Koha Javore: Z. Alaj, jeni një aktor profesionist i diplomuar në Degën e aktrimit në Universitetin e Arteve në Prishtinë. Për të gjithë ata që nuk i njohin fillimet e rrugëtimit Tuaj në këtë fushë, a mund të na rrëfeni diçka për debutimin në skenë si aktor, dhe për mbresat që keni nga ato vite të hershme të fëmijërisë?
B. Alaj: Kam qenë në klasën e tretë të shkollës fillore kur m’u dha mundësia që të bëhem pjesë e një drame që inskenohej në Ditën e shkollës, nga seksioni i dramës. Rastësisht, teksa po i shihja se si nxënësit e tjerë bënin prova, dhe duke qenë se njëri nga nxënësit pjesëmarrës në dramë u sëmur, më ftuan mua që të bëhesha pjesë e asaj drame, e më vonë pjesë e seksionit të dramës. Mbaj mend që isha shumë i frikësuar kur dola në skenë, mirëpo arrita t’a menaxhoj dhe publiku e pëlqeu shumë rolin tim. Edhe pse rol i vogël, unë arrita të ngelja në mendje të tyre. U dashurova me skenën dhe që atëherë nuk u shkëputa nga aktivitetet e shkollës, e sidomos nga seksioni i dramës.
Koha Javore: Pas përfundimit të shkollës fillore, mësimet i vazhduat në Gjimnazin Privat “Drita” në Ulqin. Na flisni pak se si vazhdoi karriera juaj e aktrimit gjatë viteve të shkollës së mesme?
B. Alaj: Në gjimnaz unë gjeta përkrahjen e profesorit të njohur të gjuhës dhe letërsisë shqipe, njëherësh gazetar, Prof. Dr. Haxhi Shabanit, i cili punoi shumë me mua në këtë drejtim, dhe pothuajse arritëm që Ditën e shkollës t’a kthenim në një ngjarje të madhe, kjo falë edhe shokëve të klasës. Duke qenë se kënaqësinë e aktrimit e ndjeja vërtetë, kjo më inkurajoi që të vazhdoj edhe më tutje këtë rrugëtim që kisha filluar që në fëmijëri.
Koha Javore: Rrugëtimi juaj i mëtejshme i aktrimit, vazhdoi në qytetin e Prishtinës, ku në vitin 2015 diplomuat me shfaqjen “Kjo është rinia jonë”, me tekst të Keneth Lonergan dhe regji të Fatos Berishës. Na flisni pak rreth eksperiencës Tuaj gjatë studimeve në Kosovë?
B. Alaj: Unë pata fatin e madh të isha në klasën e profesoreshës, aktores tonë të mirënjohur Ilire Vinca. Ishte diçka krejt ndryshe nga ajo çfarë kisha bërë gjatë tërë atyre viteve në shkollë fillore dhe në gjimnaz. Duke qenë se në qytetin tonë nuk kishim një trupë teatrore, nuk e dija se çfarë më priste, sepse në Ulqin shumë rrallë jepeshin shfaqje. Fillimi ishte i vështirë, mirëpo kanë qenë kolegët në Kosovë ata të cilët më përkrahën vazhdimisht, veçanërisht profesoresha Ilire, por gjithashtu edhe aktori dhe producenti, Fatmir Spahiu, dhe profesorët e tjerë. Kam qenë pjesë e projekteve të shumta teatrore e televizive në Kosovë, ku kisha fatin të njoh shumë regjisorë e producentë.
Koha Javore: Z. Alaj, pas përfundimit të studimeve u rikthyet në qytetin e Ulqinit, ku së bashku me një grup të rinjsh aktor/e, po jepni kontribut në gjallërinë e jetës kulturore e artistike të qytetit. Cilat ishin projekte Tuaja të para pas rikthimit në vendlindje?
B. Alaj: Për fat të madh nuk jam vetëm në këtë fushë, sepse me mua kanë përfunduar studimet edhe Jetmira Hoxha për skenografi dhe Edina Mustafiq për regji teatri. Pra, jemi bërë një grup i mirë, ku po mundohemi që sadopak ta ngjallim këtë pjesën skenike të qytetit. Ia filluam me shumë gjëra të vogla, duke bërë disa komedi të thjeshta, pastaj me situata komike të vendit tonë, bëmë shfaqjen “Sy n’Sy”, një shfaqje satirike e cila trajton dukuritë dhe tematikat që kanë ndodhur tek ne shqiptarët e Malit të Zi. Kjo shfaqje, gradualisht sa vinte dhe bëhej e admirueshme. Pra, e kemi filluar në hollin e Galerisë së Qendrës për Kulturë, për të kaluar në skenën e madhe të saj. Njerëzit e pëlqenin këtë shfaqje dhe vazhdimisht flitej për të. Në Ulqin me ardhjen tonë, dhe këtë e them me modestinë më të madhe, filluan të luheshin shfaqje nga artistë vendas.
Koha Javore: Cila ka qenë njëra ndër shfaqjet Tuaja më të veçanta deri më tani që e keni realizuar si aktor?
B. Alaj: Ndër shfaqjet apo projektet më të veçanta është bashkëpunimi me Teatrin “Korea” në Leqe të Italisë, ku u bëra pjesë e shfaqjes “La Riparazione”, me regjisorin e njohur italian Qezar Brie, dhe kjo shfaqje ishte shkollë në vete. Përveç projekteve teatrore, kam qenë pjesë e projekteve të ndryshme filmike dhe pjesëmarrës në disa seriale. Veçoj këtu serialin, tashmë të mirënjohur “Besa”, ku kisha një rol episodik, pastaj isha pjesëmarrës edhe në filmin kroat “Escort” të regjisorit, Lukas Nola, për të vazhduar me filmin malazez “Sirin” të regjisorit Senad Shahmanoviq, dhe aktualisht jam në pritje të disa projekteve të tjera filmike.
Koha Javore: Sa mendoni se është e zhvilluar jeta kulturore në qytetin e Ulqinit, përkatësisht arti skenik, dhe cilat janë problemet me të cilat ju si aktorë përballeni gjatë veprimtarisë Tuaj?
B. Alaj: Me keqardhjen më të madhe më duhet të them se jeta kulturore në Ulqin nuk është e zhvilluar. Ndoshta për shkak se nuk ka pasur kuadro, pastaj edhe ato kuadro që ishin u larguan, sepse nuk patën përkrahjen e duhur. Tani, meqenëse ne jemi tre artistë të diplomuar në të njëjtin fakultet, jemi në të njëjtën frymë dhe po mundohemi që sadopak ta aktivizojmë skenën e Qendrës për Kulturë. Ka nisur diçka e mirë dhe e re në qytetin tonë. Edhe njerëzit po na japin përkrahje të madhe.
Vështirësia jonë e parë qëndron tek përbërja e grupit, domethënë, na duhet të kërkojmë njerëz të cilët me të vërtetë e duan këtë punë, dhe që kanë dëshirë të merren me aktrim të profileve të ndryshme. Mirëpo, entuziazmi dhe dëshira për aktrim tejkalojnë çdo sfidë dhe vështirësi për të vazhduar punën në këtë drejtim, me synim që në të ardhmen të sjellim gjenerata të reja të aktorëve në qytet.
Koha Javore: Çfarë mund të presin nga Ju në të ardhmen admiruesit e aktrimit të Ulqinit?
B. Alaj: Kohëve të fundit po koncentrohemi shumë në projektin “Sy n ‘sy me Bashkimin”, një “talkshow” satirik, ku po përpiqemi të sjellim freski tek ne. Episodi i parë veç është realizuar, dhe tani po përgatitemi edhe për të tjerët, me të ftuar të ndryshëm: politikanë, artistë, shkrimtarë, etj.
Intervistoi: Toni Ujkaj