Koha e zhvillimit të përshpejtuar të shoqërisë dhe rritja e nevojave të qytetarëve, kërkon një qasje strategjike, të përgjegjshme, të planifikuar e të qëndrueshme në mënyrë që të shfrytëzohen maksimalisht të gjitha burime njerëzore e natyrore në funksion të cilësisë më të mirë të jetës së të gjithë banorëve të qytetit. Prandaj, Komuna e Ulqinit ka hartuar Planin Zhvillimor Strategjik i Komunës së Ulqinit për periudhën 2022-2028, me të cilin pushteti lokal kërkon të krijojë kushte për zhvillim më të shpejtë e të qëndrueshëm lokal të komunës.
Menaxherja e Komunës së Ulqinit, Aldina Nikoçeviq, thotë se Plani Zhvillimor Strategjik i Komunës së Ulqinit për periudhën 2022-2028, përfaqëson ambicien e pushtetit lokal për të krijuar kushte për zhvillim më të shpejtë ekonomik lokal dhe gjithëpërfshirës të komunës, mbi baza të qëndrueshme, duke u përpjekur të shfrytëzojë sa më mirë burimet dhe potencialet në dispozicion. “Dokumenti strategjik i Komunës së Ulqinit konsiston në një përshkrim të gjendjes aktuale, mundësive potenciale dhe udhëzime për shfrytëzimin më të mirë të tyre, me qëllim arritjen e synimeve të ngritjes së standardit jetësor duke shfrytëzuar burimet ekonomike, natyrore dhe njerëzore, veçanërisht në turizëm, e të ngjashme. Me këtë dokument, vetëqeverisja lokale ka përcaktuar planin për realizimin e 87 projekteve për një periudhë gjashtëvjeçare, realizimi i të cilave do të përmirësojë ndjeshëm jetën e secilit individ dhe çdo mysafiri në Ulqin. Me projektet që kemi përcaktuar, dëshirojmë të realizojmë vizionin e zhvillimit të Ulqinit në drejtimin e dëshiruar si qytet me trashëgimi të pasur kulturore që do të jetojë gjatë gjithë vitit, dhe që do të ketë përmbajtje cilësore për një jetë komode të qytetarëve të të gjithë brezave”, thotë Nikoçeviq. Ajo shton se në punën e këtij dokumenti strategjik, janë përfshirë përfaqësues të të gjitha institucioneve dhe subjekteve përkatëse në fusha të ndryshme të veprimtarisë, të cilët me kontributet e tyre e kanë bërë këtë dokument themelor dhe gjithëpërfshirës. U mbajt shqyrtimi publik i cili zgjati 20 ditë, u mbajt edhe shqyrtimi qendror, u formua një grup punues dhe konsultativ nga përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, institucione dhe organizata publike dhe private, përfaqësues të sektorit OJQ-së, si dhe ekspertë të fushave të caktuara, të cilët me punën, përvojën dhe ndikimin e tyre kanë kontribuar në identifikimin e problemeve, potencialeve, mundësive zhvillimore, qëllimeve zhvillimore, prioriteteve dhe masave për realizimin e tyre. Përmes një sërë takimesh janë paraqitur vërejtje dhe sugjerime të shumta për të përmirësuar cilësinë e jetës së popullatës së përgjithshme në Ulqin”, thekson Nikoçeviq.
Sipas saj, miratimi i këtij dokumenti, jashtëzakonisht të rëndësishëm, duhet të pritet në seancën e ardhshme të parlamentit vendor. Ajo beson se me miratimin e një dokumenti të tillë gjithëpërfshirës që përcakton rrugën e mëtutjeshme të zhvillimit të kësaj komune, më në fund do të mund të përmirësohej dukshëm cilësia e jetës së qytetarëve të Ulqinit, si në zonat më të ngushta ashtu edhe në ato rurale.
Gj. Gjonaj