Prilli sikur rikthen kujtesën në ngjarjet e dhimbshme të së kaluarës, sepse në këtë fillim prill përkujtuam njërën ndër masakrat më të mëdha kundër shqiptarëve, masakrën e 77 viteve më parë në Tivar. E sot po rikujtojmë viktimat e gjenocidit serb, të vrarët e pranverës 1999 në Malësi të Rozhajës.
Ushtria serbe kishte betonuar kufirin në mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke ngritur post-blloqet në të gjitha rrugët kryesore, për të përcjellë çdo lëvizje të të përndjekurve nga dhuna dhe terrori i saj në Kosovë. Gjatë muajve mars-maj 1999 në zonën e Malësisë së Rozhajës vriten 21 shqiptarë. Në mesin e tyre dy gra të moshuara, 18 burra dhe një fëmi.
Kolona e mbi 50 refugjatëve në Husaj, sulmohet me datë 18 prill 1999, ku mbesin të vrarë: Nemke Brahimaj, Rexhep Brahimaj, Mursel Brahimaj, Sherif Brahimaj, Milazim Pelaj dhe Labinot Kastrati. Në Qafë të Hajlës vriten: Sokol Lajçi, Ramë Lajçi dhe Tane Husaj, ndërsa në Pas Hajlë vritet Ramiz Brahimaj. Në Bukel të Sipërm vriten Afrim Gjuraj dhe Selim Kelmendi. Në Fushë të Gilit vriten: Faruk Murati, Arif Arifaj, Mehmet Rexhaj, Ajet Rexhaj, Hetem Rexhaj dhe Arif Hysenaj. Në fshatin Besnik vritet Musë Rexhaj. Në vendin e quajtur Bjeshka e Thatë vritet Muhamet Blakaj, kurse trupi i Sadik Ramçaj nuk është gjendur ende sot e kësaj dite.
Mbi dhjetëra refugjatë u plagosën rëndë gjatë sulmeve. Me dhjetëra të tjerë u burgosën dhe u rrahën brutalisht. Shumë nga ta edhe u plaçkitën.
Aparatura kriminale jugosllave kishte edhe një tjetër synim që këtë zonë ta shpopullonte nga shqiptarët etnikë, për çka banorët e këtyre fshatrave i detyruan të largoheshin duke ju dëmtuar shtëpitë dhe pasurit e tyre.
Për këto krime gjykata e Malit të Zi ka ngritur aktakuzë me ç ‘raste edhe janë arrestuar disa nga përgjegjësit kryesorë të ushtrisë serbe, por përkundër dëshmive dhe argumenteve të dorës së parë, drejtësia nuk ka kryer detyrën e saj si duhet.
Prandaj në mënyrë që familjarët e të vrarëve sadopak të zvogëlojnë dhembjet e tyre për humbjen e më të dashurve ,këto krime duhet gjykuar nga Tribunali i Hagës dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar.
Duke përkujtuar këto ngjarje të vrasjeve të shumë njerëzve të pafajshëm , ndodhen edhe vrasjet e burrave, grave të moshuara ,sikur edhe shumë fëmijëve. Atë ditë, pikërisht me 18 prill u vra fëmiu 13 vjeçar Labinot Kastrati , i cili së bashku me nënën dhe motrat ishte i vendosur muaj më pare në shtëpinë e Bekë Lajçit dhe kishte lejen e qëndrimit si i dëbuar nga Kosova…
H. Lajçi