Fotografia si pasion dhe profesion

“Fotografia është një mënyrë për të ndjerë, prekur, dashuruar. Ajo që ke kapur në film është kapur përgjithmonë… Ajo të kujton gjërat e vogla, shumë kohë pasi ke harruar gjithçka” – Aron Siskind

Koha Javore: Hapat Tuaj të parë në fotografi, ose thënë më mirë, kur ishte ai momenti që Ju kuptuat se do merreni me fotografinë?
D.Plozha: Fillova të fotografoja me një aparat dixhital (jo profesional) Sony WSC-D210 që ishte aparati i familjes, aparat i blerë për të bërë foto në ndonjë rast familjar, por që për mua shpejt u kthye në një objekt me vlerë më të madhe se aq. Pas disa muajve fotografimi me këtë aparat, kuptova që shumë shpejt imagjinata dhe dëshirat e mia për fotografinë, po tejkalonin mundësitë e kësaj paisje të thjeshtë. Më 4 shtator 2011, në ditëlindjen time, babi më dhuron aparatin tim të parë profesional, një Canon 60D të cilin e kam trup të dytë edhe sot e kësaj ditë që punoj profesionalisht. Aty filloi rrugëtimi dhe ëndrra ime për të krijuar art nëpërmjet aparatit fotografik.

Koha Javore: Çfarë është fotografia për Ju?
D.Plozha:
Fotografia është një medium që transmeton botën e brendshme të artistit dhe mënyrën se si ai/ajo e sheh botën përreth. Është një pikëtakim i të brendshmes së një personi me të jashtmen, e ngrirë në një pikë në kohë. Fotografia transmeton ndjesi të thella ose të çastit të artistit dhe mënyrën se si këto ndjesi ndikojnë tek vështrimi i tij/saj për njërëzit apo objektet që sheh. Për më tepër, mund të them edhe këtë: fotografia është një dritare në shpirtin e një artisti, por vetëm për ata që janë vëzhgues të mirë të detajeve pamore. E sidoqoftë, edhe nëse je lexues i/e mirë, ndonjëherë është prapë e vështirë të kuptosh çdo gjë. Për mua, fotografia është mënyrë e të shprehurit të ndjesive dhe këndvështrimeve që ndonjëherë është vështirë t’i shpreh me fjalë, është ndarje e një gjendjeje emocionale me ndjekësit e mi, ose përshtypja që më ka lënë një ngjarje, një vend apo një histori, por pa fjalë.

Koha Javore: Si i menaxhoni situatat e ndryshme me klientë të ndryshëm?
D.Plozha: Fotografia si art/pasion është e thjeshtë, sepse nuk ka rregulla. Fotografia si biznes është diçka tjetër. Unë punoj me klientë të ndryshëm për qëllime të ndryshme. Ka shumë klientë që janë të paqartë për atë që duan të realizojnë, por kjo është e pritshme, sepse fotografia ka elemente artistike edhe nëse nuk po flasim për një projekt/punë artistike të mirëfilltë dhe nuk mund të presim që të gjithë njërëzit të kenë përceptime të mirë përcaktuara se çfarë ju pëlqen artistikisht e çfarë jo. Prandaj, bisedoj me klientët që edhe unë të kuptoj më mirë se çfarë duan të realizojnë, por që edhe ata të përqëndrohen tek disa pika të rëndësishme të qëllimit tonë të përbashkët dhe të mos krijojnë pritshmëri joreale. Përpiqem të jem sa më i qartë me klientët se çfarë mund të realizohet dhe çfarë jo, në mënyrë që të shmang pakënaqësi dhe ankesa të lindura nga paqartësia ne komunikim.

Koha Javore: Sa realisht ju vinë në ndihmë rrjetet sociale Juve si fotograf?
D.Plozha: Unë jam pjesë e rrjeteve sociale Fejsbuk dhe Instagram, dy kryesoret prej minimumi 6-7 vitesh. Instagrami është një galeri virtuale e këndshme për mua dhe besoj edhe për të gjithë artistët e tjerë, sepse të mundëson paraqitjen e punimeve si në një galeri virtuale për të gjithë ndjekësit por edhe për ata që nuk të ndjekin. Gjithsesi, mendoj që shumë artistë të rinj ngatërrojnë një ide të rëndesishme për rrjetet sociale: rrjetet sociale janë një metodë mjaft e mirë për të paraqitur punën që ti po realizon vazhdimisht, por produkti duhet të jetë cilësor e tërheqës. Nuk bëhësh dot fotograf i njohur dhe i kontraktuar thjesht sepse ke shumë ndjekës në rrjete sociale, nëse produkti nuk është i mirë. Pra, rrjetet sociale shërbejne për të reklamuar atë që ti bën jashtë rrjeteve sociale, jo e anasjellta.

Koha Javore: Çfarë Ju frymëzon?
D.Plozha: Më frymëzon shumë natyra, por edhe arti i autorëve të tjerë. Artisti, siç e shpreha dhe me sipër, krijon duke marrë nga bota e brendshme e tij dhe duke “ngjyrosur” me këtë botë atë që sheh në botën e jashtme. Por bota e brendshme krijohet duke konsumuar art. Unë lexoj, shoh foto dhe piktura te artistëve të medhenj, por edhe jo shumë të njohur, sepse ka cilësi dhe detaje interesante në vende që nuk ta pret mendja. Çdo krijesë prodhon atë që konsumon, kështu edhe artisti do prodhojë atë që konsumon në formën e librave, muzikës, filmave, galerive. Janë këto forma arti që ma formojnë këndvështrimin dhe frymëzimin copë pas cope. Më frymëzon shumë muzika sepse të prekë ndjesi të brendshme në mënyra të pashpjegueshme me fjalë, filmat më frymëzojnë dhe më mësojnë nga ana pamore nëpërmjet inskenimeve dhe këndvështrimeve të regjisorit.

Koha Javore: Cila është gjëja që do kishit dëshiruar të dini, kur filluat të shkrepnit foto?
D.Plozha: Do kisha dashur të dija të zotëroja aparatin fotografik më mirë nga ana teknike. Tani është diçka që më vjen instinktivisht, por besoj që do kisha shkrepur foto më të bukura po të kisha përvetësuar që në fillim konceptet bazë të dritës, përdorimit të saj dhe si përkthehet kjo në të dhënat që mund të përcaktosh tek aparati.

Koha Javore: Cili është stili Juaj i fotografisë?
D.Plozha:
Stili im i fotografisë është përqëndruar tek fotografia bardhë e zi, ose në gjuhën artistike, monokrom (mono = një, krom = ngjyrë). Mendoj që sa të bukura sa janë ngjyrat dhe i japin gjallëri një fotoje, aq më e bukur është zhveshja e një fotoje nga ngjyrat. Pse? Sepse kur e zhvesh një foto nga ngjyrat, del në pah vlera e saj e vërtetë artistike dhe shpirtërore, por edhe cilësia e kësaj forme arti. Nëse një foto mbart një mesazh apo ka një kuptim më të thellë, ajo mbetet, biles merr nuanca edhe më artistike në një foto bardhë e zi. Përkundrazi, nëse foton e bëjnë të bukur vetëm ngjyrat… atëherë në formatin bardhë e zi kjo del në pah, pra duket mungesa e një kuptimi më të thellë. Gjithsesi, nuk kam asgjë kundër fotografisë me ngjyra, unë shkrep edhe me ngjyra në shumë raste.

Koha Javore: Cilat lente i përdorni, cila është e preferuara Juaj, dhe përse?
D.Plozha: Lentja ime e preferuar është lentja “prime”, 50mm me hapje diafragme 1,4f. Një lente prime është një lente me distancë fokale fikse, pra nuk mund të afrosh apo largosh pamjen që ke përpara duke lëvizur komponentet e lentës, duhet të lëvizësh vetë. Më pëlqen kjo lente, sepse duke lejuar kaq shumë dritë nëpërmjet elementeve të saj optike në sensorin e aparatit fotografik, më lejon të luaj me dritën në mënyra të ndryshme dhe në të njëjtën kohë ndarja e subjektit/objektit nga sfondi është fantastike dhe e qartë.

Koha Javore: Nëse do të shkrepnit fotografi për disa vite, dhe nuk do të merrnit një reagim pozitiv të audiencës, a do t’i shkrepnit ende ato?
D.Plozha: Audienca më mundëson një përshtypje për artin që unë krijoj dhe këtë e vlerësoj gjithmonë. Por, është e sigurtë që fotografia për mua është dhe do mbetet një pasion personal që do vazhdoja ta bëja edhe nëse ato fotografi nuk do ja tregoja asnjëriu.

Koha Javore: Çfarë doni të thoni me fotografitë Tuaja, dhe si i shkrepni ato për ta arritur këtë?
D.Plozha: Fotografia ime është një tentativë për të ndarë me njërëzit tre ndjesi kryesore: thjeshtësi, të bukurën dhe melankolinë e shpirtit të ndjeshëm njërëzor. Nuk nisem për t’i bërë fotografitë në një mënyrë të caktuar, produkti im artistik është një rrjedhojë e mënyrës si jam unë: i thjeshtë, me një dëshirë për konsumuar dhe krijuar të bukurën dhe melankolik.

Koha Javore: Ansel Adams tha: “Ju sillni me aktin e fotografisë të gjitha fotografitë që keni parë, librat që keni lexuar, muzikën që keni dëgjuar, njerëzit që keni dashur”. A mund të na tregoni për fotografitë, librat, muzikën Tuaj të preferuar dhe njerëzit që janë më të afërt me Ju?
D.Plozha: Jam dakord me shprehjen e të madhit Ansel Adams që revolucionarizoi mënyrën si shkrepet fotografia panoramike. Këtë ide shpreha dhe unë më sipër, mëgjithëse nuk e dija që ishte edhe shprehje e një figure kaq të mirënjohur në botën e fotografisë. Muzika ime e preferuar përfshinë kryesisht muzikë të krijuar para viteve 2000. Jam i ndikuar shumë nga grupi “The Doors” dhe këngetari i tyre Xhim Morison, një talisman personal për mua, sepse përveçse këngetar ishte poet në thelb dhe ka poezi shumë interesante që i kam lexuar në 2 nga 3 librat e botuar nga ai. Më pëlqëjnë “Pink Floyd”, sepse kanë aftësinë të të degdisin në “hapesirë” me ndjesitë që të shkaktojnë këngët dhe tekstet e tyre, por më pëlqen edhe muzika klasike.
Librat… janë ato që më kanë ngjallur imagjinatën që i vogël. Kam pasur fatin të kem një gjysh që më bëntë dhuratë libra thuajse çdo muaj dhe kështu më krijoi një bibliotekë personale me rreth 250 libra, kryesisht romane, aventura dhe tregime. Në mënyrë të veçantë librat me aventura besoj që më kanë zhvilluar imagjinatën qysh se i vogël dhe mendoj se kjo ka shumë rëndësi për çdo fëmijë, të lexojë libra kur është i vogël që të zhvillojë imagjinatën dhe të pasurojë mënyrën e të shprehurit.

Bisedoi: Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat