Pësoi rëndë sektori i bujqësisë

“Fatkeqësia ndodhi më datën 23 qershor dhe gjithsejt u paraqitën 225 prodhues bujqësorë për dëmin e shkaktuar. Komuna e Tuzit e ka komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë elementare dhe ky komision menjëherë filloi të punojë në terren për tre javë rresht, duke evidentuar të gjitha dëmet, ku më në fund vlerësoi se i gjithë dëmi që është shkaktuar kap shifrën mbi 3 milionë euro”, u shpreh Gjoka

Malësi – Moti i lig me reshje intensive të shiut dhe të breshërit i cili nga fundi i muajit qershor nuk anashkaloi as trevën e Malësisë, solli me vete pasoja të rënda dhe kolosale në sektorin e bujqësisë.
Në lidhje me këtë çështje, se sa llogaritet dëmi që u është shkaktuar fermerëve në zonën e Malësisë, dhe mbi ndihmën eventuale, kontaktuam sekretaren e Sekretariatit për bujqësi dhe zhvillim rural në Komunën e Tuzit, znj. Ismeta Gjoka e cila në prononcimin për gazetën “Koha Javore” tregon më në detaje hapat që deri më tani ka ndërmarrë ky dikaster për fermerët e prekur nga kjo fatkeqësi elementare.
“Fatkeqësia ndodhi më datën 23 qershor dhe gjithsejt u paraqitën 225 prodhues bujqësorë për dëmin e shkaktuar. Komuna e Tuzit e ka komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë elementare dhe ky komision menjëherë filloi të punojë në terren për tre javë rresht, duke evidentuar të gjitha dëmet, ku më në fund vlerësoi se i gjithë dëmi që është shkaktuar kap shifrën mbi 3 milionë euro”, u shpreh Gjoka.
Ajo më tej tregon se më së shumti ka pësuar kultura e shalqinit me mbi 1 milionë e treqind mijë euro, vreshtat me mbi pesëqind mijë euro, prodhimet e specit, gruri, etj.
“Pra, të gjitha kulturat që ishin në ato zona ku u përfshinë nga breshëri kanë pësuar dëme të rënda, të cilat variojnë nga 30 deri në 100 përqind, posaçërisht në prodhimin e shalqinit ku kemi pasur gjashtë fermerë nga Malësia që janë dëmtuar 100 përqind”, shprehet Gjoka.
Në pyetjen se çfarë është bërë deri më tani që t’u vihet në ndihmë fermerëve të prekur, Gjoka thotë se komisioni për vlerësimin e dëmëve ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, duke ia dërguar kështu Ministrisë së Financave për hapa të mëtejshme.
“Kemi sjellur të gjitha raportet veç e veç në këtë ministri, mirëpo jam në dijeni se ky dikaster për momentin nuk ka mundësi financiare që t’a kompensojë këtë dëm, mirëpo me ribalancin e buxhetit, ata presin të bëjnë diçka në këtë drejtim, ashtu sikurse edhe Komuna e Tuzit, pas ribalancit të buxhetit do të përpiqet që sadopak të mbështesë këta fermerë, brenda mundësive që do të ketë”, shprehet Gjoka.
Kujtojmë që gjatë stinës së verës, në veçanti gjatë muajit qershor, vendi ynë u prek nga reshje intensive të shiut dhe të breshërit, me erëra të furishme të cilat përveçëse dëmtuan sipërfaqe të konsiderueshme të të mbjellave, u dëmtuan edhe objekte të ndryshme dhe automjete.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat