I keni parë videot prej filmimeve amatore, apo njerëzit e thjeshtë që regjistrojnë e fotografojnë në një vendngjarje me kamerën e telefonit të tyre? Njerëz që askush nuk i ka dërguar apo porositur, por vetëm se rastisin aty kur diçka e pazakontë ndodh, dhe po, me vetiniciativë mbledhin prova materiale, më pas për t’i shpërndarë në internet. Kjo gjë e ka një emër dhe quhet gazetari qytetare, të cilën mund ta bëjë secili nga ne; pra, mund të jesh një qytetar-reporter pa pasur ndonjë kualifikim të fushës. Mjetet e komunikimit online si, faqet e internetit, forumet, blogjet e fokusuara në tematika të përgjithshme/specifike apo aktuale, janë terreni ku shtrihet dhe operon kjo gazetari amatore.
Shikuar nga ky këndvështrim, bën të duket sikur gazetaria qytetare është ndonjë produkt i zhvillimeve tekonologjike të kohëve të fundit, të cilat me të vërtetë kanë shtuar rolin e qytetarit në shoqëri, por kjo gazetari mendohet se ka ekzistuar shumë kohë më përpara, thjesht me ndihmën e teknologjisë ajo është zgjeruar.
Gazetaria qytetare si ajo profesionale, i shërben individit, shoqërisë dhe shtetit. Qëllimi i saj është inkurajimi i përgjegjëshmërisë dhe llogaridhënies, me qëllim që çdo gjë të funksionojë në mënyrë më të rregullt, ashtu siç ligji e përcakton. Dokumentimi i abuzimeve të pushtetit për shembull, përdoret si një mjet goditjeje ndaj hileve që kierarki të ndryshme apo akterë politikë iu bëjnë qytetarëve të vet. Denoncimi i korrupsionit është hapi i parë që duhet të merret për ta luftuar atë, dhe kur kjo bëhet nga vetë qytetarët tregon se shoqëria ka si synim përparimin e përgjithshëm.
Nëse në fillimet e shtypit, lexuesit që shfletonin buletinët ishin të përzgjedhur dhe i takonin vetëm shtresës së aristrokratëve, për arsye se vetëm këta kishin peshë në vendimmarrje dhe pjesa tjetër e popullsisë përveç rolit të dobët apo inekzistent në pushtet, nuk kishte as njohuritë për të lexuar, sot në shekullin XXI roli i qytetarit të thjeshtë është bërë larg e larg më i rëndësishëm. Duke iu referuar gazetarit-qytetar, lexuesi dhe audienca e ditëve të sotme është mjaft aktive. Ai nuk është më vetëm një spektator që përthith informacione, por edhe autor që reagon e kundërshton me informacione të tjera që janë lënë në hije nga media.
Duke pasur parasysh situatën e përgjithshme tek shqiptarët në Mal të Zi, zhvillimi i të dyja gazetarive, si i asaj investigative dhe i asaj qytetare, duhet të ndodhë sa më shpejt. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit më të madh të gazetarisë tradicionale me “gazetarinë qytetare” e që diku quhet edhe “gazetari e pjesëmarrjes”. Në këtë mënyrë do të inkurajohet debati publik, do të fuqizohet roli mbikëqyrës i gazetarëve, do të rritet transparenca e harxhimit të parasë publike nga buxhetet e komunave ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, dhe do të nxitet parimi i llogaridhënies te vendimmarrësit lokalë dhe zyrtarët publikë.
Kur vjen puna për të vënë në pah avantazhet dhe përparësitë e gazetarisë qytetare, një nga pikat më të forta të saj është fakti se qytetari është i kudondodhur, gjë që gazetari nuk mund të jetë. Kjo e bën gazetarin-qytetar protagonist dhe dëshmitar okular të ngjarjes, plus dëshira për të qenë i pari apo i vetmi që i zotëron këto foto/video a çdo informacion, çon në atë që vetë qytetari të bëhet reporter, duke mos mbetur thjesht një dëshmitar i intervistuar nga gazetari pasi ngjarja ka ndodhur. Përveç kësaj, gazetaria qytetare dallohet për vëmendjen që ua jep të gjithëve njëlloj, ajo nuk fokusohet vetëm tek problemet më të mëdha, por edhe tek ato më të voglat ku askush nuk merret me to, në një fshat të thellë malor apo qytet të vogël.
