Ndihmesa në përhapjen e fenomeneve në të gjithë territorin e bashkuar ekonomikisht dhe politikisht

Zakonisht shkaku i shfaqjeve të karakteristikave gjuhësore të përbashkëta në një territor të caktuar është ekzistenca në atë territor për një kohë pak a shumë të gjatë e lidhjeve politike, ekonomike dhe kulturore midis popullsisë. Për këtë arsye jemi ndalur në vështrimin e lidhjeve administrative e politike në këtë territor në shekullin XV

Bahri Beci

(vijon nga numri i kaluar)
Po si duhet shikuar ky fenomen në dritën e veprës së Pjetër Budit që ishte prej Gurit të Bardhë të Matit? Në Gur të Bardhë është përgjithësuar kalimi i i-së në ę. Në veprën e Budit (1618) nuk haset kalimi i i-së në ęi ose ę. Kjo nuk provon se fenomeni nuk ekzistonte në të folmet e “rajonit dialektor qendror” ose edhe në Gur të Bardhë; mund të ketë qenë që ai nuk e pasqyroi në veprën e tij këtë evolucion fonetik, meqenëse dihet se P. Budi ka shërbyer 29 vjet rresht (1587-1615) te shqiptarët katolikë të Kosovës; në anën tjetër, ka të ngjarë që Budi ndoqi një traditë letrare në të shkruar. Për këto arsye rezervohemi ta marrim veprën e Budit si shprehje të gjuhës së folur të “rajonit dialektor qendror” në shekullin XVII.

