
Romani “L’Albanaise et sa haine” [Shqiptarja dhe urrejtja ndaj saj (Paris 1927)] i Pierre Chanlaine’s (1885-1969) është njëri prej romaneve të rrallë për Shqipërinë dhe shqiptarët në gjuhët e huaja. I gjithë subjekti i romanit mund të shpjegohet në dy-tri fjali, që autori i shkruan në faqen 11 të romanit, ku thotë se “komitaxhinjtë për Shqipërinë janë si mikrobet për plagën”, se këtij vendi i duhet një rend i fuqishëm, por deri atëherë “plaga helmuese po bën punën e vet”, aq më tepër kur “shqiptarët kanë më shumë përbuzje për jetën e tjetrit se për të veten”! Kjo histori bëhet e frikshme për ata që mendojnë se komitaxhinjtë kanë zënë postet më të larta të shtetit, duke bërë pazare me jetën e njerëzve dhe për ata që besojnë se “historia përsërit vetveten”!
Nuk besoj që shumica e shqiptarëve e dinë se nga vjen teza e Makiavelit “Divide et impera” [përçaj dhe sundo], por përçarjet e shqiptarëve përveç Pierre Chanlaine’s na i kanë pasqyruar shumë autorë të huaj, më të hershëm apo më të vonshëm. Ata që mund t’i kenë lexuar këto pasqyrime, nuk besoj të mos kenë pasur për fund një lutje: “dhashtë Zoti të mos përsëritet kjo histori”.
Jacob Gould Schurman (1854-1942), për shembull, “vlerësohet” botërisht si një anti-shqiptar. Megjithatë, në librin “The Balkan Wars 1912-1913” [Middletown, 1916], ka disa shprehje të cilat na duhet t’i marrim në konsideratë e të mos qëndrojmë përherë “duke ia bërë vetes me sy”! Ai thotë se shqiptarët janë nga kombet më të vjetra të Evropës, nëse jo më të vjetrit, por nuk kanë bërë kurrë shtet: “edhe sot të ndarë e pa asnjë shpresë… në opozitë me vetveten, veriu kundër jugut, fisi kundër fisit, beu kundër beut…” a thua se luftën e kishin një “profesion” kundër njëri-tjetrit në zakonin e hakmarrjes. “Shpalljen e Pavarësisë” ose krijimin e “Shtetit Shqiptar” ai e shihte si rezultat të interesave të Austro-Hungarisë dhe të Italisë dhe ishin ato që do t’i jepnin formën e të ardhmes së saj, sepse “shqiptarët nuk janë në gjendje ta administrojnë”. Është tragjike, por është e nevojshme të themi tani se sot, pas 105 vjetësh Schurman kishte të drejtë, shqiptarët kanë shtetin e Kosovës, shtetin e Shqipërisë, shtetformuesit e Maqedonisë, por ende nuk kanë shtet dhe nuk dinë të administrojnë në kuptimin e plotë të fjalës!
Tetë vite para Schurman-it, ambasadori britanik pranë Portës së Lartë – Sir Charles Elliot [“Turkey in Europe”, London 1908, f. 403] nuk shihte tek shqiptarët asgjë: “veçse opozita, veriu kundër Jugut, fisi kundër fisit, beu kundër beut…” As John Cam Hobhouse [“Jurney Through Albania”, Vëll. I, f. 129], nuk pati ndonjë mendim më të mirë kur vizitoi oborrin e Ali Pashë Tepelenës në vitet 1809-1810.
Katër dekada pas Hobhouse-s, e njëjta gjendje na paraqitet te Joseph Muller [“Albanien, Rumelien und die Osterreichisch Montenegrische Granze” (Pragë 1844)], përçarje të mëdha ndërmjet toskëve e gegëve dhe ndërmjet myslimanëve e të krishterëve. Gegët, ndonëse të besës, mbanin mendim të keq për toskët si paragjykues, fanatikë dhe të pangopur, e donin luftën dhe u ofronin shërbime atyre që paguanin më shumë para. Pak a shumë e njëjta natyrë që na jep Ugo Ojjeti në “L’Albania” [Milano 1902]: “Ndonëse preferojnë qeverisjen e Sulltanit, e urrejnë administratën e tij” dhe Indro Montanelli pas tij [Albania Una e Mille” (Torino 1939)], i cili e sheh Shqipërinë të rrënuar, të ndarë në fise e fshatra me histori të veçanta. Ky popull – thotë Montanelli – është me plot plagë nga të këqijat që i kanë ardhur prej përçarjeve, jo vetëm krahinore, por edhe shoqërore e psikologjike, me pasuri të ndara keq, me zotërinj përtacë, me kundërvënie të krahinave, të fiseve me fise, të familjeve me familje etj.
Louis Hyacinthe Hecuqard (1814-1866), gjatë kohës që shërbeu si konsull francez në Shkodër shkroi “Histoire et description de la haute Albanie ou Guegaire” [Paris 1885]. Nga pozita e një diplomati ai jep përshkrimin e një konflikti të armatosur midis banorëve fanatikë myslimanë dhe fiseve fanatike katolike të Kelmendit. Më pastaj thotë se: “Katolikët e Shkodrës kurrë s’kanë mundur të merren vesh me njëri-tjetrin, për të çuar deri në fund një vepër që është në interesin e të gjithëve dhe… nuk e meritojnë aspak mbështetjen që u japin fuqitë perëndimore…” (f. 302). Një kontekst të ngjashëm përdor pastaj edhe korrespondenti anglez i “Daily Telegraph”, i cili tek shërbente në Epir gjatë luftërave ballkanike (1912-1913), e klasifikoi Shqipërinë si: “një serial i disa vendeve të vogla ku secila mbretëri është komb më vete… e banuar me banditë gjysmë të civilizuar pa edukim, pa kohezion, pa ambicie për ekzistencë kombëtare”.
Konstatimin e Karl Marksit dhe ‘hijes’ së tij Engelsi-t për shqiptarët si “popull i papërgatitur për civilizim” [New York Tribune, 7. 04. 1859], ka qenë konstatim i mëhershëm në një libër katër vëllimësh [“La Turquie d’Europe”], që ka botuar në Paris më 1854 Ami Boue (1794–1881). Pasi i përshkruan si të përçarë, një komb i bukur por pa qytetërim, thotë se jeta avanturiere e tij (shqiptarit H. M.) është aq e thellë sa “harron të peshojë e të shohë fatkeqësitë që i shkaktojnë luftërat”. U pëlqen të hyjnë në shërbimin e të huajve: “Kanë qenë të gatshëm t’i shërbejnë kujtdo për të marrë të holla”, sepse janë “të gatshëm të tradhtojnë zotërinjtë e tyre për ndonjë fitim më të madh”. Konstatim të ngjashëm pastaj bëri edhe Pyrrhus J. Ruches [Albania’s Captives (Chicago 1945)], i cili duke shkruar për shqiptarët thotë se “bënin një jetë prej feudali, një jetë që qeverisej prej një ligji të pashkruar”, duke cituar më pas H. Charles Woods se: “sistemi fisnor u ka pamundësuar rezistencën në pjesët e ndryshme të Shqipërisë, secili fis ka luftuar e ndoshta don të luftojë i dëshpëruar mes vete, por dështojnë kur sulmohet vendi i tyre”.
Duke u bashkuar me ata që mendojnë se të huajt ua kanë mveshur shqiptarëve “vese të paqena”, duke qenë armiq të tyre ose të sponsorizuar nga ata, le të përkujtojmë një tregim sa tragjik aq edhe qesharak të cilin na e sjell Eqrem Bej Vlora, për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1903. Xhemil Bej Vlora kishte një çiflig në bregun jugor të Vjosës në Mifol, kurse Abdyl Bej Frakulla një çiflig në bregun verior në Frakullë. Një ditë, në mes të lumit u krijua një ishull rëre. Xhemil Beu e kishte mendimin se si Beu më i madh ishulli i takonte atij, ndaj dërgoi njerëzit për ta hapur një brazdë me plug në tokën e virgjër, që sipas të drejtës zakonore shqiptare, i jepte atij të drejtën e pronësisë mbi tokën. Abdyl Bej Frakulla nga ana e tij, thoshte se lumi kishte gërryer më shumë tokë nga pjesa e tij, ndaj edhe ishulli i përkiste Frakullës, duke dërguar kështu njerëzit e tij për të hapur një brazdë tjetër krahas atij të Xhemilit. Mirëpo ky i fundit nuk mund ta gëlltiste këtë fyerje dhe thirrjes së tij iu përgjigjën 700 veta nga rrethi i Vlorës, që erdhën me vrap për të mbrojtur nderin e të zotit. Por edhe Abdyl Beu iu drejtua popullit dhe mallakastriotët erdhën menjëherë të armatosur: “se na shkeli Vlora nderin”. Për tri ditë e net kërsiti pushka në të katër anët, ndërkohë që uji i rrëmbyeshëm e kishte marrë me vete sërish ishullin. Kjo histori qesharake – thotë pastaj Vlora – dëshmon se në ato vite, qeveria në Shqipëri qëndronte mbi një truall mjaft të lëvizshëm dhe se shqiptarët vazhdonin ta qeverisnin jetën sipas mënyrës se vet [Vlora&Godin: 2010, f. 53].
Edith Durham ishte e njohur mirë me të tilla rrëfime, prandaj, në një letër që i shkruan nga Londra Parashqevi Qiriazit [SHBA], më 20 maj 1917, i thotë se armiku i shqiptarëve është vetvetja, se ata zihen keq mes tyre për probleme vetjake dhe i lënë mënjanë problemet e përbashkëta. Kundërshtimet që kanë të jashtmit për një Shqipëri të lirë është se shqiptarët janë të përçarë dhe zihen kaq shumë midis tyre sa megjithëqë e dëshirojnë lirinë e Shqipërisë, nuk e shohin dot si mund të realizohet, edhe në u realizoftë si mund të përmbahet. Në qoftë se kundërshtimet midis Veriut edhe Jugut dhe midis fiseve e feve vazhdojnë, unë nuk mund të shoh përveçse ndarjen e Shqipërisë, gjë për të cilën do të më vinjë shumë keq. Në përmbyllje frazën më kuptimplote: “Fati i Shqipërisë qëndron në duart e shqiptarëvet”.
Nuk është aspak etike që ilustrimet të veçohen vetëm në kontekstin negativ, por rrëfimi i Vlorës, droja e Durhamit dhe parashikimi i Boue’s për fundin e kësaj historie, duhej të ishte i vërtetë: “Dhe vërtet, kur të shkatërrohet Turqia, nëse shqiptarët nuk gjejnë një gjuhë të përbashkët për një pavarësi, ata do të pushojnë së ekzistuari.”
Unë nuk e di se ku është bazuar Boue në pretendimet tij dhe as që ndihem mirë për t’i pranuar për të vërteta, por faqet e historisë sonë kanë qenë gjithmonë në gjendje “mbill e mos korr”, të mbushura me luftëra princërish shqiptarë kundër njëri-tjetrit: Balshajt, Topiajt, Dukagjinët, Jonimët, Zahariotët, Shpatajt, Muzakajt, Zenebishtët, Vukashinët, Arianitët, Kastriotët dhe bashkëpunimi i tyre me të huajt për të “shpëtuar prej të vetit”! Në pjesën e dytë të shekullit XIV, sapo mbetën të pavarur, feudalët shqiptarë filluan luftë: Durrësi kundër Karl Topisë, Ulqini dhe Tivari kundër Balshajve, Lezha kundër Dukagjinit [Historia e Shqipërisë, vëll. I, viti 1959, f. 222, 224] etj.
(vijon)