Gënjeshtra si “rregull”

Nga Platoni (428-347) deri te Xhorxh Orwell-i (1903-1950) ka zotëruar mendimi se gjuha publike e ditës ka dështuar duke marrë me vete edhe gjuhën e politikës! Vetëm me një studim të këtyre kritikëve dhe krizave nëpër të cilat ato kanë kaluar, ne mund të njohim sfidat me të cilat po përballet sot gjuha publike, kurse më e rëndësishmja e kësaj sfere është gjuha e politikës! Kjo përfshin konfliktet, bashkëpunimin dhe kompromisin e nevojshëm për të realizuar çështjet

Hajrudin S. Muja

Filozofi dhe historiani i famshëm amerikan Will Durant (1885-1981), i njohur për historinë e qytetërimit botëror, shkroi një herë: “Makina politike triumfon, sepse është pakicë e bashkuar që vepron kundër një shumice të ndarë”. Ndërkaq Nikita Hrushovi (1894-1971), që shërbeu si sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (1953-1964), bëri një koment në kontekstin e ndërtimit të një ure në Beograd. Duke e parë të tepërt gjuhën e një politikani, ai tha: “Politikanët janë të njëjtë në të gjitha vendet. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe atje ku nuk ka lumë”! [Chicago Tribune, 22. 8. 1963]
Nuk do të ishte i plotë “përkufizimi politik” pa i shtuar këtu edhe mendimin e politikanit kanadez Dalton Kamp (1920-2002), një mbështetës i Partisë Konservatore Progresive të Kanadasë, i cili duke komentuar për politikanët që përqendrohen në gjëra të parëndësishme, në vend që t’u kushtojnë vëmendje çështjeve më madhore, tha: “Politika përbëhet kryesisht nga parregullsitë”. Të tri frazat i pat përmbledhur dikur Hubert H. Humfrei (1911-1978) në një fjali të vetme: “Të gabosh është njerëzore, të fajësosh për të dikë tjetër është politikë”.
Politika si një art i qeverisjes së kahmotshme, që e kanë quajtur “arti i të mundshmes”, armën më të fortë të saj ka pasur gjuhën, fjalën dhe fjalimet, të cilat i transmetohen popullatës përmes rrjetit mediatik, sepse vetem një pjesë e vogël qytetarësh mund t’i dëgjojnë politikanët ballë për ballë. Janë gazetarët ata që e ndërmjetësojnë dialogun, por ky dialog që arrin te publiku ashtu siç e dëgjon ose dëshiron ta dëgjojë, pas një ‘rrugëtimi’ të gjatë filtrues, përshtatet apo edhe shtrembërohet, varësisht nga bindja dhe paragjykimi politik që mund të kenë! [Tompson:2016, f. 117]

Kritikët e retorikës që nga koha e Platonit kanë qenë të shqetësuar në lidhje me intrumentalizimin e gjuhës, kur ligjëruesit elokuentë por të paskrupullt, tentojnë të bindin, jo përmes meritave dhe argumenteve, por përmes “shtypjes së butonit” të audiencës, duke përdorur fraza e mashtrime, të cilat i kanë mësuar dhe i kanë testuar me kohë, për të nxjerrë reagimet e dëshiruara prej popullatës së cilës i adresohen! Nëse prova e parë dështon, do ta zëvendësojnë me ndonjë ‘zbrazëtirë’ bindjesh të tjera!

