Program kulturor festiv

“Shqiptarët në Malin e Zi janë paragjykuar dhe vazhdojnë të paragjykohen edhe sot vetëm pse janë shqiptarë dhe deklarohen si të tillë, vetëm pse shpalosin identitetin dhe simbolet e tyre kombëtare. Për ata që nuk ia duan të mirën kombit shqiptar, shqiptari i mirë është shqiptari pa identitet, shqiptari i asimiluar. Për ne nuk ka qenë e lehtë të jetojmë këtu si shqiptarë për shkak të këtij presioni dhe trysnive të ndryshme, qofshin ato politike, ekonomike, paragjykimeve etnike”, ka thënë kryetari i KKSH-së, Faik Nika

Ulqin – Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës Ulqin shfaqën të dielën një program kulturor, të përbërë nga ekspozita e skulptorëve Bujar Vani e Evis Kabilo, dhe koncerti me këngëtarë e grupe kulturore.

Ekspozitë e skulpturave me elemente kombëtare dhe historike
Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin të dielën mbrëma është hapur ekspozita me elemente kombëtare e historike e skulptorëve të njohur Bujar Vani dhe Evis Kabilo.
Drejtori i Qendrës së Kulturës – Ulqin, Musa Hoxhiq, ka thënë se kemi të bëjmë me dy skulptorë shumë të njohur shqiptarë, me një gamë veprash skulpturore të vendosura në mjedise publike dhe kulturore.
“Janë të njohura veprat e tyre monumentale në ansamblin e mbretërve ilirë, punimet figurative mbi personalitetet e ndryshme të botës shqiptare, që pasurojnë mjediset e disa muzeve të Shqipërisë, veprat e tyre në mjedise publike. Vepra monumentale me përmasa madhështore e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut është një ndër kurorëzimet më të spikatura të talentit të tyre”, ka thënë ai.
Skulptori nga Burreli, Bujar Vani, i njohur për publikun në Ulqin për skulpturën e Servantesit, të vendosur në mjediset e Pallatit “Venezia” në Kalanë e Ulqinit, ka thënë se në këtë ekspozitë prezantohet një pjesë e krijimtarisë së tyre që i dedikohet historisë dhe kulturës.
“Në këto vepra, krahas pasqyrimit figurativ të personazheve historike jemi përpjekur që mes historisë të krijojmë edhe estetikën, atë që i nevojitet artit dhe krijimtarisë. Të krijojmë, siç i thonë, nëpërmjet gjurmëve shqiptare, nga çkodimi i artefakteve historike, arkeologjike të territoreve shqiptare kryesisht, t’i zbërthejmë në kodet estetike skulpturale dhe po ato t’i krijojmë në një formë rikrijimi në veprat ku mishërohen ose formësohen figurat tona historike, kulturore”, ka thënë ai.
Skulptori Vani ka theksuar se do t’u pëlqente që të ekspozonin akoma më shumë figura kulturore, “sepse mjediset publike shqiptare kudo janë të tejmbushura ndoshta me figura luftëtarësh dhe politikanësh, dhe të huajsh kryesisht”, por sipas tij, mjafton që ato të jenë realizime të bukura.
Edhe skulptori Evis Kabilo nga Berati ka shprehur kënaqësi për prezantimin e punimeve të tij në Ulqin, me rastin e 28 Nëntorit.
“Është kënaqësi e madhe, duke vendosur në qendër, në fokus, disa personalitete të rëndësishme të Shqipërisë. Figura janë shumë, por këto janë pjesë e figurave më të rëndësishme”, ka thënë ai, duke uruar që ekspozita të tilla skulpturore apo të arteve të tjera të jenë sa më të shpeshta.

Koncert me artistë vendas dhe të ftuar
Më pas në sallën e Qendrës së Kulturës është shfaqur programi kulturor me artistë vendas dhe të ftuar.
Në fjalën e rastit, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka thënë se shqiptarët në Malin e Zi janë paragjykuar dhe vazhdojnë të paragjykohen edhe sot vetëm pse janë shqiptarë dhe deklarohen si të tillë, vetëm pse shpalosin identitetin dhe simbolet e tyre kombëtare.
“Për ata që nuk ia duan të mirën kombit shqiptar, shqiptari i mirë është shqiptari pa identitet, shqiptari i asimiluar. Për ne nuk ka qenë e lehtë të jetojmë këtu si shqiptarë për shkak të këtij presioni dhe trysnive të ndryshme, qofshin ato politike, ekonomike, paragjykimeve etnike. Për shkak të këtyre rrethanave, shumë nga vëllezërit tanë të një gjaku sot e kanë humbur gjuhën, traditën, identitetin dhe nuk deklarohen më si të tillë. Ose turpërohen nga rrënjët dhe identiteti i tyre shqiptar. Fatkeqësisht, ata janë shumë dhe normalisht që neve kjo na dhemb dhe rrezikohemi si komb nga asimilimi”, ka thënë ai.
Duke ju drejtuar të pranishmëve dhe atyre që përkundër vështirësive e kanë ruajtur identitetin e tyre kombëtar, Nika i ka cilësuar ata “heronj të gjallë të kombit tonë”.
“Ju që rezistuat dhe e ruajtët identitetin tonë kombëtar, ju që nuk reshtët së kujtuari datat më të rëndësishme historike, shpalosjen e flamurit kombëtar, duke e trashëguar atë brez pas brezi deri në ditët tona pavarësisht vështirësive që kaluam, të gjithë ju që sakrifikuat dhe sakrifikoni, jeni heronj të gjallë të kombit tonë. Duke kujtuar kalvarin e mundimeve dhe persekutimeve që kanë kaluar paraardhësit tanë vetëm për krenari dhe identitet, ata nuk u përkulën kurrë, ndërsa ne po vazhdojmë amanetin e tyre, duke marrë pjesë e kujtuar festat e duke festuar me pasardhësit tanë datat më të rëndësishme të kombit, si sot datën e 28 Nëntorit – Ditën e Flamurit Kombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, e barabartë mes kombeve të tjera të lira”, ka theksuar ai.
Pjesë e programit kulturor-artistik kanë qenë këngëtarët vendas Gjylie Pelingu, Egzona Salaj, Eliza Markiq, këngëtarët nga Kosova Naim Abazi dhe Mihrie Braha, Kllapa “Burimi”, Grupi muzikor “Marinarët” dhe Shoqëria Kulturore-Artistike “Olcinium”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat