Bleta dhe mjalti janë përditshmëri e bletarit të mirënjohur Xhelal Muja nga fshati Ftjan i Krajës, ish-kryetar i Shoqatës së Bletarëve të Ulqinit, i cili jeton në lagjen Kodra të Ulqinit. Edhe pse shumë vite ka ushtruar profesionin e mësimdhënësit të matematikës, ai është munduar që fundjavën ta shfrytëzojë për të qenë në shërbim të bletëve, nga të cilat nuk është ndarë asnjëherë deri në ditët e sotme, sepse, siç thotë ai, këtë punë e bën me shumë kënaqësi. Për kujdesin e tij shumëvjeçar për bletët, ai është bërë ndër bletarët më të suksesshëm dhe më të besuar jo vetëm në Krajë, por edhe në Komunën e Ulqinit.
Hapi i parë drejt fushës së bletarisë – gjithçka ndodhi natën e maturës
Në fillim të bisedës, Muja na tregon se këtë veprimtari e ushtron që nga viti 1994, kur ndjeu interesimin e tij të parë për këtë insekt të zgjuar dhe punën e vyeshme të tij. “Një ditë duke biseduar krejt rastësisht për bletët me kolegun, tashmë të ndjerin , Bahri Milla, më foli për kushëririn e tij, tashmë po ashtu të ndjerë, Daut Millën, i cili në oborrin e tij në Gjerana kishte bletë. Dauti atë pranverë kishte pasur mjaft „lëshime“ (mënyra natyrore e shumimit të bletëve). Ai për shkak të moshës dhe problemeve të tjera shëndetësore, pasi i kishte administruar disa lëshime, „ishte dorëzuar“ dhe nuk kishte mundësi t’i mblidhte lëshimet e ardhshme. Bahriu më tregoi se ku jeton Dauti. Shkova në shtëpinë e tij dhe u morëm vesh që të marr dy-tri lëshime. Në natën e maturës më bien telefoni. Dauti më thërret që të shkoj të marr një lëshim (bletë). E lashë për pak kohë ambientin e gëzueshëm, të hareshëm por edhe të zhurmshëm të maturantëve. Shkova, vendosa bletën në zgjua dhe u ktheva përsëri ne lokalin ku mbahej nata e maturës”, thotë Muja.
Vazhdimësi e traditës familjare
Xhelal Muja shpreh gjithë krenarinë e tij se nuk e shkëputi, por e vazhdoi këtë traditë familjare. Ishte një dëshirë e brendshme për bletët. “Edhe prindërit e mij, në Ftjan , janë marrë me bletari. Kryesisht kishin koshere nga trungjet e drunjëve të tharë dhe të zgavruar. Rrallë kishin ndonjë zgjua të punuar nga katër dërrasa dhe një kapak mbulues. Për t’ua marrë bletëve mjaltin, ato i mbytnin me surfull. Pastaj hojet shtrydheshin me duar që të kullonte mjalti. Ose mjalti mund të hahej edhe me hoje (fashej, siç i quanim ne). Me këtë veprimtari në mënyrë pak më bashkëkohore është marrë edhe vëllai im për një kohë të gjatë”, thekson Muja.
E filloi me një bletë, tani ka 130 koloni bletësh
Dashuria për këto insekte të vogla te ky bletërritës i njohur është përhapur në moshë të re. Prej atëherë një pjesë të madhe të energjisë së vet, krahas mësimit dhe edukimit të brezave të ri shqiptar, ai e drejtoi te bletët. Nga viti në vit, ai duke punuar me përkushtim e dashuri të madhe në bletari, shtoi dhe rriti numrin e koshereve të bletëve dhe të prodhimit të mjaltit. “ Tani kam 130 koloni bletësh. Disa prej tyre janë për mbledhje ( nxjerrje) të mjaltit, disa për mbarështim, dhe disa për përgatitje për vitin pasues”, nënvizon ai.
Gabimet e para në fushën e bletarisë
Muja shton se preferohet që bletarët të jenë të kujdesshëm dhe mos të bëjnë gabime në punën e tyre me bletët, mirëpo ato në hapat fillestar janë të pashmangshme. “ Në fillimin e punës sime me bletën bëra shumë gabime. Në vitin e parë e vendosa një lëshim në një koshere me korniza, por për momentin më mungonin kornizat. Kaluan disa ditë derisa i gjeta kornizat. U përgatita që t’i fus ato në koshere. Mora edhe vëllain si “instruktor“. Hapëm zgjoin. Bleta kishte punuar aq shumë, saqë e kishte mbushur atë me hoje dhe të tërë të mbushur me pjellje. I hoqëm fashojtë (hojet) , i hodhëm, duke menduar se nuk do të ketë problem dhe se bletët do t’i punojnë përsëri! Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Bleta kishte konsumuar dhe nuk kishte mundësi të rigjenerohej. Kështu, ajo vdiq”, flet paksa me dhimbje Muja.