Kurrë më parë gjuha publike nuk ka qenë kaq e përhapur. Politikani mund ta mbjellë një ide që do të përshkojë dhjetë milionë mendje njerëzore, ende pa zbritur nga podiumi. Imazhi mund të mbërrijë në syrin e shikuesit rreth globit brenda disa sekondash, pavarësisht largësisë: “Tani, tani po ngjet, tani po thotë, tani po e postoj, tani po i përgjigjem, më dëgjo, më shiko, tani”! Është epoka e informimit digjital që në qëllim mbetet e njëjtë: alarm, frikë, shpjegim, mashtrim, indinjatë, inspirim, e mbi te gjitha bindje. Në kuptimin global, është gënjeshtra e ‘sofistikuar’ që i servohet sot masës përmes kësaj makinerie mediatike, që ka arritur mundësinë për ta ndryshuar mentalitetin e shumë njerëzve! [Bagdikian:1992]
Meqenëse këto janë në pronësinë e një numri të vogël njerëzish (të pasur), ata nuk paraqesin ndryshime të dukshme, pasi ‘këndojnë’ të gjithë sipas “shkopit të dirigjentit”! [Kik:2002] Jo fort moti, një gazetar i një kanali televiziv pati deklaruar: “Ne jemi vegla të pavlera të të pasurve… Ata dirigjojnë, ne vallëzojmë. Talenti ynë, mundësitë tona dhe jeta jonë është pronë e tyre. Ne jemi prostituta inelekuale”. [Index on Censorship, Vol. 30, #1/2001, f. 10] Jo pa arsye Mark Twain shkruante njëherë: “Ne kemi qeverinë më të mirë që paratë mund të blejnë!”
Nga Platoni (428-347) deri te Xhorxh Orwell-i (1903-1950) ka zotëruar mendimi se gjuha publike e ditës ka dështuar duke marrë me vete edhe gjuhën e politikës! Vetëm me një studim të këtyre kritikëve dhe krizave nëpër të cilat ato kanë kaluar, ne mund të njohim sfidat me të cilat po përballet sot gjuha publike, kurse më e rëndësishmja e kësaj sfere është gjuha e politikës! Kjo përfshin konfliktet, bashkëpunimin dhe kompromisin e nevojshëm për të realizuar çështjet. Thjesht, përmban procesin politik që tregon se si njerëzit arrijnë një lloj marrëveshjeje për atë që do të ndodhë në një shoqëri, se çfarë do të pranojnë njerëz dhe grupe të ndryshme, se kush do të marrë çka, çfarë do të lejohet dhe çfarë do të ndalohet.
Gjuha politike është krijuar për t’i bërë gënjeshtrat të tingëllojnë si të vërteta – thoshte Orwell! Papa Urbani pikërisht përmes kësaj gjuhe i shtoi ithtarët e vet për t’i rreshtuar në kryqëzatë. Ishte gjuha e shpifjes për “priftërinjtë e murgjit që rrethpriteshin dhunshëm në altar” dhe prandaj duhej të bashkoheshin “që ta pastrojmë atë tokë prej racës së dobët”. [Karabell:2007, f. 90] Në librin e tij të fundit: “Kundër Papatit Romak, institucionit të djallit” (1545), Martin Luteri përdori po këtë gjuhë, të dhunshme e vulgare më shumë se çdo shkrim tjetër që kishte bërë më parë. [Uilson:2008, f. 316]
Tomas Hobs (1588-1679), që jetoi në kohën e luftërave civile të Evropës, besonte se këto luftëra ishin shkaktuar në një masë të madhe për shkak të gjuhës së politikës, që ai e quante “lufta e fjalëve” rreth religjionit dhe që kishte dobësuar fatalisht bazën e përbashkët gjuhësore, nga të cilat varej rregulli i një shteti. Asokohe, në botën latine kishin lindur shumë herezi të reja, të cilat kishin formuar “parti të reja” militante, të cilat veç urrejtjes që kishin për papatin, urrenin edhe njëri-tjetrin. [Wedgwud:1961, ff. 24-25] Ishte pikërisht gjuha e politikanëve që i mbante në konflikt dhe në armiqësi popujt latinë gjatë gjithë periudhës së Perandorisë Osmane! [Krowli:2013, f. 67] Ajo që mbanin në zemrat e tyre i shpaloste gjuha e mbushur me urrejtje ndaj gjithçkaje që kishte të bënte me fenë e tyre, duke i dhënë gjithçkaje ngjyrën e humbjes, të dështimit e vrasjes!
Këto janë pasojat kur në gjuhën e politikës gënjeshtra është “rregull”. Reporteri e paraqet atë si të vërtetë, thotë atë që nuk dëshiron ta thojë, fsheh atë që dëshiron, “e don” atë që vërtet e urren dhe “e urren” atë që vërtet e don! [Takle:2008] Gënjeshtra është përhapur aq shumë sa është bërë e pamundur të kuptohet se cili nga këta është i sinqerti. [Mearsheimer:2011] Synojnë të mbulojnë një ngjarje të cilën të tjerët nuk mund ta durojnë! Kur e pyetën një diplomat të OKB-së se si lindin luftërat, ai tha: “Politikanët i gënjejnë gazetarët dhe pastaj besojnë atë që lexojnë në gazeta”. Por – thotë E. W. Skrips, këta i posedojnë “një pakicë njerëzish shumë të pasur, të cilët për të mos mbetur të varur, nuk mund t’u japin njerëzve informata të sakta, por manipulojnë me realitetin për të ruajtur pozitën e tyre që kanë”. [Bagdikian:1992, f. 127] Në këtë mënyrë – thotë shkencëtari politik Majkel Parenti: “Puna e tyre nuk është informimi por dezinformimi, jo për të vendosur demokracinë, por për ta penguar atë”. [Parenti:1999]
Kur flasim për gjuhën e politikës dhe ‘shëndetin’ e demokracive tona, rëndësia e politikanit dhe e medias është e dukshme, sepse “demokracia është bashkëbisedim ndërmjet liderëve dhe popullit” [Tompson:2016]. Duam apo nuk duam ne, janë politikanët ata që përgjithësisht e “thyejnë akullin”. Është gjuha e tyre e komunikimit përmes së cilës formësojnë dhe paraqesin argumentin politik dhe ideologjik, në mënyrën sa më bindëse dhe sa më të besueshme të mundur. Gjuha nuk është e ndarë prej ideve që përmban, por mënyra se si përdoret mund të na tregojë mënyrën e formulimit të ideve! Përmes saj ata na reflektojnë pozicionin ideologjik që kanë krijuar, dhe ‘barometri’ matës që sjell reagimi i masës kundrejt tyre.
Fjalët janë falas dhe çdo politikan, gazetar ose qytetar mund t’i përdorë në mënyrë të pakufizuar, por ka qenë një kohë kur vetëm fjalët e duhura janë folur dhe vetëm nga ato të folura ka mundur të përcaktohet se çfarë do të ngjajë më pas! Me renditjen e këtyre fjalëve, ata jo vetëm që kanë ndikuar në gjendjen shpirtërore, por edhe i kanë formësuar njerëzit, duke i shpënë drejt paqes, prosperitetit, progresit, pabarazisë, persekutimit e madje edhe drejt luftës!
Faktori më i rëndësishëm i këtij konteksti ka qenë “retorika” [nga greqishtja rhētorikós = oratorik], arti i të folurit (ose i të shkruarit) bukur dhe në mënyrë bindëse, për të motivuar një audiencë të veçantë në situata specifike. [Korbet:1990, f. 1] Ndryshe nga filozofia që synon arsyen dhe argumentin, retorika synon bindjen pavarësisht së vërtetës. Sipas Tukididit, ajo prishi “pranimin normal të kuptimit të fjalëve”! [Tukididi:1998, f. 9] Në fjalorin e shqipes shpjegohet si një art me shprehje të mëdha e të bukura, por pa përmbajtje të thellë ose si një pyetje (retorike) që bëhet për t’i tërhequr vëmendjen lexuesit a dëgjuesit, por e cila e ka vetë përgjigjen. Aristoteli (384-322) e konsideronte si “pjesë e rëndësishme e veprimtarisë njerëzore”. [Bird:2000] Tompson thotë se në “gjuhën e politikës” retorika përdoret më së shumti në sensin negativ, si një “pako e shtrembër mashtrimesh verbale” që lejon të ndrojturin ta kthejë nga një situatë të dobët në një të fortë! [Tompson:2016, f. 23, 165]
Kritikët e retorikës që nga koha e Platonit kanë qenë të shqetësuar në lidhje me intrumentalizimin e gjuhës, kur ligjëruesit elokuentë por të paskrupullt, tentojnë të bindin, jo përmes meritave dhe argumenteve, por përmes “shtypjes së butonit” të audiencës, duke përdorur fraza e mashtrime, të cilat i kanë mësuar dhe i kanë testuar me kohë, për të nxjerrë reagimet e dëshiruara prej popullatës së cilës i adresohen! Nëse prova e parë dështon, do ta zëvendësojnë me ndonjë ‘zbrazëtirë’ bindjesh të tjera! Ata e dinë se në Athinën e para 2.500 vjetëve, fuqia gravitoi tek oratori më bindës, por rreziku i sotëm qëndron në faktin se fuqia mbështetet në atë që posedon makinerinë më të madhe [Tompson:2016, f. 21-22] dhe kjo shkakton problem më vete! (vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat