Optimizimi i procesit me metodën 5S

5S nuk është një projekt i cili përdoret vetëm një herë, por pjesë e filozofisë japoneze Kaizen, që do të thotë përmirësim i vazhdueshëm. Kjo është një filozofi biznesi që duhet të jetohet nga menaxhmenti dhe punëtorët për të arritur sukses. Në vete i integron të gjitha fushat e një kompanie, përfshirë menaxhimin, shitjet, marketingun, blerjen, shpërndarjen, shërbimin dhe prodhimin

Për Koha Javore: Fiqret Mujeziqi /Shtutgart

(vijon nga numri i kaluar)
Në filozofinë “Lean Management” janë të njohura metodat japoneze 5S, të cilat fillimisht zbatoheshin në gjigantin japonez të industrisë automobilistike “Toyota” nga Taichi Ono dhe sot ato janë metoda bashkëkohore në prodhim dhe shërbime. Fillimisht u përdor në objektet e prodhimit, por është bërë gjithnjë e më popullore në kompanitë e shërbimit dhe softuerëve në vitet e fundit. 5S nuk është një projekt i cili përdoret vetëm një herë, por pjesë e filozofisë japoneze Kaizen, që do të thotë përmirësim i vazhdueshëm. Kjo është një filozofi biznesi që duhet të jetohet nga menaxhmenti dhe punëtorët për të arritur sukses. Në vete i integron të gjitha fushat e një kompanie, përfshirë menaxhimin, shitjet, marketingun, blerjen, shpërndarjen, shërbimin dhe prodhimin.
Objektivat kryesore të metodës 5S janë rregullsia dhe pastërtia, cilësia, ergonomia në vendin e punës, efikasiteti, efektiviteti i kostos dhe siguria në punë. Kjo e bën “Lean Management” një qasje më të thelluar sesa menaxhimi themelor i cilësisë. Qëllimi është të krijojmë vende pune që prodhojnë produkte me cilësi më të lartë, në kohën më të shkurtër të mundshme dhe me nivelin më të lartë të sigurisë! 5S ndjek gjithashtu një vizion të caktuar. Ky vizion i metodës Lean Management 5S është veçanërisht i dukshëm në kërkesat e mëposhtme:
• Ajo që është e panevojshme mënjanohet
• Një vend i pastër i punës
• Mbeturinat janë qartë të dukshme
• Sa më pak letër në vendin e punës
• Informacioni mund të merret shpejt dhe me lehtësi
• Procedurat rutinore janë të lehta për t’u kuptuar dhe vizualisht të kuptueshme
• Devijimet nga standardi mund të njihen në shikim të parë
• Vendi i punës është i këndshëm dhe stimulues ( https://lean-managementmethode.de/lean_methoden_werkzeuge/5s_methode/)
Shpeshherë ndodh që në vendin e punës të kemi gjësende të ruajtura me vite, të cilat na pengojnë në kërkim të asaj çka na nevojitet dhe për çka kemi nevojë. Këto duhen mënjanuar menjëherë.

Tipi i nëpunësit me syze të rrumbullakëta me një grumbull letrash përpara, ulur në një tavolinë prej druri në një zyrë të errët, mund të takohet në veprat e Balzakut apo klasikëve të tjerë, por jo në ditët e sotme. Zyrtari bashkëkohor është vital, i shpejtë dhe fleksibël për t’u ambientuar në vendin e punës. Ambienti i punës është i këndshëm, por vendi i punës duhet të jetë mobil, bile preferohet “Home Office”, ose puna nga shtëpia si mënyrë bashkëkohore që ndikon në efikasitetin në punë dhe uljen e shpenzimeve për ndërmarrjet


Një vend i pastër i punës, përveçse jep kënaqësi të brendshme dhe disponim në punë, na mundëson të jemi më efikas në veprim dhe çdo gjë e panevojshme bie lehtë në sy si një çrregullim.
Grumbujt e letrave në vendin e punës po ashtu janë një pengesë në efikasitetin në punë, sepse humbim kohë të panevojshme duke kërkuar, prandaj mënyra më e mirë për të marrë informacione është ajo elektronike.
Procedurat duhet të jenë të thjeshta dhe vizualisht të kuptueshme, ku çdo interpretim i gabuar bie menjëherë në sy dhe tregon nëse ka devijime nga standardet.
Sot kudo shohim ndërtesa të mëdha me mure prej qelqi, për të mundësuar hyrjen e dritës në ambiente dhe për të mundësuar pamjen nga brenda të natyrës përreth. Vendi i punës është ambientuar me natyrën, kështu që punëtorëve u ofrohet një panoramë, pamje e bukur dhe paraqet një stimulim për disponimin e mirë. Tipi i nëpunësit me syze të rrumbullakëta me një grumbull letrash përpara, ulur në një tavolinë prej druri në një zyrë të errët mund të takohet në veprat e Balzakut apo klasikëve të tjerë, por jo në ditët e sotme. Zyrtari bashkëkohor është vital, i shpejtë dhe fleksibël për t’u ambientuar në vendin e punës. Ambienti i punës është i këndshëm, por vendi i punës duhet të jetë mobil, bile preferohet “Home Office”, ose puna nga shtëpia si mënyrë bashkëkohore që ndikon në efikasitetin në punë dhe uljen e shpenzimeve për ndërmarrjet.
Çka do të thotë metoda 5S dhe si ndikon në procesin e optimizimit?
Metoda 5S e ka marrë emrin nga pesë fjalë japoneze. Akronimi qëndron për termat japonezë: Seiri, Seiton, Seiso, Seiketsu, Shitsuke (https://de.wikipedia.org/wiki/5S).
Në gjuhën shqipe më së miri i përshtaten këto terma që fillojnë me germën S:

  1. Seiri = sortojmë (ajo çka nuk është e nevojshme, largohet nga ky vend)
  2. Seiton = seleksionojmë (ajo çka është e nevojshme vendoset në vendin e vet)
  3. Seiso = spastrojmë (mbajmë të pastër vendin e punës)
  4. Seiketsu = standardizojmë
  5. Shitsuke = sistematikisht përmirësojmë (vetëdisiplinë).
    Veprimi i metodave 5S në mënyrë grafike paraqitet më poshtë në grafikun 1.1. Siç mund të shihet nga ky grafik, veprimet ndërmerren ”hap pas hapi” dhe janë të ndërlidhura, kurse qëllimi është vetëdisiplina që shfaqet si përmirësim në vazhdimësi. Këto veprime bëjnë të mundur arritjen e përmirësimeve të vogla por domethënëse dhe pa njohuri të thella. Në qoftë se nuk krijojmë vetëdisiplinë, i tërë procesi vihet në rrezik.
    I gjithë procesi i metodave 5S është një proces që nuk merr fund asnjëherë, por çdoherë duhet shkuar me ide të reja të cilat të gjithë procesin e bëjnë më të thjeshtë, më të kuptueshëm dhe më të përdorshëm.
    Për ta pasur më të qartë veprimin e metodave 5S shkojmë hap pas hapi për të treguar domethënien e fjalëve që kemi paraqitur në grafik:
    Seiri – është hapi i parë, që do të thotë i sortojmë dhe i mënjanojmë të gjitha gjësendet e panevojshme. Ndryshe ky quhet edhe pikat e kuqe, ku me ndihmën e ngjyrës së kuqe bëjmë etiketimin e sendeve të panevojshme të cilat duhet mënjanuar, sepse pengojnë në proces.
    Seiton – ajo që në të vërtetë është e nevojshme merr një vend të mirëpërcaktuar, të kontrolluar dhe të shënuar nga një këndvështrim ergonomik. Gjësendet duhet t’i kemi afër dhe lehtësisht të disponojmë me to.
    Seiso – të gjithë pastrojnë vendet e tyre të punës dhe veglat e tyre të punës. Defektet njihen, shënohen dhe përpunohen vazhdimisht. Pastrimi shërben për provë dhe shërben si instrument matës për të treguar se deri ku kemi mbërritur.
    Seiketsu – do të thotë i standardizuar. Kjo do të thotë të përdorni shënjime, etiketa dhe shënues të qëndrueshëm në të gjithë vendin e punës, në çdo kohë. Pastrimi i vazhdueshëm parandalon që sendet e reja të gjejnë qasje të paplanifikuar në vendin e punës. Në këtë rast shënohen vendet ku janë gjësendet e nevojshme, ashtu që mungesa e tyre bie menjëherë në sy.
    Shitsuke – vetëdisiplinë dhe përmirësim i vazhdueshëm (Kaizen). Për të ruajtur rendin dhe pastërtinë, kërkohet disiplinë. Nëse një shenjë (qoftë numër, skicë, figurë etj.) përcaktohet për një mjet, gjithmonë i përket atij. Nëse shenja është e zbrazët, menjëherë vërehet mungesa e gjësendit. Gjatë kryerjes së kontrolleve të rregullta, menjëherë vërehen devijimet. Devijimet e zbuluara duhet të eliminohen. Metodat e paraqitura respektohen vazhdimisht çdo ditë. Niveli tjetër i metodës 5S arrihet duke nxitur një kalim tjetër të 5S për të arritur një nivel edhe më të lartë të shkallës që duam të arrijmë.
    (vijon)

Të fundit

më të lexuarat