Rendimente më të mira se vitin e kaluar
Në zonën e Krajës, por edhe të Ulqinit, siç na njofton bashkëbiseduesi ynë, ky vit është ndër të mirët sa i përket rendimentit të mjaltit. “Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit kam pasur rendiment 10-12 kilogramë për koshere, me të cilin mund të jem i kënaqur. Këtë vit kam nxjerrë 400 kilogramë mjaltë. Kjo sasi mjalti është prodhuar falë marrjes më të mirë të nektarit të ëmbël në koshere këtë pranverë dhe kushteve më të favorshme të motit”, thotë Muja.
Bimët kryesore të prodhimit të mjaltit
Kraja është e pasur me lloj-llojshmëri lulesh dhe bimësh. Vitet e shkuara në këtë zonë ka pasur mjaft sherbele. Rrjedhimisht ka dominuar ky lloj mjalti. Por, vitet e fundit sherbela po shuhet, meqë sipërfaqet po i mbulon bimësi e lartë, e padobishme. Tash ka mbetur vetëm gështenja si bima më e përhapur mjaltëdhënëse. Ndërkaq në Komunën e Ulqinit sherbele ka më pak. Kjo bimë ende ndodhet në Anë të Malit, ndonëse me pakicë. Në disa zona të tjera të Ulqinit ka mjaft plantacione me mandarina, lulja e se cilës jep mjaft mjaltë. Po ashtu duhet përmendur edhe prodhimin e mjaltit të livadheve”, thotë Muja.
Mjalti i Krajës do të shtrenjtohet për tre euro
Ai njofton se çmimi i mjaltit këtë vit do të rritet për tre euro për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve të nevojshme për mbarështimin dhe mirëmbajtjen e bletëve. “Vitin e kaluar një kilogram mjaltë nga Kraja e kam shitur për 15 euro, ndërsa këtë vit pasi u rrit çmimi i të gjitha produkteve të nevojshme për mbarështimin dhe mbajtjen e bletëve, e ngrita çmimin në 18 euro për kilogram. Megjithatë, çmimi i mjaltit që e prodhoj në Ulqin nuk do të ndryshojë nga vitet e kaluara dhe do të jetë 15 euro për kilogram”, tregon Muja.
Në pyetjen tonë nëse ky çmim është në përpjesëtim me fuqinë blerëse të qytetarëve, sidomos në një kohë inflacioni dhe rritjes thuajse ditore të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, ai u përgjigj: “Edhe bletarët janë pjesë e këtij ekosistemi. Edhe ata, përveç mjaltit qe ua marrin bletëve të tyre, të gjitha produktet tjera i blejnë. Sa kam informacion, i vetmi produkt, që në këto kohët e fundit ka pasur rritjen më të ulët të çmimit, prej 0-20 përqind është mjalti. Çdo gjë është shtrenjtuar prej 50 deri në 100 përqind.
Para disa kohësh parashtrova ne Fejsbuk këtë pyetje: Për shëndetin e njeriut, a është më i mirë një kilogram mjaltë apo janë pesë kuti cigare (duhan)? Si për shpoti, njëri prej komentuesve u përgjigj: “Një kilogram duhan”. Ai ishte kultivues dhe prodhues i duhanit, rrjedhimisht për të, por jo për shëndetin, më i mirë ishte një kilogram duhan (25 deri në 30 euro), se sa një kilogram mjaltë!
(vazhdim)
Shitja e mjaltit në prag të shtëpisë
Ky bletar i suksesshëm pohon se cilësia e produktit të mjaltit në Krajë nuk ka nevojë për reklamë, sepse është i njohur jashtë Malit të Zi, për shkak të kushteve të favorshme natyrore që ofron ky rajon për ushqimin e bletëve, gjegjësisht shumëllojshmërisë së bimëve të mjaltit, të cilat kryesisht janë medicinale. “Mjaltin e shes vetëm tek shtëpia. Njerëzit e kanë njohur kualitetin dhe e kanë fituar besimin. Është produkt shumë i shëndetshëm që nuk prishet. Ka blerës vendas, por edhe nga jashtë, sidomos në sezonin e turizmit”, tregon Muja. Sipas tij, kriza shëndetësore e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe shqetësimet shëndetësore të qytetarëve, kanë rritur kërkesën për produktet e mjaltit, të cilat, përveç konsumit përdoren si ilaçe për shërimin e shumë sëmundjeve. Dhe shumë kohë përpara se shitjet filluan, njerëzit porosisin mjaltë nga më të afërmit e tij. Edhe pse vëllimi i mjaltit që vendosi ai në sezonin e kaluar nuk mund të plotësonte të gjitha nevojat e klientëve. Ai beson se kërkesa për këtë nektar të ëmbël shpesh i cilësuar si “ari i lëngshëm”, do të jetë disa herë më e madhe se ajo e mëparshmja.
