Koha Javore: Z. Gjeka, sapo jeni emëruar ministër i Ministrisë të të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave i Qeverisë së 43-të të Malit të Zi. A mund të na thoni cilat do të jenë prioritetet e punës Tuaj për aq kohë sa do të qëndroni në krye të këtij dikasteri qeveritar?
F. Gjeka: Duke ditur se si ka rrjedhur kriza parlamentare, me një qeveri që u shkarkua në shkurt, mendoj që vetë procesi në të cilin ndodhet Mali i Zi, si i vetmi vend që i ka hapur të gjithë kapitujt drejt integrimit në Bashkimin Evropian, në këtë aspekt edhe Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave është e rëndësishme, dhe është a paanshkalueshme. Sa më afër BE-së, edhe rëndësia e kësaj ministrie ngritet. Kështu që, me detyrat dhe organizimin e ri që do të marrim, mendoj që sa më shpejtë duhet të fillojmë me projekte të cilat janë shumë të rëndësishme. Pra, do të jem afër të gjitha problemeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Do të japim maksimumin në të gjitha detyrat që kemi, për ta shtyrë para gjithë procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Koha Javore: Në gjykimin Tuaj, çfarë janë mangësitë të cilat ju i evidentoni në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Malin e Zi, dhe si do të mund të avanconin ato?
F. Gjeka: Kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, ju e dini se ekzistojnë disa sondazhe që jepen për inferioritetin midis popujve: shqiptarëve, romëve, egjiptianëve, personave me invaliditet, personave LGBT etj, dhe për këtë duhet të punojë Ministria.
Kurse kur bëhet fjalë për popujtë pakicë, ne duhet të fokusohemi tek përfaqësimi, që ai të jetë sa më i madh në nivelin lokal e shtetëror, dhe të mbështeten të gjitha projektet kulturore, arsimore, etj. Më pas rritja e kuotave të studentëve për universitetet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut. Pra, Ministria do të marrë përsipër të qëndrojë afër kërkesave të të rinjve nga Mali i Zi.
Koha Javore: Nga përvoja juaj e deritanishme si deputet dhe si lider i një partie nacionale shqiptare, cila është situata e shqiptarëve në Malin e Zi, përkatësisht statusi i tyre, dhe cili do të jetë angazhimi Juaj si ministër për të permirësuar të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi?
F. Gjeka: Dua të vë theksin më shumë tek problemet ekonomike, që të rinjtë të mos ikin për shkak të papunësisë, sepse të rinjtë duan punë dhe zhvillim ekonomik. Shqiptarët në Mal të Zi e kanë arritur një shkallë kur bëhet fjalë për përfaqësimin, kurse sa u përket të drejtave të shqiptarëve do të thosha se Ligji zgjedhor është pak i komplikuar dhe aty duhet të japim kontributin tonë për të ndryshuar këtë ligj, e po ashtu nga Qeveria e re, edhe në sferën ekonomike mund të kemi fryte, sepse viset ku banojnë shqiptarët janë më të pazhvilluarat në Mal të Zi, duke filluar nga Ulqini, Malësia, etj.
Koha Javore: Si e vlerësoni veprimtarinë e deritanishme të dikasterit që ju aktualisht drejtoni?
F. Gjeka: Nuk po them se do jem më i mirë se paraaedhësit e mi në këtë post, por do të përpiqem që të jem më aktiv dhe më afër problematikave. Mendoj që në këtë proces duhet të jemi më shumë aktiv për problemet e qytetarëve të popujve pakicë, pra për ato detyra që duhet t’i kryej kjo Ministri.
Bisedoi: Toni Ujkaj