
Fundi i javës së kaluar dhe fillimi i kësaj jave kanë qenë të bujshme në skenën politike të Malit të Zi. Brenda disa ditësh në Kuvendin e Malit të Zi janë shqyrtuar, miratuar apo rrëzuar iniciativa të rëndësishme për zgjidhjen e krizës politike. Me shkarkimin e qeverisë së Malit të Zi të kryeministrit Zdravko Krivokapiq dhe kryetarit të Kuvendit, Aleksa Beçiq, tashmë kemi një realitet të ri politik dhe krijimin de facto të një shumice të re qeverisëse. Në këtë luftë politike, ku palët që deri dje përbënin shumicën qeverisëse nuk kanë zgjedhur mjete për të goditur kundërshtarin, kryetari i Lëvizjes Qytetare “Ura”, Dritan Abazoviq, ka shënuar fitoren e parë politike. Ai është treguar i shkathët, duke iu dhënë leksion aktorëve të tjerë politikë.
Në vendet me traditë demokratike, ndërrimi i pushtetit është diçka normale dhe e natyrshme, madje konsiderohet pozitive për shëndetin e demokracisë. Por në Mal të Zi, politikanët dhe forcat politike që ata përfaqësojnë rënien e tyre nga pushteti përpiqen ta tregojnë si apokalips, ku pala tjetër gjithmonë paraqet rrezik për shtetin dhe të ardhmen e tij. Kësaj i kontribuon situata e përgjithshme politike, ekonomike, e sigurisë etj. Mali i Zi është sot i përçarë, aq sa situata mund të krahasohet me periudhën në prag apo pas referendimit për pavarësi në vitin 2006.
Shqiptarët e kanë rastin të jenë më të parfaqësuar në qeverinë e ardhshme dhe të luajnë një rol më të madh, prandaj partitë shqiptare duhet ta shfrytëzojnë rastin që iu jepet. Ato nuk guxojnë të humbin këtë mundësi, siç kanë humbur shumë raste të tjera në të kaluarën
Qeveria në detyrë ka qenë një eksperiment i rrezikshëm për Malin e Zi dhe shtetësinë e tij. Ajo ka treguar se nuk din të qeverisë dhe në njëfarë mënyre e ka rrëzuar vetveten. Në shesh kanë dalë dallimet e mëdha në orientimet politike (ideologjike) të forcave politike të shumicës qeverisëse dhe ata kanë dëshmuar papjekuri politike në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Tashmë opozita e re (Fronti Demokratik dhe Demokratët) ka treguar se arma e saj më e fortë e veprimit politik është rruga. Ata dinë të protestojnë dhe të fyejnë këdo që është kundër tyre.
Nëse nuk ndodh ndonjë e papritur, Mali i Zi pritet që shumë shpejt të fitojë qeverinë e re pakicë, e cila do të formohet nga forcat politike që kanë firmosur memorandumin, mundësisht edhe me ndonjë parti tjetër, me mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve. Ndërkaq kryeministër i ri pritet të jetë ish-zëvendëskryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Qytetare „Ura“, Dritan Abazoviq, i cili ka qenë në krye të lëvizjes dhe nismës për zgjidhjen e krizës politike, duke marrë përsipër një barrë të rëndë, përfshirë edhe pasojat e një veprimi të tillë politik.
Abazoviqi mund të hyjë në histori si shqiptari i parë në krye të qeverisë së Malit të Zi, duke thyer kështu një tabu tjetër, pas asaj që është bërë kryetari i parë nga pjesëtarët e pakicave (shqiptar) i një partie jonacionale (malazeze). Kjo do të ishte e mirë dhe pozitive jo për Abazoviqin sesa për vetë Malin e Zi. Me këtë Mali i Zi do të tregonte në praktikë karakterin e tij të vërtetë qytetar, ashtu siç pretendon të jetë, por që deri tani ka qenë vetëm deklarative
Abazoviqi mund të hyjë në histori si shqiptari i parë në krye të qeverisë së Malit të Zi, duke thyer kështu një tabu tjetër, pas asaj që është bërë kryetari i parë nga pjesëtarët e pakicave (shqiptar) i një partie jonacionale (malazeze). Kjo do të ishte e mirë dhe pozitive jo për Abazoviqin sesa për vetë Malin e Zi. Me këtë Mali i Zi do të tregonte në praktikë karakterin e tij të vërtetë qytetar, ashtu siç pretendon të jetë, por që deri tani ka qenë vetëm deklarative.
Në rast të formimit, qeveria e pakicës me siguri do të jetë kalimtare dhe me shumë mundësi, me mandate të afatizuar. Ajo do të përballet me vështirësi të shumta, në radhë të parë në planin e brendshëm. Ndërsa në politikën e jashtme, qeveria e re do të vijojë rrugën e integrimit euroatlantik, ku Mali i Zi gjatë qeverisjes aktuale ka ngecur, madje ka bërë hapa pas.
Shqiptarët e kanë rastin të jenë më të parfaqësuar në qeverinë e ardhshme dhe të luajnë një rol më të madh, prandaj partitë shqiptare duhet të shfrytëzojnë rastin që iu jepet. Ato nuk guxojnë të humbin këtë mundësi, siç kanë humbur shumë raste të tjera në të kaluarën.