Trajtimi i bletëve kërkon kujdes e përgjegjësi maksimale
Si njohës i mirë i bletarisë, Muja thotë se trajtimi i bletëve nuk është i lehtë. Kërkon kujdes dhe përgjegjësi maksimale. Duhen ndjekur me rigorozitet të gjitha porositë dhe këshillat e specialistëve dhe të përdoren barna që nuk dëmtojnë shëndetin e bletës. Dezinfektimi është njëri nga më të rëndësishmit në bletari. Gjithashtu përgatitja e bletës për dimër dhe kurimi i disa sëmundjeve që prekin bletët. Ai e bën kontrollimin e rregullt të bletëve që ato të jenë të shëndetshme. “Kundër sëmundjeve të ndryshme, unë bletët i trajtoj vetëm me ilaçe organike. Sëmundjen varroa, njëra prej shkatërruesve më të mëdhenj të bletëve, e trajtoj vetëm me thartinë oksalike dhe thartinë të thneglave”, shprehet ai.
(Mos)mbështetja e duhur institucionale
Ky specialist i bletëve vlerëson se në Mal të Zi , edhe përkundër ndihmesës dhe subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë, bletarëve u mungojnë investimet e duhura nga shteti për këtë sektor të rëndësishëm të shtetit dhe të qytetarëve të tij. Ai shton se edhe këtë vit bletarët i ka ndihmuar ministria përkatëse me subvencione, mirëpo ato do të duheshin të jenë më të mëdha, sepse ato do të ndikonin drejtpërdrejt në shumëfishimin e bletarëve dhe prodhimtarisë së mjaltit. “Ministria e Bujqësisë çdoherë na ofron ndihmë për sigurimin e ilaçeve organike për trajtimin e bletëve kundër sëmundjeve të ndryshme. Çdo vit, edhe me ndihmën e saj, organizojmë pjesëmarrje në panaire dhe kontakte dhe shkëmbim përvojash me bletarë nga vendet e rajonit dhe më gjerë. Biles kemi marrë pjesë edhe në Kongresin Botëror të Bletarisë „Apimondia“ që është mbajtur në Stamboll para katër vitesh. E njëjta gjë na ofrohet edhe këtë vit, meqë vendi për Kongresin e këtij viti ishte paraparë për në Rusi, por për shkak te situatës, është vendosur që të mbahet në Stamboll. Personalisht, këtë vit me Ministrinë e Bujqësisë kam një kontratë për prodhimin e amave për tregun vendas. Për dallim nga Ministria e Bujqësisë, mbështetja financiare e Komunës së Ulqinit ndaj bletarëve ka munguar gjithmonë. Asnjëherë nuk e kemi pasur mbështetjen e Komunës së Ulqinit. Zyrtarisht disa herë i jemi drejtuar për ndihmë sekretariatit përkatës komunal duke menduar se do të na japin vëmendjen e duhur, por nuk kemi marrë asgjë”, thotë me keqardhje Muja.
Si ta dallojmë mjaltin natyral nga ai ëmbëltues (falso)?
Mjalti mund të jetë vetëm natyral, ndërsa të tjerët janë ëmbëltues, shprehet Muja. “Mjaltë artificial nuk ka. I tillë nuk është mjaltë. Një herë, në një panair një „prodhues mjalti“ më thotë: „ Prej 24 komponentëve të mjaltit, vetëm njërën nuk mund ta prodhojmë artificialisht. Por atë mjaltë e përdorim në industrinë e ëmbëlsirave“. Konsumatori i thjeshtë e ka të vështirë ta dallojë mjaltin e vërtetë prej falsifikimeve. Një prej detektimeve është çmimi. Mjalti mund te dallohet vetëm me analiza te hollësishme laboratorike, të cilat në shtetin tonë nuk mund të bëhen”, pohon Muja.
Bleta don shumë punë e shpenzime, por është edhe fitimprurëse
Shpesh, sqaron Muja, njerëzit mendojnë se bleta punon për njeriun dhe vetëm të marrim mjaltin që prodhon ajo dhe ne jemi në rregull. “Bleta don punë permanente, pa u mërzitur. Një rregull thotë: edhe kur nuk ke obligime të tjera ndaj saj, së paku një herë në ditë duhet t’i hedhësh një sy oborrit (parkut) te bletëve dhe të shohësh mos është paraqitur ndonjë problem. Bleta ka mjaft punë, ka shpenzime, do investime. Vazhdimisht duhet të ndjekësh risitë ne bletari në nivelin vendor e botëror. Edhe bletaria si çdo veprimtari ekonomike apo punë tjetër është fitimprurëse, nëse e bën me vullnet dhe dëshirë. Fitimi vjen në vazhdim. Në kushtet tona, në këto hapësira gjeografike, nuk mund të ketë një përfitim aq të madh. Nëse merresh profesionalisht, dmth i përkushtohesh vetëm kësaj veprimtarie, edhe mund të mbijetosh nga ajo”, përfundon Muja.
Gj.Gjonaj