Me gjithë avantazhet e disavantazhet e veta, përhapja e madhe e gazetarisë qytetare ka bërë që në vendet e zhvilluara të vihet në diskutim pyetja se, “a do t’ia zërë vendin gazetari-qytetar atij profesionist”? Sidoqoftë, këtu tek ne gazetarët s’kanë konkurrenca të tilla, aq më pak në komunitetin shqiptar në Mal të Zi, i cili ka një praktikë jo aq aktive të gazetarisë qytetare. Zakonisht është vetë media ajo që shkon tek problemi, dhe më rrallë ndodh që të jenë ankesat e qytetarëve që bëjnë të trajtohet një problem, por asnjëherë duke shkuar më larg sesa një kronikë apo emision televiziv, domethënë investigimi është i mangët edhe tek media. Pra, nëse vetë media nuk investigon, si do ta bëjë qytetari?!
Ekzistojnë një sërë arsyesh përse një gazetar nuk bën hulumtime a investigime, dhe disa prej tyre mund të jenë rasti tipik i gazetarëve që punojnë për mediat në gjuhen shqipe në Mal të Zi. Konflikti i interesit për shembull mund të “paralizojë” punën që duhet të kryejë një gazetar. Miqësitë dhe njohjet janë ndër pengesat më të mëdha për rrjedhjen e informacionit, ajo mund të bëjë që të transmetohen më shumë ngjarje, po ashtu të lihen në hije shumë të tjera. Afrimiteti i gazetarit më shumë se ç’duhet me burimet e informacionit, të cilët mund të jenë nëpunës publikë, politikanë, vendimmarrës a pushtetarë, përbën një nga shkaqet kryesore përse në mediat në gjuhen shqipe në Mal të Zi, mungojnë shkrime që denoncojnë korrupsionin, abuzimet me postin, mungesën e llogaridhënies etj.
Problemet me konfliktin e interesit bëhen edhe më të paqarta në nivel lokal, si në rastin e qytetit të Tuzit apo të Ulqinit, sepse në mjedise kaq të vogla ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin, autocensura e gazetarit për të bërë hulumtime mund të vijë nga frika për t’u bërë “i keqi” prej presionit të madh social, nga frika se një parti e tërë politike do të krijojë urrejtje për të, apo nga frika se në të ardhmen do të ketë vështirësi në qasjen e informacionit.
Gjithashtu për të zhvilluar gazetari investigative, redaksia ku punon reporteri ka rëndësi mjaft të madhe, aq më tepër kur është krejt e zakonshme për drejtorin ekzekutiv të një gazete apo televizioni, të ketë marrëdhënie sociale me liderët politikë dhe ata të biznesit, të cilët mund të vihen në shënjestër të një hulumtimi. Padyshim që kjo do të pasonte me pushim nga puna për gazetarin që do të shkruante në dëm të këtyre personave. Rastet më skandaloze janë kur vetë gazetari është pjesë e ndonjë subjekti politik.
Për ta përmirësuar sadopak këtë situatë, fillimisht do të duhet të marrë iniciativa vetë media, duke siguruar që stafi i redaksisë të punojë duke respektuar kodin etik. E thënë shkurt, në mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi do të nevojitej një rubrikë më vete për ankesat e qytetarëve, dhe këto media të mos merren vetëm me pasqyrimin e zakonshëm të ngjarjeve publike, por të shkojnë më thellë tek të pathënat dhe tek të padëgjuarat, pavarësisht se kush mund të preket prej kësaj, sepse në fund të fundit interesi i parë dhe i vetëm i një medieje duhet të jetë ai i qytetarëve.
Siç kuptuam, gazetaria qytetare në disa vende është tepër e zhvilluar, ndërsa në disa vende ku bëjmë pjesë dhe ne si pakicë shqiptare, është pothuaj e pazhvilluar. Për këtë arsye nuk duhet harruar se, roli i qytetarit në denoncimin e një dukurie a fenomeni negativ, roli i tij si dëshmitar okular është i pazëvëndësueshëm dhe i domosdoshëm për median. Në anën tjetër edhe media duhet të jetë aty për t’u ardhur në ndihmë nevojave të shoqërisë, çka do të thotë që nëse ka më tepër bashkëpunim mes komunitetit dhe medias, më pak korrupsion dhe më shumë mirëqenie do të ketë në shoqëri.
Duke pasur parasysh situatën e përgjithshme tek shqiptarët në Mal të Zi, zhvillimi i të dyja gazetarive, si i asaj investigative dhe i asaj qytetare, duhet të ndodhë sa më shpejt. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit më të madh të gazetarisë tradicionale me “gazetarinë qytetare” e që diku quhet edhe “gazetari e pjesëmarrjes”. Në këtë mënyrë do të inkurajohet debati publik, do të fuqizohet roli mbikëqyrës i gazetarëve, do të rritet transparenca e harxhimit të parasë publike nga buxhetet e komunave ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, dhe do të nxitet parimi i llogaridhënies te vendimmarrësit lokalë dhe zyrtarët publikë.
Ky shkrim publikohet në kuadër te projektit “Parandalimi i Korrupsionit dhe Promovimi i Pjesëmarrjes Qytetare” i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL). Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e donatorit.