
Nacionalizimi i ullishtës së Valdanosit
Viti 1978 është i rëndësishëm për nacionalizimin e 18 000 rrënjë të ullinjve në Valdanos (Bisht). Armata Popullore e Jugosllavisë në mënyrë të dhunshme i mori ullinjtë më të mirë në Ulqin.
Ullinjtë e Bishtit – Valdanosit ishin të vjetër, “kazana” (katër burra duheshin pë ta rrethuar një ulli). Një pjesë e pronarëve kanë jetuar nga ullishtaria. Ullishta në Bisht – Valdanos ishte më e mira në tërë ullishtarinë e Ulqinit. Lugina e Valdanosit dhe shpati i malit, i quajtur Bishti, ishin në afërsi të detit. Ulliri e do afërsinë e detit, brigjet dhe kodrinat. Ullinjtë nga këto lokalitete japin vaj më tepër se të tjerët, nganjëherë edhe 25-30 litra në 100 kg ullinj. Deri diku këto karakteristika i kanë edhe ullinjtë në Lima, ose në Bashbylyk. Ullinjtë në Anë të Malit (nën Malin e Bardhë) japin vaj më pak, sikurse ullinjtë e Krajës.
Pas nacionalizimit, Komisioni iu dha pronarëve një shpërblim simbolik financiar.
…
Ulliri është pemë e shenjtë. Së bashku me fikun dhe palmën përmendet edhe në Kur’an. Ullishta ka qenë gjithmonë njëra prej simboleve të Ulqinit. Janë mbjellë para qindra vitesh. Thonë se i kanë sjellë detarët nga lundrimet nga vendet e largëta. Ullinjtë janë shumuar, janë ndërtuar kilometra të mureve për t’i rrethuar dhe mbrojtur ato.
Dikur, detaria dhe ullishtaria ishin pjesë e jetës së Ulqinit. Vaji prej Ulqinit është shitur edhe në vende të tjera, si Boka e Kotorrit, Dalmacia. Ullinjtë janë mbjellë në Lima, Bashbylyk, Qafë, Bisht (Valdanos), në Mal të Bardhë, në Mendër. Nëpër ullishtë janë ndërtuar krojet: Kroi i Bashbylykut, Kroi i Begut, Kroi te Çinari i Madh, kroi në rrugën për Lima, Kroi i Zanave në Valdanos, Kroi i Thatë, Kroi Doçe…
Ullishta është punuar në pranverë dhe verë. Në vjeshtë ka filluar stina e mbledhjes. Vaji i Ulqinit me aromë të këndshme, me shije të veçantë, ullinjtë e bardhë dhe të zinj të konservuar.
Me ullishtë janë rritur gjeneratat, janë pajisur vajzat, janë shkolluar nxënësit e studentët. Dikur ulqinakët me fuçi 200 litërshe e kanë transportuar vajin me avullore deri në vende të tjera. Përpara, ai që ka pasur një ose më tepër bylykë ullinjsh ka jetuar mirë, nuk ka qenë i varfër.
…
Edhe pas demokratizimit, në vitet e nëntëdhjeta të shekullit XX dhe pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi është folur dhe kërkuar kthimi i ullishtës së Valdanosit prej disa organizatave joqeveritare, pataj prej partive politike shqiptare, por pushteti i Malit të Zi nuk reagoi dhe ullishta e Valdanosti nuk iu kthye ish-pronarëve. Bile, për hir të së vërtetës, pa asnjë farë nevoje janë prerë një mijë ullinj me dijen e “pronarëve të rinj”.
Në organizim të Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi është mbajtur tubimi i parë për kthimin e Valdanosit. Në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit për këtë çështje me rëndësi të posaçme për Ulqinin e më gjerë folën: Prim. Dr. Gani Karamanaga, Mr. Maksud Haxhibrahimi, ekonomisti Xhelal Hoxha, juristi Sabri Buzuku, avokati Gëzim Kalabrezi, ish-kryetari i Komunës së Ulqinit Lluka – Batko Gjakonoviqi dhe shkrimtari Jovan Nikolaidis.
Viteve të fundit aktivitet të madh në këtë drejtim kanë zhvilluar sidomos Shoqata e Ullishtarëve, OJQ “Mogul”, Bashkësia Islame dhe Kisha Ortodokse.
…
Më 30.gusht 2020 u ndërrua pushteti në Mal të Zi. Kështu edhe ata që e kishin “hedhur” syrin në luginën e Valdanosit e humbën fuqinë. Aspiratat e tyre u zhdukën.
Së pari, me angazhimin e nënkryetarit të Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e pastaj me propozimin e deputetit Genci Nimanbegu, Parlamenti i Malit të Zi aprovoi vendimin historik për kthimin e ullishtës së Valdanosit ish-pronarëve.
Kthimi i ullishtës së Valdanosit ish-pronarëve
Kjo është fitore e madhe. Kuvendi i Malit të Zi e zhduki një padrejtësi ndaj popullit të Ulqinit. Valdanosi përsëri bëhet një ndër simbolet tona. Ulqini dhe ulqinakët janë mirënjohës ndaj të gjithë atyre të cilët luftuan për kthimin e ullishtës në Valdanos.
Tash është obligim që të revitalizohet ullishta, por edhe ruajtja e ambientit magjik të Valdanosit. Të ndalohet ndërtimi i paligjshëm në ullishtë.