  1. Siç u vu re, edhe zanorja ynë të folmet e këtij rajoni dialektor në një kategori fjalësh ka evoluar në i, ai, ęi, ëi, oi dhe në variantet me zanore të thjeshta: a, ę, ë, ö, ø.
    Gjatë vështrimit të gjendjes së sotme të tingullit y në të folmet e rajonit dialektor qendror kemi konstatuar një përputhje të plotë të diftongjeve sekondare që vi¬jnë nga tingulli y me diftongjet sekondare që vijnë nga zbërthimi i i-së së theksuar. Veç kësaj përputhet plotësisht edhe shtrirja territoriale e secilit prej varianteve me diftong të y-së me shtrirjen territoriale të varianteve përkatëse të i-së.
    Duke marrë shkas nga ky konstatim na duket se ka arsye të mjaftueshme të mendojmë se y-ja ka përfunduar në diftongje nëpërmes i-së. Kjo provohet edhe nga fakti se një pjesë e mirë e fjalëve që dalin me diftongje në perëndim, veri e lindje të rajonit dialektor qendror edhe sot e gjithë ditën në pika të veçanta vazhdojnë të ruajnë i-në: ftira, krip (G. Kalis), u pëlcie, do t’pitish (Z. Dardhe), rrip, me pit, kriet (Blinisht). Në këto rrethana mendojmë se ka arsye të pranohet që evolucioni y > i duhet të ishte kryer në kohën kur kishte marrë udhë diftongimi i i-së primare, përndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti që këtij fenomeni ju nënshtruan edhe i-të që vinin nga delabializimi i y-së. Mirëpo më sipër, duke u mbështetur në të dhënat e toponimisë historike dhe te Formula e Pagëzimit, kemi provuar se diftongimi i i-së primare në të folmet e “rajonit dialektor qendror” ka qenë i përhapur në mesin e shekullit XV. Kështu që duhet pranuar se kalimi i y-së në i në këto të folme ka ndodhur para shekullit XV.
  2. Për vjetërsinë e kalimit të tj, dj në q, gj na shtyn të mendojmë fakti që edhe në dialektet (arbëreshe – BB) të Molisesë dj-ja zëvendësohet nga g-ja në djali, fjalë që në Ururi dhe gjetkë përdoret me formën gjaleti. Po kështu thonë gjathë – djathë (në vend të djathë).
    Shfaqja tek arbëreshët e Molisesë e këtij fenomeni si edhe e disa fenomeneve të tjera gege (monoftongu u për uo ose diftongu ue për uo si edhe monoftongu i për ie) nuk mund të shpjegohen me origjinën toske të këtyre të folmeve; këto elemente gege në këto të folme ndoshta shpjegohen me prejardhjen gege të një pjese të popullsisë arbëreshe të Molisesë. Vetë Lamberci në hyrje të punimit të tij shkruante: “Lokaliteti i Ururit u dëmtua veçanërisht rëndë prej tërmeteve derisa tërmeti i madh i vitit 1456 (5 dhjetor) e rrënoi krejt. Dy vjet më vonë vjen Skënderbeu në Itali; ata shqiptarë që nuk u kthyen më në atdhe bashkë me të u pritën me gëzim në këto vise të shkretuara”.
    Pra, ndoshta fenomenet gege që përmendëm, si edhe palatalizimi i grupit të bashkëtingëlloreve dj në gj në Molise, mund të shpjegohen me përzierjen e popullsisë toske me elemente gege të ardhura nga krahinat e Gegërisë së Mesme në kohën e Skënderbeut.
    Për vjetërsinë e dy dukurive tjera të të folmeve të ”rajonit dialektor qendror” nuk kemi të dhëna, po duke u nisur nga shtrirja e tyre pak a shumë e njëjtë me atë të tri dukurive të para, të vlerësuara si të periudhës para shekullit XV, mund të thuhet se edhe këto duhet të jenë zhvilluar pak a shumë në të njëjtën kohë.
    Zakonisht shkaku i shfaqjeve të karakteristikave gjuhësore të përbashkëta në një territor të caktuar është ekzistenca në atë territor për një kohë pak a shumë të gjatë e lidhjeve politike, ekonomike dhe kulturore midis popullsisë. Për këtë arsye jemi ndalur në vështrimin e lidhjeve administrative e politike në këtë territor në shekullin XV.
    Në këtë kohë në territorin e “rajonit dialektor qendror” shtrihej Principata e Kastriotëve.
    Fillimisht kemi konstatuar që kufijtë e përhapjes territoriale të zbërthimit të i-së dhe y-së së theksuar si edhe të palatalizimit të grupeve të bashkëtingëlloreve tj, dj përkatësisht në q, gj, po edhe të palatalizimit të g-së në gj gati përputheshin me kufijtë e Principatës së Kastriotëve. Kufiri i Principatës së Kastriotëve në bregdet shtrihej prej rrethinave të Lezhës dhe deri te Kepi i Rodonit, prej Kepit të Rodonit, kufiri kalonte në lindje, duke përfshirë kështjellën e Petrelës e duke anashkaluar Çermenikën, dilte në Svetigrad në lindje të Dibrës së Sipërme, kalonte në rrethinat e Gostivarit e vazhdonte deri në periferi të Prizrenit. Mendohet se Mirdita ishte pronë e Kastriotëve dhe jo e Dukagjinasve të cilët në shekujt XIV-XV sundonin kra¬hinën në mes lumenjve Drin dhe Fan, përfshirë Lezhën.
    Pikërisht në krahinat poshtë Fanit, ku sundonin Kastriotët, zbërthimi i i-së dhe y-së së theksuar, si edhe palatalizimi i grupeve të bashkëtingëlloreve tj, dj përkatësisht në q, gj, po edhe palatalizimi i g-së në gj janë të dendura, kurse në krahinat midis Fanit e Drinit, ku nuk shtrihej Principata e Kastriotëve, ata ose nuk hasen fare, si në Zadrimë, Lezhë, Pukë. Pra, ka të ngjarë që formimi i principatës së Kastriotëve në territorin e Gegërisë së Mesme të ketë ndihmuar në përhapjen e këtyre fenomeneve në të gjithë territorin e bashkuar ekonomikisht e politikisht.
    Kastriotët, sipas të dhënave të Gjon Muzakës, në fillim kishin në zotërim të vet vetëm dy katunde: Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm, që ndodheshin në luginën e Dibrës (në pjesën veriore). Gjon Kastrioti në fund të shekullit XIV duke përfituar nga dobësimi dhe çthurja e principatave shqiptare e shtriu sundimin e vet në krahinën e Dibrës, pastaj në atë të Matit dhe në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XV doli në viset bregdetare.
    Pranohet se kufiri i Principatës së Kastriotëve shtrihej në lindje deri në afërsitë e Gostivarit; sipas Nolit edhe krahina e Tetovës hynte nën ndikimin e Kastriotëve, prandaj ka arsye të pranohet se diftongimi edhe në krahinat lindore të Gegërisë së Mesme deri afër Shkupit është përhapur nga territori dibran.
    Pikëpamja jonë për rolin e principatës së Kastriotëve në formimin e të folmeve të “rajonit dialektor qendror” është kundërshtuar nga Agnija Vasiljeva Desnickaja me argumentin që është vështirë të pranojmë që inovacionet fonetike të Gegërisë së Mesme ose të “rajonit dialektor qendror”, përfshirë edhe diftongimin e i-së së theksuar, të kenë lindur para shekujve XVI-XVII.
    Mirëpo Eqrem Çabej më 1967, ka pranuar se hapja e i-së së theksuar në e, një dukuri me të cilën lidhet m’ anë tjetër diftongimi i kësaj i-je në ei, ai, paralel me atë të u-së së theksuar në ou në gegënishten e mesme e lindore (mirë: mejr, majr, e shtunë: e shtoyn), në krahinën e Matit u arrit vonë-vonë, jo më vonë se në gjysmë të shekullit XV, meqë në Formulën e Pagëzimit të vitit 1462 shprehja të shpirtit shenjt paraqitet me trajtën të shpertit shenjt.
    (Fund)

Të fundit

më të lexuarat