
Letërsia që i është dedikuar historisë së Ballkanit, i ka lënë në heshtje gjenocidet që janë kryer kundër shqiptarëve (dhe myslimanëve të tjerë), duke i paraqitur ato si “nevojë” e një përpjekjeje për t’u çliruar nga “pushtuesi osman” dhe në emrin e kësaj “nevoje”, në mënyrë të organizuar u është vënë zjarri fshatrave të tëra shqiptare, janë terrorizuar fëmijë, gra e pleq dhe është masakruar e gjithë popullata e një etnie tjetër!
Ishte ajo ëndrra e kahmotshme, që zë fill me themelimin e “Perandorisë Serbe” të shekujve VIII-XIV, kur kishte filluar t’i presë hovin Perandorisë Greke, kurse vetë perandori Dushan që do ta pasonte, ëndërronte zgjerimin duke shfarosur fqinjët arbër. Vetëm ardhja e osmanëve e ndërpreu këtë ndryshim në praktikë, por në mendjet e tyre e mbajtën të ndrydhur për pesë shekuj, deri që e kuptuan dhe e panë se pushteti osman ishte degjeneruar në atë masë, sa edhe sikur tërë diplomacia evropiane të dilte në anën e saj, nuk do të mund ta shpëtonte [Bajrami:2004/28]. Kjo ua ngjalli shpresat e vjetra dhe i shtyri të hartojnë programet politike si “Naçertania” serbe (1844), “Megali Idea” greke (1844) dhe “Ekzarkati” bullgar (1870), si projekte aleate shtetërore që planifikonin realizimin e pretendimeve hegjemoniste në pjesët e tyre [Buxhovi:2012/II/f. 378].
Realizimi i këtyre programeve politike filloi të praktikohej prej Kryengritjes së Parë Serbe (1804), kur ushtroi dhunë dhe i dëboi shqiptarët të cilët gjendeshin në veri edhe përtej Jagodinës [Bytyçi:2009/84]. Për këtë gjest “human” ata u shpërblyen me vendimet që Fuqitë e Mëdha i dhanë në Kongresin e Berlinit [13 qershor 1878], duke i zgjatur jetën Perandorisë Osmane edhe “për një gjeneratë”, sepse ende i duhej Evropës [Jelavic:1999/II/92], por që dukshëm destabilizoi Ballkanin, duke u kundërvënë interesave të grupeve etnike [Ristic:1898/II/228-231]. Kjo i dha Serbisë edhe një dorë tjetër për të mundësuar dëbimin e 350.000 banorëve të 620 fshatrave të Sanxhakut të Nishit [Bajrami:2004/67], në një sipërfaqe prej rreth 10.000 kilometra katrorë, me kazatë e Pirotit, Nishit, Vranjës, Leskovcit, Prokuples, Kurshumlisë dhe Ternit (Zllepoles). Në literaturë thuhet se 600.000 deri në 1.000.000 muhaxhirë vërshuan në territoret që gjithnjë kontrolloheshin nga Perandoria Osmane [Vranjski Zbornik, #3/1972/96]. Një veprimtari të tillë kriminale e aprovoi edhe Evropa me heshtjen e saj të mbuluar me gjak. Ata jo vetëm që i legalizuan pushtimet, por edhe spastrimet etnike. Milorad Ekmerçiq ka vënë në dukje se “shkenca botërore” prej kohësh ka ndërtuar bindjen se deri te dëbimi i myslimanëve (ku hyjnë edhe shqiptarët) nga vendet e Evropës në të gjitha luftërat ku osmanët kanë humbur, ka ardhur deri te mosekzistenca e drejtësisë ndërkombëtare se “pakica myslimane në vendet e çliruara duhej të mbrohej” [Radoviq, #3/2000/181]!
Në Ballkan u krijuan shtete të reja, të cilat për shkak të marrëdhënieve të këqija po bëheshin “fuçi baruti”. Greqia, Bullgaria, Rumania, Serbia dhe Mali i Zi synonin zaptimin e “tokave të reja”, në ngjallje të një nacionalizmi të shëmtuar, duke i konsideruar për të vetat të gjitha ato toka që dikur, sadopak mund të ishin sunduar nga raca e tyre. “Daily Cronicle” e asaj kohe shkruante: “Serbët deklarojnë haptas se shqiptarët muhamedanë duhet të zhduken, ngase ky është mjeti më efikas për vendosjen e paqes në këto vende”!
Duke gëzuar heshtjen e Evropës të mbuluar me gjak, ata u bënë shumë agresorë nga “mbetjet osmane” në Evropë [Hammer:1979/III/479], dhe sollën kështu Luftërat Ballkanike (1912-1913), gjatë të cilave një armatë e tërë bandash të organizuara serbo-malazeze, në përpjekje për të ndryshuar strukturën etnike në Kosovë dhe sipas këshillave së Petrit I: “Shqiptarët nuk janë të denjë për të jetuar” [Juddah:2002/19], vranë rreth 20.000 shqiptarë të Kosovës dhe dëbuan dhjetëra mijë të tjerë [“The Other Balkan Wars”, ff. 326-328]. Pa ndonjë parashikim të përafërt, as ndonjë të dhënë zyrtare për numrin e të vrarëve në rrethin më të gjerë të zjarrit të kësaj lufte, shumë studiues e kanë veçuar si “krimet më të mëdha që historia ndonjëherë ka regjistruar” dhe jo vetëm përnga numri, por edhe përnga mënyra e viktimizimit! Një pjesë të shqiptarëve (dhe myslimanëve të tjerë) ata i konsideruan si tradhtarë që pranuan Islamin dhe filluan të gjitha llojet e gjenocidit mbi popullsinë myslimane [Cigar:2003/27-29]. Përdoren të gjitha metodat që shqiptarët t’i zhbënin me anë të procesit të konvertimit (ndërrimit të fesë me dhunë) në periudhën mars-prill 1913 [Zenelaj:2010/416]. Zëri i Evropës nuk u dëgjua deri në konvertimin e 850 familjeve të tmerruara katolike në ortodoksi dhe vrasja e priftit katolik patër Luigj Palaj, që nuk iu bind priftit bandit ortodoks për të hequr dorë publikisht nga besimi i tij katolik, në favor të ortodoksisë lindore [Islami:2003/151].
Përveç raporteve të Leo Freundlich-it edhe “Humanite” e Parisit, “Riget” daneze, “Raihspost”, “Albanische Correspondenz”, “Daily Telegraph”, “Deutsches Vilksblatt” publikonin ngjarje banditeske që terrorizonin popullatën e pambrojtur, pa kursyer fëmijë, gra e pleq në mënyrat më çnjerëzore [Islami:2003]. Autorë dhe diplomatë perëndimorë si Baldaci, Durham, Erikson, Freundlish, Muraj, Poincaré, Gould, Fred, Zambaur etj. na kanë lënë shumë dëshmi të shkruara. Diplomacia evropiane vendosi në Konferencën e Ambasadorëve, më 29 korrik 1913, që vendet shqiptare në Veri, Lindje dhe Jug t’i copëtojë në gjashtë pjesë, duke ua ndarë ushtruesve të këtij gjenocidi mbi to dhe duke ua lënë dorën e lirë që pas kësaj konference të shkaktojnë luftëra të përditshme kundër atyre që po përpiqeshin të mbronin tokën e tyre [Williams:1934/37]. Për këto ngjarje, Hilë Mosi vajtonte:
“Qysh prej Janinet, e deri n’Shkoder,
Ç’do foshnje, grue, trim e plak,
Ç’do mal e fushë, e shesh, e koder,
Derdhin lot e rrjedhin gjak…” [Shqypnia e Re, 14. 09. 1913].
Askush prej diplomacisë evropiane nuk foli për masakrat kundër shqiptarëve që po kryheshin në Jug (nga grekët) dhe në veri (nga serbo-malazezët), ku dogjën tërësisht 132 fshatra shqiptare. Në vend që t’i dënonte në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, i shpërbleu duke i falur 64.000 kilometra katrore të Shqipërisë Etnike, duke e reduktuar këtë të fundit në 28.000 kilometra katrorë nga 92.000 që kishte [Zenelaj:2010, f. 167]. Kjo Shqipëri Etnike në kohën e Perandorisë kishte 2.687.960 banorë, prej të cilëve 2.300.000 shqiptarë [Hamdi:1920]. 7.000 kilometrat katrorë të pushtuara të Malit të Zi kishin 240.000 banorë, prej të cilëve 200.000 shqiptarë. Kurse Çamëria në Greqi kishte një sipërfaqe prej 10.700 kilometra katrorë me 320 fshatra dhe me 240.000 shqiptarë [Mojzes:2011/32]. Raportet e zyrtarëve rusë në Bullgari jepnin një pikturë gjenocidale ndaj popullatës vendase, ku ishin vrarë rreth 15.000 dhe rreth 5.000 të mbetur po i deportonin. Komanda e Valtchev-it kishte dhënë urdhrin zyrtar për shkatërrimin e xhamive, nga minaret e të cilave ushtarakët shprehnin vulgarizma kundër Muhamedit (a.s.), duke ua bërë me dije që në rastin e parë do t’i fshinin të gjithë [Mojzes:2011]. Evropa heshti!
Viktimat e Luftës së Parë Botërore, të cilën shumë e konsiderojnë si “Lufta e Tretë Ballkanike”, llogariten në 15.000.000 njerëz [Mojzes:2011/41]. Traktati i fshehtë i 26 prillit 1915, ndërmjet Italisë dhe Anglisë për aneksimin e Shqipërisë, i shpuri shqiptarët në rrethana të pavolitshme politike që diktonin shtetet e Evropës! Tensionin edhe ashtu shumë të lartë kundër sundimit tejet barbar të bullgarëve mbi viset shqiptare, e shtoi edhe më shumë deklarata e Rizovit në Berlin, për ndarjen e Shqipërisë, rritjen e kufirit ka Elbasani, që t’i sigurohet Bullgarisë një port në Detin Adriatik. Kjo deklaratë e Rizovit e shtoi edhe më shumë urrejtjen kundër sunduesve bullgarë dhe nxori në pah politikën shoviniste bullgare, e cila pandërprerë nga dita e parë e luftës trumbetonte se diplomacia bullgare është për një Shqipëri të pavarur, por kur të “jepet rasti” dhe dëshirojmë “miqësi” me popullin shqiptar. (vijon)