Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të enjten mbrëma është përuruar libri i ri i autorit Hajrullah Hajdari “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990”.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, dhe është rezultat i kërkimeve të autorit në arkivat e disa institucioneve shtetërore të Malit të Zi dhe arkivat personale, biblioteka etj.
Objekt i hulumtimeve dhe studimit janë aktet juridike të RSFJ-së dhe Malit të Zi, të institucioneve ndërkombëtare, raporti mes tyre, forma dhe rendi juridik i qeverisjes, veprimtaritë dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore-legjislative, ekzekutive, gjyqësore, administrative dhe politike, roli i politikës në qeverisje, ngjarjet dhe proceset politike dhe gjyqësore me ndikim në jetën e përditshme të qytetarëve, në veçanti të popullit shqiptar. Objekt i librit janë edhe vuajtjet dhe qëndresa e shqiptarëve në Malin e Zi, zhvillimi kulturor, arsimor e ekonomik në periudhën 45-vjeçare në kuadër të Malit të Zi, si njësi e veçantë e Federatës Jugosllave, e sidomos përpjekjet e tyre për të theksuar identitetin kombëtar, ruajtjen dhe kultivimin e qenies shqiptare në këto troje.
Në emër të botuesit dhe organizatorit të përurimit, të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba.
Ai ka thënë se Hajrullah Hajdari vazhdon me botime me vlerë dhe peshë, të cilat trajtojnë periudha të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët në trevat e tyre që sot i përkasin Malit të Zi.
“Vlera më e madhe e këtyre librave është se janë botime dokumentare, që bazohen në burime arkivore, si zanafillë e një botimi serioz”, ka thënë kryetari i SHAI “Art Club”.
Sipas tij, libri i ri i Hajdarit trajton po ashtu një periudhë të rëndësishme, por edhe të ndjeshme.
“Shumë prej nesh që gjenden këtu sonte mund ta gjejnë veten në këtë libër, pasi që e kanë përjetuar dhe kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve, vuajtjeve e persekutimeve të shqiptarëve, por edhe të ndonjë periudhe të shkurtër kur shqiptarët kanë frymuar më lirshëm dhe i kanë gëzuar deri diku të drejtat e tyre. Pavarësisht se e kemi përjetuar, shumë pak kemi shkruar dhe dokumentuar këtë periudhë kohore”, është shprehur Kallaba.
Redaktori i librit, Dr. Nail Draga, ka thënë se duke lexuar këtë libër çdokush e ka të qartë se sa ka qenë vështirë të jetohet si shqiptar, sepse pushteti ideologjik ndaj shqiptarëve kishte standarde të dyfishta, ku në mënyrë perfide luftonte identitetin shqiptar.
“Periudha kohore e trajtuar në këtë libër ka të bëjë me ideologjinë komuniste, e cila në mënyrë formale bazohej në principet e barazisë nacionale për të gjithë, por në praktikë ishte krejt ndryshe, sepse barazia nacionale për të gjithë ata popuj të cilët morën pjesë në luftë për çlirimin e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore nga okupatorët mbeti vetëm premtim që u dëshmua me tkurrjen e të drejtave nacionale të pakicave kombëtare, ku shqiptarët në Mal të Zi ishin shembull tipik i këtij konstatimi të tillë”, ka thënë ai.
Sipas Dragës, nëse e analizojmë pozitën kushtetuese-juridike dhe politike të shqiptarëve në Mal të Zi gjatë viteve 1945-1990, del se shqiptarët si popullsi autoktone, por edhe e vetmja josllave, kanë qenë të pabarabartë me pjesëtarët e popujve tjerë në Mal të Zi.
Në recensionin e tij për librin, që është botuar në libër, recensenti Dr. Mustafë Haziri nga Mitrovica shprehet se kemi të bëjmë me një libër të shkruar me akribi shkencore.
“Libri ‘Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990’ ka një brumë shumë të pasur dhe të gatuar shkëlqyeshëm me metodologji të rreptë shkencore. Konkluzion i këtij punimi është se tregon qartë që pozita e shqiptarëve në Jugosllavi e veçmas në Malin e Zi është kushtëzuar nga aktet e brendshme juridike, kurse aplikimi i këtyre dispozitave në Jugosllavi ishin në shërbim të ngritjes së reputacionit ndërkombëtar të saj, duke arritur në përfundimin se çdo veprim i shtetit jugosllav, si në aspektin politik, ekonomik, arsimor e kulturor çojnë drejt asimilimit të qetë të shqiptarëve”, ka thënë ai.
Haziri ka theksuar se autori ka realizuar një studim monografik të nivelit të lartë dhe ka “bërë hulumtime shkencore të pavarura si dhe është marrë me interpretimin e një literature profesionale të proveniencës shkencore historiografike”.
Në fjalën e tij, autori Hajrullah Hajdari ka treguar se që nga botimi i librit të tij të parë në vitin 2016 ka filluar punën kërkimore me qëllim të zbardhjes së dokumenteve që hedhin dritë mbi ngjarjet dhe proceset e ndryshme politike ndaj shqiptarëve e në veçanti për pozitën e tyre kushtetuese-juridike dhe politike në kuadër të Malit të Zi, si një prej njësive të federatës jugosllave, që nga viti 1945 deri në vitin 1990.
“Duhet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një periudhë kohore prej gati një gjysmë shekulli, gjatë së cilës, duke marrë parasysh karakterin komunist të shtetit të Jugosllavisë, pozita e shqiptarëve ishte shumë e komplikuar. Censura në të gjitha lëmitë e veprimit, e veshur me petkun ideologjik të LKJ-së, transparenca e munguar e dokumenteve, ngjarjeve dhe proceseve politike, por edhe mungesa e studimeve të hollësishme, më nxitën që t’i përvishem kësaj pune të vështirë dhe delikate, sepse mendoj që kjo periudhë kohore meriton një studim më të thelluar për të nxjerrë në pah të vërtetën. Për këtë arsye iu përvesha punës hulumtuese dhe studimore për këtë çështje dhe pas pesë viteve punë e kurorëzova studimin me këtë libër. Sa ia kam arritur qëllimit, do ta vlerësojë lexuesi dhe kritika”, është shprehur ai.
Hajdari ka thënë se qëllimi i këtij studimi është që përmes dokumenteve zyrtare të kohës, në mënyrë të argumentuar dhe objektive të hidhet dritë mbi pozitën kushtetuese-juridike dhe politike të shqiptarëve në Malin e Zi.
“Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990” është libri i katërt i autorit Hajrullah Hajdari, i cili më parë ka botuar librat “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941” (2016), “Ulqini në dokumentat malazeze nga viti 1880 deri më 1915” (2018) dhe “Pronat dypalëshe – të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi” (i botuar 2019).
Gjatë përurimit janë lexuar edhe disa pjesë të shkurtra nga libri.
i. k.