Pishtare e arsimimit shqip të femrave në krahinën e Plavës dhe Gucisë

Shaban Hasangjekaj

Çështja e analfabetizmit të popullatës dhe e emancipimit të femrës shqiptare ndër banorët e trevës së krahinës së Plavës dhe Gucisë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë preokupim dhe brengë shumë e shprehur. Mirëpo, me hapjen e shkollave katërklasëshe në gjuhën shqipe në vitin 1945/46 në fshatrat Vuthaj dhe Martinaj, e ca vite më vonë edhe shkolla tetëvjeçare në Guci, në të cilat në procesin edukativo arsimor janë përfshirë numër i konsiderueshëm vogëlushësh të moshave të ndryshme, por shumë i vogël i vashëzave, problemi i analfabetizmit, pak a shumë filloi të zbutet. Gjeneratat e para të nxënësve në shkollat e sipërpërmendura kryen arsimimin fillor tetëvjeçar, disa prej të cilëve edhe shkollat e mesme të ndryshme në gjuhën shqipe, në qendrat e ndryshme të Kosovës, e madje edhe ngritjet shkollore superiore në shkollat e larta dhe fakultete të ndryshme, po ashtu në Kosovë, por mjerisht ndër ta asnjë femër (vajzë).
Shkollimi fillor në gjuhën shqipe edhe pse në kushte të vështira u zhvillua me entuziazëm dhe vullnet të dukshëm, gjithnjë deri në vitin shkollor 1956/57, kur Qeveria e atëhershme e Malit të Zi ndaloi zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe në shkollën fillore katërklasëshe në Martinaj dhe në atë tetëvjeçare në Guci, por jo edhe në atë katërklasëshe në Vuthaj. Shumë nxënës (djem e vashëza) të fshatit Vuthaj ndërprenë shkollimin e mëtejmë tetëvjeçar në Guci, kurse shumica e tyre në fshatin Martinaj u detyruan që në ciklin e ultë dhe të lartë në Guci, mësimet t’i ndjekin në gjuhën jo amtare (serbo-kroate).
Gjendja e tillë zgjati gjithnjë deri në fillim të vitit shkollor 1959/60 (plot tre vjet), kur sërish në shkollën fillore tetëvjeçare të Gucisë, mësimin në gjuhën shqipe e hapën pishtarët dhe entuziastët e arsimit shqip, mësimdhënësit e rinj Ramadan Gjonbalaj, Ramë Qosaj dhe Hysen Novaj (ish-nxënës të kësaj shkolle), të cilët aso kohe në supet e veta ngarkuan tërë barrën e edukimit dhe arsimimit në ciklin e lartë fillor në këtë anë. Theksojmë se edhe në shkollën fillore katëklasëshe në Martinaj njëkohësisht vazhdoi mësimi edhe në gjuhën shqipe.
Kështu, disa nxënës të klasave të larta që kishin braktisur shkollimin në gjuhën e atëhershme serbo-kroate, iu rikthyen shkollimit në klasat përkatëse në gjuhën e vet amtare, duke iu përveshur mësimit në gjuhën shqipe. Por, jo vetëm këta, por edhe disa të moshuar, meqë u hap shkolla e natës për të rritur në Guci. Si të ishte ndonjë kushtrim – thirrje për të gjithë shqiptarët. Shumë djelmosha dhe burra lanë bagëtinë e punët bujqësore dhe ia mësynë shkollës, dikush ciklit të ultë, dikush atij të lartë të fillores, e dikush shkollës së mesme. Dhe kështu, dhjetëra burra shqiptarë nga krahina e Plavës dhe Gucisë ia mësynë shkollës së mesme kryesisht në Pejë, Gjakovë, Prizren e Mitrovicë, por ende jo edhe ndonjë vajzë.
Megjithatë, nuk kaloi kohë e gjatë, vetëm dy vjet e vëllai Idrizi nga fshati Vuthaj, e ngazëlleu dhe e motivoi motrën e vetme të re, Talen, për t’u shkolluar, e cila më parë në Guci kishte kryer në gjuhën shqipe rregullisht klasën e pestë, duke i thënë: “Nuk je e moshuar, edhe pse je e rritur. Je 14 vjeçe, mund të mësosh. I kryen privatisht klasën e gjashtë, shtatë dhe të tetë dhe vjen me mua në Prizren. Atje ka nxënëse shumë të mira të cilat shpesh më pyesin se a kam motër dhe se a ka qejf të shkollohet. E unë u kam thënë se kam motrën të cilën do ta bindi që edhe ajo vitin e ardhshëm të vijë për të vazhduar shkollën, sepse ka qejf me u ba mësuese”. Dhe ashtu edhe ndodhi. U bind vajza e Malësisë, u bindën edhe nëna e vëllezërit, dhe Talja e cila gjatë dy viteve shkollore privatisht kreu tri klasët e fundit të shkollës fillore me sukses.
