Tuz – Në konferencën që mbajti në Tuz Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Tuzit, u tha se krijimi i një platforme të përbashkët të shërbimit është objektiv i veprimtarisë në të ardhmen i këtyre dy institucioneve.
Në këtë konferencë ku u trajtuan çështje të ndryshme të punës së arkivave, me kumtesat e tyre referuan një numër i konsiderueshëm i studiuesve të spikatur dhe me reputacion, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Ulqini.
Fillimisht, në emër të Komunës së Tuzit përshëndeti, Mark Lucgjonaj, i cili duke shprehur kënaqësi të veçantë për këtë organizim, tha se pa punën e këtyre dy institucioneve, e kaluara jonë do të ishte e panjohur, kurse e ardhmja do të ishte akoma më e rrezikuar.
“Mbajtja e Konferencës së V Mbarëkombëtare e Arkivistikës në Tuz është një dëshmi e përkushtimit ndaj ruajtjes së kulturës, kujdesit për të kaluarën dhe të ardhmen”, u shpreh Lucgjonaj.
Ndërkohë, ka folur drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, z. Ardit Bido, i cili shprehu kënaqësi të veçantë që Konferenca e V Mbarëkombëtare e Arkivistikës u zhvillua pikërisht në Tuz, duke thënë se qëkur është filluar me këtë konferencë, synimi ka qenë që kjo të jetë një konferencë e shqiptarëve ngado.
“Jo si pikëpamje nacionaliste, por si një pikëpamje thellësisht patriotike dhe profesionale. Arkivat e kombit tonë janë një. Ato mund të jenë të ndara në institucione dhe në shtete të ndryshme, por bëhet fjalë për historinë tonë, dhe ajo histori është kombëtare. Zhvillimet në Kosovë kanë ndikuar në zhvillimet në Shqipëri. Zhvillimet në Malësi kanë ndikuar në zhvillimet në Kosovë, dhe zhvillimet në Maqedoninë e Veriut kanë ndikuar në zhvillimet në Malësi. Pra, janë të ndërlidhura, dhe rrjedhimisht do të ishin gjysmake që konferencat tona në këtë drejtim të bëheshin të parcelizuara në bazë të shteteve ku jetojmë”, u shpreh z. Bido.
Ai shtoi se puna e tyre është të studiojnë fushën e përbashkët, që janë arkivat e kombit shqiptarë.
“Ne si institucione do të punojmë veçmas si një formë integruese që studiuesit nga Tuzi apo Ulqini të mund të aksesojnë dokumentacionin arkivor të Arkivave të Shqipërisë apo të Kosovës, pa pasur nevojë që të vijnë në Tiranë apo në Prishtinë”, u shpreh drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, z. Ardit Bido, duke shtuar se nëse nuk arrijnë që të integrohen në mes vete, nuk mund të arrijnë të integrohen më gjerë.
Ai ndërkohë shprehu gatishmëri për bashkëpunim me këdo, në mënyrë që këtë platformë unike ta shtrijnë më gjerë, duke shpresuar se këto bashkëpunime do të jenë afatgjata dhe produktive, edhe në vazhdim.
Në të njëjtën kohë, drejtori Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, z. Bedri Zyberaj tha se në Tuz është e shkruar dhe e memorizuar një pjesë e rëndësishme e historisë tonë kombëtare.
Ndër studiuesit e shumtë nga vendet shqipfolëse të rajonit që morën pjesë në këtë konferencë, me kumtesat e tyre referuan: Dr. Nail Draga – Popullsia dhe vendbanimet e Ulqinit në Shek. XIX sipas dokumenteve arkivore malazeze, MA. Ali Bardhi – Shkolla Fillore Publike (mektebet) në trevën e Krajës sipas dokumenteve të Arkivit Osman të Shtetit të Stambolli, dhe Hajrullah Hajdari – Çarmatimi dhe kalimi me dhunë i shqiptarëve në fenë ortodokse sipas dokumenteve arkivore të Arkivit Shtetëror të Malit të Zi.
Kjo është hera e parë që në Tuz organizohet Konferenca e V Mbarëkombëtare e Arkivistikës, ndërsa katër të mëparshmet u mbajtën në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Sarandë.
t. u.