Analizë shumëdimensionale e disa prej dukurive dhe proceseve më të rëndësishme

Në sesion morën pjesë 15 studiues nga Mali i Zi dhe Shqipëria, të cilët në artikujt e tyre trajtuan çështje dhe problematika me rëndësi për shqiptarët në Malin e Zi. Pjesëmarrësit në sesion vlerësuan dhe përgëzuan “Art Club”-in për organizimin e aktiviteteve të tilla, duke potencuar nevojën e organizimit në të ardhmen të sesioneve shkencore për çështje të veçanta që lidhen me shqiptarët në Malin e Zi

Ulqin – Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” organizoi të dielën në sallën e konferencave të Hotelit “Plaza” – Ulqin Sesionin shkencor “Shqiptarët në Malin e Zi gjatë tri dekadave të fundit (1990-2020)”.
Në sesion morën pjesë 15 studiues nga Mali i Zi dhe Shqipëria, të cilët në artikujt e tyre trajtuan çështje dhe problematika me rëndësi për shqiptarët në Malin e Zi. Temat e paraqitura në këtë sesion u përkasin fushave të ndryshme: letërsisë që krijohet nga shqiptarët në Mal të Zi, historisë, demografisë, politikës, ekonomisë, kulturës, turizmit, arkitekturës, diasporës, medias etj.

Paula Dekaj

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se qëllimi i sesionit është që përmes një analize shkencore shumëdimensionale t’i vështrojë, studiojë dhe analizojë disa nga proceset dhe dukuritë që kanë ndodhur gjatë periudhës 30-vjeçare, të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me shqiptarët në Malin e Zi.
“Pavarësisht se tematika e këtij sesioni është e gjerë, ajo lidhet me një bosht kryesor e që janë shqiptarët në Malin e Zi. Thirrjes sonë i janë përgjigjur 15 studiues nga Mali i Zi dhe Shqipëria, të cilët jam i bindur që përmes artikujve të tyre do të kontribuojnë në arritjen e objektivit dhe suksesit të sesionit. Synimi ynë nuk ka qenë masiviteti, por pjesëmarrja cilësore e studiuesve. Më gëzon fakti se përpos që studiuesit u takojnë fushave të ndryshme, ata janë edhe të brezave të ndryshëm”, ka thënë ai.
Kallaba ka theksuar se sesioni nuk pretendon të jetë shterues, por që të nxisë studime dhe hulumtime të reja për shumë çështje që janë objekt i tij.

Ismet Kallaba

Pjesëmarrësit në sesion vlerësuan dhe përgëzuan “Art Club”-in për organizimin e aktiviteteve të tilla, duke potencuar nevojën e organizimit në të ardhmen të sesioneve shkencore për çështje të veçanta që lidhen me shqiptarët në Malin e Zi. Studiuesit ngritën shqetësimin e mungesës së dokumenteve dhe burimeve tjera që mund të përdoren si referencë shkencore.
Sesioni shkencor ishte planifikuar që të mbahet vitin e kaluar, në 30-vjetorin e themelimit të “Art Club”-it, por është shtyrë për shkak të pandemisë.
Sipas organizatorit, kumtesat e paraqitura në sesion do të botohen në një përmbledhje të posaçme, gjë që nga pjesëmarrësit u konsiderua shumë e rëndësishme dhe me dobi.
Mbajtjen e Sesionit shkencor “Shqiptarët në Malin e Zi gjatë tri dekadave të fundit (1990-2020)” e kanë mbështetur Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.

(Kohapress)

“Art Club”-i, organizator i veprimtarive shkencore të ndryshme

Krahas veprimtarisë botuese, organizimit të manifestimeve tradicionale si “Kalimera Poetike”, përurimit të librave, takimeve me shkrimtarë dhe autorë të ndryshëm, hapjes së ekspozitave figurative dhe fotografike etj., njëra prej aktiviteteve kryesore të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është edhe organizimi i veprimtarive shkencore. Kjo shoqatë ka organizuar ndër të tjera sesione shkencore kushtuar Gjon Buzukut, autorit të librit të parë në gjuhën shqipe, mandej Ymer Prizrenit, njërit prej udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sesionin shkencor mbi pozitën aktuale të gjuhës shqipe në Mal të Zi, sesionin “Shqiptarët dhe pluralizmi në Mal të Zi” etj. Vitin e kaluar, me rastin e 60-vjetorit të lindjes dhe dyvjetorit të vdekjes, është organizuar sesioni shkencor “Poeti i detit” kushtuar poetit, studiuesit të letërsisë dhe pedagogut Prof. dr. Basri Çapriqit.

Të fundit

më të lexuarat