Media duhet të jenë në shërbim të njerëzimit, jo burim dezinformimi

Sot jetojmë në një kohë kur informimi i saktë është shumë i rëndësishëm, sepse ai që disponon me informatat ka edhe fuqinë, dhe të jesh i informuar do të thotë të jesh i pushtetshëm. Sot kemi një mori informatash që qarkullojnë dhe janë të pasakta ose dezinformata, dhe në këtë rast të kërkosh një informatë të saktë është sikurse të kërkosh një trëndafil në xhungël

Fiqret Mujeziqi

Fuqia e katërt, pushteti i katërt ose pushteti i publicitetit, përdoret si term joformal për mediat publike, të tilla si shtypi, radioja, televizioni, interneti dhe mediat sociale. “Fuqia e katërt” do të thotë se ekziston një shtyllë e katërt, virtuale, në një sistem të ndarjes së pushteteve. Përveç degëve të ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit, ka edhe media. Mediat publike luajnë një rol të rëndësishëm në informimin e masave dhe në përgatitjen e opinionit publik. Në shtetet diktatoriale mediat janë në shërbim të pushtetit, kurse në shtetet demokratike ato e kontrollojnë pushtetin. Mediat nuk kanë fuqinë për të ndryshuar politikën, ose për të ndëshkuar abuzimin e pushtetit, por mund të ndikojnë në ngjarjet politike përmes raportimit dhe diskutimit publik.
Sa më të lira të jenë mediat, aq më i lirë do të jetë vendi dhe shoqëria.
Me zhvillimin e shoqërisë dhe sidomos teknologjisë edhe mediat pësojnë ndryshime. Sot jetojmë në një kohë kur informimi i saktë është shumë i rëndësishëm, sepse ai që disponon me informatat ka edhe fuqinë dhe të jetë i informuar, do të thotë të jetë i pushtetshëm. Sot kemi një mori informatash që qarkullojnë dhe janë të pasakta ose dezinformata dhe në këtë rast të kërkosh një informatë të saktë është sikurse të kërkosh një trëndafil në xhungël.
Jetojmë në një kohë në të cilën të mësuarit është një shoqërues i vazhdueshëm. Të mësuarit nuk ka mbarim. Njeriu si qenie sociale ka nevojë të përshtatet me situatat dhe të mësojë nga përvoja. Sa më i ditur të jetë një njeri, aq më vështirë është për t’u manipuluar dhe dezinformuar.

Një gazetar i mirë, para se të jetë i guximshëm, duhet të marrë edhe përgjegjësinë, sepse shtrembërimi i fakteve luan një rol shumë negativ në luftimin e dukurive negative në shoqëri dhe në edukimin e brezave të rinj


Mbrojtja e vlerave ka një rëndësi të madhe në zhvillimin vertikal të një shoqërie të shëndetshme. Një nga vlerat më të rëndësishme është padyshim “mbrojtja e të drejtave të njeriut”. Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm. Është detyrë e të gjitha autoriteteve shtetërore t’i respektojnë dhe mbrojnë ato. Por në një shoqëri të pakonsoliduar është e vështirë të ruhen vlerat e një shoqërie dhe veçanërisht dinjiteti i një personi apo grupi të caktuar. Shtypi dhe media duhet të jenë në shërbim të njerëzimit dhe jo burim dezinformimi. Një nga elementet kryesore është përgjegjësia. Marrja e përgjegjësisë për fjalën e folur ose informacionin e dhënë, pa cenuar të drejtën e lirisë së shprehjes.
Në regjimet totalitare mediat janë nën kontrollin shtetëror dhe përdoren si instrument për qëllime të caktuara. Këtë e përjetoi populli shqiptar gjatë historisë e sidomos në anatemimin dhe prodhimin e epiteteve përçmuese deri në fyerje dhe urrejtje kolektive ndaj një populli të tërë.
Për sa i përket vetë shtypit në botën shqiptare, jemi dëshmitarë se informimi është mjet në dorën e qarqeve të caktuara, qofshin ato politika apo me interes të përbashkët, andaj edhe dallimi në mes të realitetit dhe imagjinatës është i padukshëm dhe kështu mund të themi se shtypi dhe mediat janë pasqyrë e qytetërimit të shoqërisë dhe nivelit të saj zhvillimor.
Sa herë që lexoj një artikull poshtërues për një person të caktuar, më vjen ndërmend romani i H. Böll-it “Nderi i humbur i Katharina Blum“, i cili, sipas tij, supozohet të nxjerrë në pah rolin negativ dhe konfliktues të gazetarisë senzacionale.
Mediat elektronike kanë një rol shumë negativ në zhvillimin e gazetarisë senzacionale. Jemi dëshmitarë të asaj se në mediat sociale pasqyrohen artikuj të ndryshëm me tituj sensacionalë si “A e dini pse?”, “A e dini kush?” etj. Pas klikimit të tyre shohim një shkrim të dobët, pa asnjë përmbajtje dhe kuptim. Ky fenomen jo vetëm që ndikon negativisht në informacion, por ka një rol negativ në zhvillimin e gazetarisë dhe në zhvillimin kulturor të mjedisit apo hapësirës kulturore.
Një gazetar i mirë, para se të jetë i guximshëm, duhet të marrë edhe përgjegjësinë, sepse shtrembërimi i fakteve luan një rol shumë negativ në luftimin e dukurive negative në shoqëri dhe në edukimin e brezave të rinj.

Të fundit

më të lexuarat