
Halit Beci u lind në Ulqin, më 1930.
*Tanë t’ parët tonë kanë qenë detarë.
*Kemi heqë keq nepër det, tash është kënaqësi.
*Pasanikët ma të mëdhenj me barka kanë qenë në Mëhallë të Re dhe në Mera.
*Më merr malli për det, por vjetët!..
*E kam detin afër, dal në breg dhe e heq mallin.
Halit Beci është detari më i moçëm i gjallë i farefisit Beci. Ai mburret me traditën detare të familjes. Që në fillim të bisedës na e jep një fotografi të një barke të madhe me vela e cila e kishte pasur emrin në gjuhën shqipe “Urshaja e Detit”.
Zotëri Haliti, duke e ditur interesimin e gazetarit, sa më dikton:
Rodi. Prej rodit (farefisit) prej nesh, familjes Beci i pari kapidan ka qenë Ismail Beci, sa mbaj në mend unë, nëse s’ ka qenë ndokush përpara tij. Ai e kishte barkën e vet me vela, tregtare. E kishte emrin “Urshaja e Detit”, ja, pra, fotografia.
Mbas tij (Ismailit), djali i tij Mehmeti (është fjala për atë udhëheqësin e Ulqinit me Mehmet Gjylin), edhe ai i ka pasur barkat e veta. Një gjë e di, kur kanë hyrë këtu në Ulqin malazezët, ai ka dalë prej këtu, në Shkodër me 12 anije të tonazheve të ndryshme. Ato kanë qenë pronë e tij. Rodi jonë në Mbrojtjen e Ulqinit i ka humbur shtatë anije. As Mehmeti, asnjë barkë nuk është kthyer më në Ulqin. As ai, e as Mehmet Gjyli, me të cilin i kanë udhëhequr Luftërat e Ulqinit (1878), kur malazezët e kanë djegur Mëhallën e Re dhe kundër turqve (1880), që të mos i dorëzohet Ulqini Malit të Zi, mos ta shkelë Mali i Zi Ulqinin.
Mehmeti s’ka ble shtëpi në Shkodër dhe ai gjithmonë ka thënë se shtëpinë e ka në Ulqin. Ai ka banuar në Mëhallë të Re dhe më s’i ka themelet, i janë rrënuar.
Familja e Halitit. Stërgjyshi: Memini; Gjyshi: Beqiri. Të gjithë janë marrë me detari. Edhe bijtë e tyre janë marrë me detari: Sylejmani dhe Ibrahimi (Bimi), babai im, ndërsa djali i tretë Rashidi, s’ka qenë detar; ka vdekur i ri. Axha Sylejmani dhe baba Bimi kanë punuar në barkën e Mehmet Becit, që, më duket se e ka pasur emrin “Luani i Detit”. Sylejmani ka qenë nostrum, e baba – marinar. Barka ka qenë e madhe dhe kanë lundruar nëpër Mesdhe. Me barkë me vela e kanë kaluar edhe Bosforin e Dardanelet dhe kanë dalë në Detin e Zi. Unë jam duke biseduar se çka kam dëgjuar prej axhës dhe prej babës, paçin rahmet. Kanë qenë në Misir, në Aleksandri dhe deri në Rusi. Rusët e digjnin grurin, thoshte baba, për të mos i ulej çmimi në treg. Në barkat e Mehmet Becit kanë punuar edhe shumë ulqinakë të tjerë si: Tahiri i Jakup agës, Shaqir Myrteza; s’po më kujtohet më ndonjë emër.
Barka e vogël. Pasi kanë punuar me Mehmet Becin, axha dhe baba e kanë ble një barkë të vogël, s’e di se çfarë tonazhi, por ka qenë me vela, me një direk, dhe kanë punuar, kanë shkuar nëpër brigjet e Shqipërisë e të Dalmacisë.
Në kohën e Austrisë – tre vjet burg. Baba dhe axha, kur janë kthyer nga lundrimi në Shqipëri, te Guri i Gjeranave i ka dalë sotomarina (nëndetësja) austriake dhe ka gjuajtur në ta, që të ndalen; i kanë zënë dhe i kanë lidhur mbrapa, e i kanë çuar në Kumbor (Grykë e Kotorrit) dhe aty ata kanë qëndruar në burg – tri vite, shkaku pse e kanë kaluar kufirin ilegalisht! Kur kanë dalë prej burgut, pas tri viteve, e kanë gjetur barkën të gastuar (në Kumbor) në gjendje “më të mirë” seç e kanë lënë. Nga barka s’u ka munguar asgjë, asnjë perper, asnjë fishek nga çiftja që e kanë pasur në barkë. Ia kanë ruajtur ushtarët austriakë. Burgun e kanë bërë në Kala të Kotorrit.
Dy vëllezërit ndahen. Mandej edhe janë ndarë dy vëllezërit. Axha Sylejmani e ka pasur vetëm një djalë – Beqirin. Syla e ka pasur një barkë, fllugë të madhe, me një vel, pa makën, nja 180-200 tonësh. Ka punuar me djalin Beqirin. Beqiri është marrë me detari. I ka lënë dy djem, të cilët merren me tregti dhe turizëm.
Ibrahimi (Bimi). Baba ka jetuar 84 vjet. Ka vdekur më 1962, në Ulqin. I ka lënë pesë djem. Katër nga ne: Memini, Rexhepi, Meti dhe Haliti (unë) jemi marrë me detari. Iljazi, i pesti, ka punuar në Kripore. Memini ka qenë “makës” (makinist) në jahtin e mbretit të Egjiptit, Farukut. Jahti është thirrur “Nimet Allah”. Rexhepi ka lënë dy djem dhe më i madhi, Shyqeriu (Çyli), ende lundron; ndërsa djali i dytë, jo. Mehmeti ka jetuar në Split, atje ka vdekur, e ka pasur gruan dalmatine dhe ka lënë një djalë, jeton atje.
Haliti: Dita e parë në det. Ka qenë pranverë, më 1942/43, kam qenë 12/13 vjeç, kam hyrë në barkën tonë, e ka pasur emrin nashke “Sretna” – Dubrovnik. E ka pasur blerë baba në Cavtat, prej familjes Moreti, italian, ta kallëzon mbiemri. Ka qenë katërvagonash, me vel e me motor (Baba e ka pasur më përpara një barkë me vel, fllugë e madhe, por unë s’di gjë për të, s’e kam mbërritur). Me këtë barkë, “Sretna” – Dubrovnik, kemi punua me vëllezërit e mi.
Barkën e kanë marrë gjermanët. Në fillim të ‘45-tës barkën na e kanë marrë gjermanët, në Bunë; e kanë marrë se u ishte dashur për transport dhe e kanë çuar, kur është tërheqë gjermani, dhe në Llapad (Dubrovnik), mandej e kanë minuar dhe e kanë humbë (fundosur). Rexhepi (vëlla prej babe) ka punuar në “Llovqen” – Kotorr. Ka punuar si kapidan.
“Llovqen” – Kotorr. Në fillim të ‘48-tës, para ushtrie, kam filluar në “Llovqen” – Kotorr, nëpër barka të vogla, nëpër brigjet e Dalmacisë. Aty kam punuar deri në vitin ‘50, në muajin e gjashtë. Kam shkuar në ushtri, tri vjet, në Marinë.
Pa punë. Kur kam ardhur prej ushtrie, kam qenë pa punë; nja dy vjet kam pritur; s’ ka pasur punë; zor ka qenë të gjendej punë.
Kotorri. Atëherë kam shkuar përsëri në këtë ndërmarrje – “Llovqen” – Kotorr. Aty kam punuar, nepër barkat e vogla, 4-5 vjet (1956-1961).
Vapori i parë. Në këtë ndërmarrje, për herë të parë jam barkuar në vapor. Ndërmarrja i ka pasë blerë tre vapore. Unë kam punuar së pari në vaporin që është thirrur “Muo” (emër i periferisë së Kotorrit); ishte vapor për lundrime të gjata. Kam punuar në të 1-2 vjet, duke lundruar nepër Mesdhe.
Tivari. Në fillim të ‘62-tës është formuar “Prekookeanska” – Tivar. E kam lëshuar Kotorrin dhe kam ardhur në fillim të “Prekookeanskës”. Vapori i parë ka qenë “Bar”. Aty kam qenë si “kormillar” (timonier). Në këtë vapor kam qenë nja 1-2 vjet. Mbas këtij vapori kam shkuar në “Mojkovac”. Më vonë kam shkuar në “Piva”,“Tara”,“Kolashin”, “Rumija”… Puna më e vështirë ka qenë në “Bar”, “Piva” e “Tara”, sepse kanë qenë të vjetër, pa ndonjë mekanikë moderne. Kam qenë edhe në vaporet “Kolashin” e “Beograd”.
Trageti “Sveti-Stefan”. Në tragetin “Sveti-Stefan” të Tivarit, në relacionet Tivar – Bari (Itali), atë vijë e kemi pasur nga dy herë në javë, kemi shkuar e kemi ardhur. Puna në det është e vështirë boll, por në traget është edhe më e vështirë, se njerëzit, pasagjerët janë të këqij boll.
“Ribnica” – tanker. Kam punuar në një vapor specifik, të llojit të veçantë – “Ribnica”, të cilin e kanë pasë blerë në Spanjë. Ka qenë tanker. Kemi bartur naftë. Ka qenë punë e vështirë. S’është guxuar të pihet duhan. Kur është blerë vapori, na kanë çuar në Bilbao (Katalonia – Spanjë) mua edhe 3-4 drejtues të vaporit dhe të makinës, që të njihemi me punën në këtë tip anije, sepse në ndërmarrje s’ka pasë anije të këtij lloji. Anija ka qenë në remont dhe ne kemi qëndruar, kemi ushtruar 6 muaj. Pronari spanjoll quhej Pedro, ishte nga Santanderi. Tankeri ka qenë mbi 20.000 tonësh. Në Santander kemi ndenjur nja 3-4 muaj, derisa është bërë kontrolli teknik i vaporit. Mbas gjashtë muajsh ka ardhur edhe ekuipazhi tjetër, jemi bërë komplet 41 vetë, e kemi qëndruar në “dok” (shkiverrë) 11 muaj. Në këtë tanker kam punuar nja 16 muaj. Prej Spanje kemi shkuar në Itali. Në Livorno kemi ngarkuar naftë dhe kemi shkuar në Savana (Amerika Veriore). Kemi kaluar nëpër Atlantik, pastaj nëpër Gjirin e Meksikës, kemi lundruar 13-14 ditë e net.
Rreziqet. Ka pasur rreziqe, si gjithmonë, por më ka ndodhur që – prej Panamaje e deri në Shangai (Kinë) – të lundrojmë nepër oqean të qetë, në det të qetë, pa asnjë tallas.
Kam qenë: në Kinë, Filipine, Vladivostok (në Rusi, në Detin e Ngrirë); në të gjitha kontinentet. Edhe në Suedi, në Veri, kam qenë. Në Malme kam takuar ulqinakë, të emigruar prej kohësh, kanë shkuar atje për të gjetur punë, për rrnesë.
Shokët në vapore. Shokë nëpër vapore kam pasë: Zhemal Idrizagën, pastë rahmet, Adem Demën, Ismail Dervishin, Shaban Sukaliqin, nga rrethina, e të tjerë: kroatë, malazez…
Kam lundruar nja 30 vjet. E kam lanë lundrimin për shkaqe shëndetësore.
Kriporja. Në Kriporen “Bajo Sekuliq” të Ulqinit kam ardhur më ‘82-shin. Kam punuar nja 10 vjet. Aty jam pensionuar, mbas punës në pompa.
Malli për det. Më merr malli për det, por vjetët… E kam detin afër, dal në breg dhe e heq mallin. Kohën e kaloj me pensionistët: tregtarë, esnafë, detarë, me shokë të moçëm.
Detari nga Mëhalla e Re, Halit Beci jetoi 102 vjet. Vdiq më 2022. Pastë hirin e Zotit.