Në vitin shkollor 1961/62, vëllai Idrizi, Talen e regjistron në Shkollën Normale (të mësuesisë) “Dimitrije Tucoviq” në Prizren, ku edhe vet ishte nxënës i rregullt i klasës së dytë. Mirëpo, u shtrua pyetja se çka ndodhi pastaj? Gjithçka. Sepse në fshat flitej se mund të ndodhë edhe më e keqja, nëse Talja nuk është kurreshtare dhe e kujdesshme. Madje, disa kushërinj të afërm e “leçitën” vëllain e madh të Tales. Nuk e ftuan as në prashë të arave, as në kosë të livadheve e as në dasmë dhe as në dekë, për shkak se e kishte çuar motrën në shkollë. Dhe kaloi gjysmëvjetori i parë, e vëlla e motër nga Prizreni kthehen që pushimin shkollor ta kalonin në vendlindje – në Vuthaj, te nëna dhe vëllezërit. Besa veç që s’u mërdhinë gjatë rrugës së gjatë e të vështirë në këmbë nëpër bjeshkë të larta me borë, prej Pejës e deri në Vuthaj. Rrugë e gjatë dhe e mundimshme ishte ajo. 14 orë e gjysmë nëpër Grykë të Rugovës e Qafë të Diellit deri në shtëpi të tyre. Por, megjithatë, në shtëpi kishin mbërritur shëndosh e mirë, të gëzuar dhe të lumtur, edhe përkundër lodhjes nga udhëtimi i gjatë. E kur morën vesh se kanë ardhur, fshatarët vuthjanë ia mësynë shtëpisë së tyre, dikush nga kurreshtja, e dikush për të parë se mos ka ndodhur ndonjë gjë e keqe. Por, kur i panë se vërtetë ishin shëndosh e mirë, u gëzuan, i përqafuan, derisa u shkuan edhe lotët prej gëzimit.
Në ato vite, shkuarja e Tales në shkollë të mesme në Prizren, ishte befasi e madhe për gjeneratat e moshuara, kurse ato të rejat e mbështetën dhe e përkrahën me shumë respekt dhe admirim.
Kështu, Tale Xhemë Ulaj, theu akullin e prapambeturisë, patriarkalizmit dhe bestytërive dhe dogmave të hendakrosura fetare, si vajzë e parë shqiptare në trevën e krahinës së Plavës dhe Gucisë duke vazhduar shkollimin falë mirëkuptimit të familjes – nënës Sofi dhe vëllezërve Sadrisë, Rrustemit e sidomos Idrizit, të cilit i takojnë meritat më të mëdha në këtë drejtim. Talja u bë vajzë në zë, shembull për të mirë. U paraqit emri i Tales nëpër faqe të gazetave. Emri i vajzës vuthjane e cila theu akullin shekullor, kreu rregullisht shkollë normale me sukses shumë të mirë dhe ëndrra e saj e kamotshme për t’u bërë mësuese u bë realitet. Ajo u bë mësuesja e parë shqiptare e diplomuar në trevën e nënqiellit rrëzë dhe përballë Alpeve të thepisura shqiptare.
