri. I kemi harruar t’parët tanë që vinin 5-6 kilometra nëpër borë e shi, por në meshë nuk mungonin. Kush i sillte priftit një litër qumësht delesh, e kush një kile djath t’njomë. Dikush tjetër lakna rrasol e dikush do mish e grosh. E priftërinjtë besa edhe keq kanë hiqur. Dom Millorad Defarin, priftin kroat që e fliste shqipen rrjedhshëm edhe në burg e futen disa herë dhe tentuan ta helmonin.
Historia e kësaj kishe është histori në vete. Famullia u formua në vitin 1926 dhe famullitar i parë ishte Don Marjan Gllasnoviq nga Kroacia. Në Guci ka katolikë të shumë fiseve edhe pse është në zëmer të Kelmendit: Nikç, Vukel, Trieshjanë, Shalanë etj. Kur malësorët filluan organizimin për ngritjen e kishës, Kisha Ortodokse në Guci e udhëhequr nga Pop Gjorgje Shekullarac dhe qeveria e atëhershme, kundërshtuan me zell ndërtimin e kishës me fjalët famëkeqe “Çka u duhet kisha kur kini kishën tonë, ju me kryq e na me kryq”.
Përpjekjet e malësorve vazhduan me vite të tëra, dhe në fund vëndosën të ankohen të Mbreti i atëhershëm Aleksandar Karagjorgjeviq. Ata zgjodhën Vocër Balen nga fisi i Shalës, dhe pas shumë lutjeve ai u kthye nga Beogradi me lejen për ndërtimin e këtij tempulli fetar e kombëtar. Malësorët e varfër ekonomikisht, por të pasur shpirtërisht, filluan punën dhe pas disa viteve, me datë 1 nëntor 1934 Ipeshkvi i Shkupit Ivan Franjo Gnidovac nga Sllovenia e pagëzoi dhe e bëkoi këtë kishë të bukur.
Sot është gjynah që këta pak malësorë që janë këtu mos të marrin pjesë në meshë me justifikime të ndryshme si nuk mundem me ardhë se m’duhet të merrem me bagëti, thua se bagëtia do ju humbin për 45 minuta kohë, apo me pretekstin kisha ardhur, por skam ditur. Nejse, faji është te na e besa besë as shteti nuk ndihmon aspak. Në Komunën e Gucisë me një buxhet afro 3 milionë euro të punësuar katolikë shqiptarë janë zero. Asnjë. Gjynah e turp.
Gjovalin Nikçi