
Komiteti për ndarjen e Çmimit Nobel për Paqe njoftoi javën e kaluar vendimin se ky çmim prestigjoz për këtë vit u ndahet dy gazetarëve: asaj filipinase Maria Ressa dhe atij rus Dimitri Muratov, për përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e shprehjes, demokracinë dhe paqen. Nuk e di nëse kjo është hera e parë që ky çmim u ndahet gazetarëve, por më e rëndësishme se kjo është momenti i dhënies së tij. Jetojmë në një botë gjithnjë e më të pasigurt, ku shumë vlera të demokracisë janë rrezikuar, ndër të tjera edhe ajo e lirisë së fjalës dhe shprehjes, si një ndër të drejtat themelore të njeriut.
Me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë së informacionit dhe rritjen e mjeteve të komunikimit, janë rritur edhe mundësitë e përhapjes së informacionit. Tashmë çdokush ka mundësi të jetë gazetar, roli i të cilit nuk është më ai që ka qenë dikur, si zëri i vetëm i publikut. Përkundrejt pritjeve se në shekullin 21 do të jetojmë në një botë më të lirë, më të drejtë dhe më demokratike, realiteti i përditshëm e përgënjeshtron këtë. Mbase askush nuk e kishte menduar se në shekullin 21 liria e fjalës do të ishte e kërcënuar?! Vendet diktatoriale dhe autokratike me udhëheqës autokratë, por fatkeqësisht edhe vendet me demokraci deri diku të zhvilluar, kanë ngritur sisteme të tilla që e mbysin lirinë e fjalës dhe median e lirë, duke ndikuar përmes formave të ndryshme në censurimin e saj.
Gazetaria, liria e fjalës dhe e medias, në një pjesë të mirë të botës sot janë në rrezik. Gazetarët mbeten ende lloji më i rrezikuar, dhe kjo jo vetëm në vendet e rrezikshme si ato të përfshira nga lufta apo konfliktet, por edhe në vendet me demokraci të brishtë. Për çdo vit në botë vriten me dhjetra gazetarë dhe punonjës të medias për shkak të detyrës së tyre. Në shënjestër janë sidomos gazetarët hulumtues, ata të cilët e shohin gazetarinë si mision dhe pavarësisht rrezikut, janë të përkushtuar për t’i shkuar deri në fund ndriçimit të së vërtetës me qëllim të përmirësimit të shoqërisë
Gazetaria, liria e fjalës dhe e medias, në një pjesë të mirë të botës sot janë në rrezik. Gazetarët mbeten ende lloji më i rrezikuar, dhe kjo jo vetëm në vendet e rrezikshme si ato të përfshira nga lufta apo konfliktet, por edhe në vendet me demokraci të brishtë. Për çdo vit në botë vriten me dhjetra gazetarë dhe punonjës të medias për shkak të detyrës së tyre. Sipas organizatës Reporterët pa kufij, në vitin 2020 janë vrarë 50 gazetarë, shumica në vende që nuk janë në luftë. Të dhënat tregojnë se është rritur numri i vrasjes së gazetarëve të cilët e hulumtojnë krimin e organizuar, korrupsionin ose çështjet mjedisore.
Në shënjestër janë sidomos gazetarët hulumtues, ata të cilët e shohin gazetarinë si mision dhe pavarësisht rrezikut, janë të përkushtuar për t’i shkuar deri në fund ndriçimit të së vërtetës me qëllim të përmirësimit të shoqërisë. Në këtë përpjekje, disa prej tyre e kanë pësuar me kokë, siç është rasti i gazetares ruse dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, Ana Politkovskaja (së cilës gazetari rus Dimitri Muratov ia dedikoi fitimin e Çmimit Nobel për Paqe), e cila u vra në vitin 2006, sepse kishte raportuar për krimet e luftës në Çeçeni dhe kishte kritikuar presidentin rus, Vladimir Putin; gazetares hulumtuese malteze Daphne Caruana Galizia, e cila është vrarë më 16 tetor 2017 nga një shpërthim me eksploziv në makinë, për shkak të hetimeve të kompanisë “17 Black”, për të cilën ajo kishte pohuar se ishte e lidhur me politikanët maltezë tetë muaj para se të vritej. Galizia udhëhoqi hulumtimin dhe publikimin e skandalit “Panama Papers” dhe kabllogrameve të qeverisë malteze; gazetarit hulumtues sllovak, Jan Kuciak, 27-vjeçar, dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova, të cilët u vranë më 21 shkurt 2018 në shtëpinë e tyre jashtë kryeqytetit të Sllovakisë, Bratisllavë, krim që ka nxitur protesta masive në Sllovaki dhe ka çuar në dorëheqjen e kryeministrit, Robert Fico; gazetarit kritik saudit Jamal Khashoggi, i cili shkruante kolumna për gazetën “Washington Post” dhe jetonte në SHBA, të vrarë në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, më 2 tetor 2018; por edhe të shumë gazetarëve të tjerë, të cilët janë shndërruar në simbol të gazetarisë dhe të fjalës së lirë.
Gazetarët shpesh nuk janë të mbrojtur dhe janë të vetmuar në punën e tyre. Në median shqiptare gazetarët shpesh nuk mbrohen as nga pronarët e medias ku punojnë, por vetëm nga komuniteti i gazetarëve të cilit i takojnë dhe nga organizatat e ndryshme që merren me mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe të drejtave të njeriut, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare. Në hapësirën shqiptare, gazetaria sot është një profesion i nënçmuar dhe i degraduar, edhe për fajin e vetë gazetarëve. E kam fjalën për atë lloj të gazetarëve, të cilët për qëllime dhe përfitime të ndryshme e kanë njollosur profesionin e tyre.
Prandaj dhënia e Çmimit Nobel për Paqe për dy gazetarë duhet kuptuar si një mirënjohje dhe mbështetje për punën e gazetarëve në të gjithë botën dhe për përpjekjet e tyre për një botë më demokratike, por edhe si një thirrje dhe kambanë drejtuar qeverive të vendeve të ndyshme dhe shoqërisë në përgjithësi. Sepse një gazetari cilësore, e pavarur dhe e lirë, pa dyshim që do ta bëjë botën dhe shoqërinë më të mirë.