Kështu, pas Tales, e cila kishte hapur rrugëtimin e dritës dhe dijes, ambicia, vullneti dhe interesimi për shkollim ndër vashëzat shqiptare të trevës së Plavës dhe Gucisë ishte gjithnjë e më i madh. Talja gjithsesi ishte idol i tyre, si vajza e parë e cila kishte braktisur detyrën e ruajtjes së përditshme të tufës së deleve dhe punëdoren e zakonshme të nusërisë e kishte zëvendësuar me libër, laps e fletore dhe mjete të tjera shkollore. Rrugën e saj më pas e vazhduan edhe ca vajza të tjera: Lirie Çelaj në Shkollë Normale të Gjakovës, Bjeshkë dhe Dushe Gjonbalaj në Shkollë Normale të Pejës, Misire (Sadete) Hasangjekaj në Shkollën Normale të Mitrovicës, etj. Dhe kështu gjatë viteve 1969-1970 u mbushën edhe me nxënës e studentë shqiptarë dhe shqiptare të Plavës dhe Gucisë, shkollat e mesme, të larta dhe fakultetet e Kosovës, saqë pjesëtarët e komuniteteve të tjera kombëtare ua kishin zili për shkollimin e tyre masiv. Dhe kishin të drejtë sepse gati çdo shtëpi shqiptare nga kjo anë kishte një e më shumë nxënës apo studentë nëpër shkolla të mesme e fakultete, të cilët pas përfundimit të tyre, fitonin tituj profilesh të ndryshme profesionale, mësues, profesorë, inxhinierë, mjekë, juristë, ekonomistë, por edhe gazetarë, poetë, shkrimtarë dhe doktorë shkencash. Vërtetë ishte dikur, kur edhe Talja u diplomua në fakultet për juriste, Vera Ahmetaj për mjeke, etj.
Përndryshe, Tale Xhemë Ulaj – Ahmetaj, u lind në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë, më 15 shkurt 1946, nga e ëma Sofi Balidemaj – Ulaj dhe i ati Xhemë Ulaj. Në moshën gjashtëmujore mbeti jetime me motrën Fatime dhe vëllezërit Rrustemin dhe Idrizin, ngase i ati i tyre Xhema u vra në fund të Luftës së Dytë Botërore. Siç u theksua më lart, Talja katër klasët e ciklit të ulët 1-4 të shkollës fillore i kreu në vendlindje – Vuthaj, katër klasët e ciklit të lartë të shkollës fillore (të pestën rregullisht dhe të gjashtën, shtatën, tetën privatisht) në shkollën tetëvjeçare në Guci. Shkollën Normale pesëvjeçare (të mësuesisë) “Dimitrije Tucoviq” në Prizren, të cilën në afat të rregullt e kreu me sukses duke u diplomuar për mësuese në qershor të vitit 1966.
Mësuesja e re, më 1 shtator të vitit 1966, pranohet mësuese në ShkollënFfillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci. Gëzimi ishte i papërshkruar për Talen, për farefisin e saj të afërt dhe për të gjithë shqiptarët e trevës së Plavë-Gucisë. Mësuesja e re, të cilës iu besua udhëheqja e paraleles së kombinuar me klasë të parë dhe të dytë, me autoritet të madh ishte e përgatitur për zhvillimin e mësimit në bazë të kërkesave pedagogjike. Ajo bëhet simbol i diturisë, i emancipimit dhe i pastërtisë morale. Puna e saj respektohet nga nxënësit, nga mësimdhënësit dhe nga tërë popullata e Plavë-Gucisë.
Talja, mësuesja e parë shqiptare në trevën e krahinës së Plavë-Gucisë, jep mësim vetëm një vit shkollor në shkollën e Gucisë, meqë në ndërkohë martohet me bashkëvendësin e vet vuthjan, inxhinierin Mustafë Elez Ahmetaj, i cili asaj kohe ishte drejtor i Ndërmarrjes së komunikacionit ndërurban “Kosovatrans” në Prishtinë. Në vitin 1967 punësohet mësuese në shkollën fillore të fshatit Nëntë Jugoviq (tani Bardhosh), ku punon rreth gjashtë muaj dhe udhëheq klasën e pestë, meqenëse deri atëherë aty ekzistonte vetëm shkolla fillore katërklasëshe. Nga gjysma e shkurtit të vitit 1968 e deri në gusht të vitit 1970, Talja punon në shkollat fillore të Kishnicës dhe Graçanicës, në detyrën e mësueses së gjuhës shqipe. Prej vitit 1970 e deri në fund të vitit 1983, punon si bibliotekiste në Shkollën e Mesme Teknike “19 Nëntori” në Prishtinë.
Pas përfundimit të studimeve me korrespodencë në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe diplomon në vitin 1983, më 1 janar të vitit 1984, si juriste e diplomuar punësohet në Industrinë e Tekstilit “Kosovka” në Prishtinë, ku punon deri në daljen në pension të parakohshëm më 31 dhjetor të vitit 1997.

Të fundit

më të lexuarat