Koha Javore: z. Gjokaj, para pak muajsh, Ju në bashkëpunim me IP “Muzetë dhe Galeritë” e Podgoricës dhe me Qendrën e Arteve Bashkëkohore të Malit të Zi, botuat Monografinë- Gjelosh Gjokaj. Na flisni pak rreth idesë dhe realizimit të këtij projekti?
S. Gjokaj: Po, është e vërtetë se para pak muajsh, saktësisht më 16 shkurt 2021, doli nga shtypi monografia e Gjelosh Gjokajt, botuar nga IP “Muzetë dhe Galeritë” e Podgoricës dhe Qendra e Arteve Bashkëkohore të Malit të Zi. Ideja për të punuar këtë monografi është paraqitur që më herët, derisa Gjeloshi si piktor ishte gjallë. Disa herë kam biseduar me të mbi këtë tematikë dhe kam vërejtur që ishte i interesuar të kishte monografi, edhe në Mal të Zi, në gjuhën malazeze. Megjithatë, një sërë rrethanash atëherë nuk lejuan që të fillohej me punë në hartimin e monografisë. Në atë kohë, si njeriu i parë i muzeut, fillova nismën për hartimin e monografisë së piktorit akademik, Gjelosh Gjokaj, dhe isha i kyçur gjatë gjithë projektit të punimit, deri tek dalja nga shtypi dhe promovimi i saj.
Koha Javore: A mund të na njihni me përmbajtjen e kësaj vepre me vlerë, për të gjithë ata të cilët nuk e kanë lexuar ende?
S. Gjokaj: Artdashësit dhe admiruesit e personalitetit dhe veprës së Gjelosh Gjokajt, do të kenë rastin që për herë të parë në një vend, të shohin një numër të madh të unifikuar të veprave nga opuse të ndryshme të krijuesit, (mbi 350 vepra). Këto janë vepra të krijuara gjatë studimeve në Akademinë e Arteve në Beograd, vepra të cilat i ka krijuar derisa ka qëndruar në Prishtinë, Romë, Augsburg dhe në Mal të Zi. Gjithashtu, me punë kërkimore ka ardhur deri tek një numër i madh i veprave të cilat ndodhen në muze dhe galeri në Mal të Zi dhe rajon, në: Muzeun Popullor të Malit të Zi, në Muzeun e Jugosllavisë në Beograd, në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Beograd, në Akademinë e Arteve në Beograd, në Galerinë Bashkëkohore në Zrenjanin, në Muzeun e Somborit, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe në koleksionet private përgjatë gjithë rajonit dhe Evropës. Janë përzgjedhur tekstet më të rëndësishme, si nga kritikët vendas ashtu edhe nga ata të huaj të cilët kanë shkruar për Gjeloshin dhe krijimtarinë e tij, intervistat të cilat janë realizuar me Gjeloshin, biografia e vetë piktorit, e cila ndiqet nga një biografi e sistemuar në mënyrë kronologjike dhe metodologjike.
Koha Javore: Çfarë ka për qëllim botimi i kësaj monografie e cila dokumenton veprimtarinë e pasur artistike të piktorit të madh, Gjelosh Gjokaj?
S. Gjokaj: Krahas gjërave të lartpërmendura, siç është unifikimi i një numri të madh të të gjitha të dhënave të disponueshme për një piktor, qëllimi i vetë monografisë është, edhe ruajtja nga harresa e personalitetit dhe veprës së Gjelosh Gjokajt. Gjithashtu, me publikimin e një vepre të tillë kapitale, ofrohet mundësi për qasje në krijimtarinë gjithëpërfshirëse të një artisti nga ana e artdashësve, derisa nga ana tjetër, hulumtuesve të rinj dhe historianëve të artit u ofron mundësi, që në fushën e artit të vazhdojnë të studiojnë dhe të japin gjykimet vlerësuese mbi veprën e tij të respektuar të arritjeve të larta artistike.
Koha Javore: Si është pritur botimi i kësaj monografie nga publiku në tërësi, dhe nga piktorët, (njerëzit e artit) në veçanti, duke qenë se Ju jeni i pari në Mal të Zi që hartuat një monografi të tillë?
S. Gjokaj: Unë vlerësoj se kjo monografi është pritur shumë mirë nga opinioni dhe nga njerëzit e profesionit, duke pasur parasysh interesimin e madh dhe përgjigjen e publikut gjatë promovimit të saj, si dhe komentet pozitive.
Koha Javore: Ku është promovuar deri më tani monografia në fjalë?
S. Gjokaj: Kjo monografi deri më tani është promovuar në Podgoricë dhe Budvë. Është planifikuar edhe në disa qytete të tjera të Malit të Zi, dhe për shkak të interesimit të madh për këtë monografi, jam në bisedime edhe me Beogradin, Tiranën dhe Prishtinën. Do të theksoja se monografia është promovuar përmes mediave tradicionale dhe atyre elektronike, e gjithashtu edhe me rastin e organizimit të ekspozitave të Gjelosh Gjokajt në Bijello Pole, Tuz dhe Budvë. Ajo çfarë më gëzon më së shumti, është fakti se kjo monografi është dërguar në të gjitha institucionet e rëndësishme kulturore, dhe në biblioteka në Mal të Zi dhe rajon, siç është: Muzeu Popullor i Malit të Zi, Qendra e Arteve Bashkëkohore e Malit të Zi, Mezetë dhe Galeritë e Budvës, Qendra për Kulturë- Tivat, Biblioteka Kombëtare e Malit të Zi, Biblioteka Popullore- “Radosav Lumoviq”, Muzeu i Jugosllavisë- Beograd, Muzeu i Arteve Bashkëkohore- Beograd, Akademia e Arteve- Beograd, Galeria Kombëtare e Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Public Library- Nju Jork. Krahas të sipërpërmendurave, monografia u është dërguar, kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti si dhe shumë qytetarëve akademikë në Mal të Zi dhe rajon.
Koha Javore: Kjo monografi është botuar në dy gjuhë: malazeze- angleze. A mendoni ta bëni përkhimin e saj edhe në gjuhën shqipe apo në ndonjë gjuhë tjetër?
S. Gjokaj: Monografia Gjelosh Gjokaj është dygjuhëshe, malazezo-angleze, dhe gjithsesi është planifikuar që në periudhën e ardhshme kjo monografi të bëhet edhe në shqip-anglisht.
Koha Javore: Z. Gjokaj, për hartimin e kësaj monografie, ditë më parë u shpërblyet me “Çmimin 15 Dhjetori”, nga Komuna e Tuzit. Si e komentoni këtë vlerësim?
S. Gjokaj: Po, më 15 dhjetor më është ndarë Çmimi, “15 Dhjetori” i Ditës së Çlirimit të Tuzit, për angazhimin mbi hartimin e monografisë së artistit Gjelosh Gjokaj, si redaktor dhe organizator, si dhe promovimi i karakterit dhe veprës së tij në të gjithë Malin e Zi dhe rajonin. Gjithsesi, kjo mirënjohje e madhe është një satisfaksion për një punë dhe përpjekje të madhe që është investuar me rastin e punimit të vetë monografisë.
Koha Javore: Z. Gjokaj, Ju falënderoj për këtë intervistë!
S. Gjokaj: Ju faleminderit edhe Juve!
Intervistoi: Toni Ujkaj