Laboratori më i gjallë i traditës gojore

Simpoziumi shkencor “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri”, mbajtur më 8.9.2018 në Institutin Albanologjik të Prishtinës, tuboi studiues nga shumë vende e ndër to edhe nga Italia e Polonia, dy epikologë të njohur, prof. dr. Nikolla Skalldaferi dhe prof. dr. Rigels Halili

(“Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri”, kumtesa të simpoziumit shkencor)

Zymer Ujkan Neziri / Prishtinë

Redaksia i ka renditur kumtesat për botim sipas këtyre fushave: histori, gjuhësi, hulumtime kërkimore-shkencore në Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe në Universitetin e Harvardit, pasqyrime të hulumtimeve kërkimore-shkencore të dorëshkrimeve të epikës gojore shqiptare në fondet arkivore të Harvardit, si dhe të tjera.
Ky vëllim hapet me kumtesën nga fusha e historisë, mbajtur nga mr. Ismet Azizi, “Sanxhaku i Pazarit të Ri në fokusin e historisë”. Autori thekson që në fillim se Sanxhaku gjendet në qendër të Gadi-shullit Ballkanik dhe ka pozitë jashtëzakonisht të mirë gjeografike dhe gjeostrategjike. Sanxhaku, ose saktësisht Sanxhaku i Pazarit, ka popullsi shqiptare dhe shqiptare të boshnjakizuar, si dhe një pakicë të popullsisë sllave. Popullsia shumicë ka tradita të trashëguara nga lashtësia ilire-arbërore: të folmen, veshjen, doket, ritet, mitet, festat e motmotit, lojërat, vallet, këngët ku veçohen këngët e Eposit të Kreshnikëve dhe lahuta, që tashmë janë të njohura për opinionin botëror. Sanxhaku sot u takon dy shteteve, Serbisë dhe Malit të Zi, i cili në vitin 1790 ishte në kuadër të Vilajetit të Kosovës. Sipas studiuesit Ejup Mushoviq, pohon autori, ky rajon që nga lashtësia ka qenë i banuar nga ilirët. Pas gjendjes së krijuar, Sanxhaku, që nga viti 1913 mbeti i ndarë nga Kosova. Sanxhakasit, edhe pse të pushtuar nga Italia dhe Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore, këtë kohë e përjetuan si çlirim duke shpresuar se do t’i bashkohen Shqipërisë etnike, përfundon ai.
Nga fusha e gjuhësisë pason kumtesa e prof. dr. Rexhep Doçit, nga Instituti Albanologjik i Pri-shtinës, ndër studiuesit tanë më të dalluar në fushën e onomastikës “Onomastika shqiptare – boshnjake e Sanxhakut të Pazarit të Ri, sipas këngëve të koleksionit të Millmen Perit në Universitetin e Harvardit”. Këngët popullore të trimërisë së hershme të koleksionit të Millmen Perit nga ana e Sanxhakut të Pazarit të Ri, thekson ai, shihet se janë këngë shqipe të kënduara nga lahutarë shqiptarë të asaj krahine dhe janë përkthyer në serbisht. Në këto këngë të përkthyera janë përdorur kryesisht trajtat shqipe. Toponimet e atjeshme ilire janë dëshmi e vijimsisë shqiptare në ato vise, kurse për ruajtjen e emrit ilir Teutë, oikonimi i sotëm Tutin dëshmon për një fortifikatë të atyshme. Por, gjendja e sotme, thotë ai, dëshmon se shumica e katundeve shqiptare të Rrafshnaltës së Peshterit janë çko-mbëtarizuar, sidomos në këto njëqind vjetët e fundit, duke e humbur gjuhën e vet. Autori e mbyll këtë kumtesë me pohimin se populli shqiptar është populli më i moçëm evropian me prejardhje pellazge-ilire-thrakase, prejardhje kjo për të cilën ai ka shkruar 10 vepra shkencore onomastike-gjuhësore-historike.
Kumtesa vijuese është e prof. dr. Rigels Halilit, epikolog nga Universiteti i Varshavës, i cili në fi-llim të këtij mijëvjeçari ka kryer hulumtime kërkimore-shkencore në Sanxhakun e Pazarit të Ri, “Epika heroike legjendare në Sanxhakun e Pazarit-një krahasim midis kërkimeve të Par-it e Lord-it dhe gjendjes së sotme”. Sanxhaku, pohon autori, mund të quhet një nga laboratorët më të gjallë të traditës gojore të këngës epiko-heroike në Ballkan gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesi lokal Rexhep Shkrijel (me origjinë nga fshati Boroshticë, i cili banohet tërësisht me popullatë me prejardhje nga fisi i Shkrelit) dhe disa mësues në Novi Pazar ishin të vetëdijshëm për ekzistencën dhe mjeshtërinë e Salih Uglaninit, thotë ai. Pos këngëtarit Smaka Bibiq, shembull i gjallë i vazhdimësisë së dygjuhësisë shqiptaro-boshnjake në Peshter, autori përmend edhe lahutarin Remo Gorçeviq (Gorçaj), por, mund të thuhet se tradita gojore sot në Sanxhak po shkon drejt humbjes tërësore, thotë autori, për shkak të ndryshimeve të strukturës shoqërore, migracionit masiv të brendshëm dhe të jashtëm, të ndryshimeve modernizuese, sidomos zhvillimit të sistemit shkollor të kontrolluar nga instanca shtetërore dhe mungesës së kujdesit të institucioneve kulturore për traditën e këngës së lahutës.
Kumtesa tjetër e hulumtimeve kërkimore-shkencore në Sanxhakun e Pazarit të Ri, në fillim të këtij mijëvjeçari, është edhe ajo e dr. Harun Crnovershaninit, “Lahutarët e njohur të Sanxhakut, me vështrim të posaçëm për lahutarin Xhemajl Arnautoviqi (1925-2017)”. – Me zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të boshnjakëve në mes të shekullit XIX, u shfaq një valë e veprimtarisë kulturore të lahutarëve në formën e krijimeve epike nga Sanxhaku, e më i famshmi ndër ta ishte Qorr Hysi (Qor Huso Husoviq), nga Kolashini, thotë autori. Pas Luftës së Dytë Botërore, secila komunë e Sanxhakut kishte dhjetëra lahutarë të shkëlqyeshëm. Ai shkruan edhe për një lahutar të Sanxhakut, Xhemail Arnautoviq, i lindur në vitin 1925 në fshatin Milijesh të Pribojit, që kishte botuar 11 libra dhe kishte shkruar 25.000 vargje, kurse boshnjakët në Suedi e kanë quajtur “Kalorës dhe Hero nga Sanxhaku i zemëruar”. Në vitet 1962-1965, ai kishte mbledhur emrat e të vrarëve gjatë gjenocidit çetnik në Luftën e Dytë Botërore. Kështu, gjatë hulumtimit të hollësishëm, Xhemajl Arnautoviqi kishte mbledhur emrat dhe mbiemrat e 2.473 viktimave boshnjake, përfundon autori.
Kumtesa e studiuesit arbëresh prof. dr. Nikolla Skalldaferi (Nicola Scaldaferri) nga Universiteti i Milanos është rezultat i hulumtimit të tij kërkimor-shkencor në fondet arkivore të Universitetin të Harvardit, Koleksioni i Letërsisë Gojore të Millmen Perit (Milman Parry). “Muji dhe Gavran Kapetani”, nga Salih Ugljanini (Salih Uglla). Vërejtje për performancën muzikore”: – Millmen Peri kishte pro-jektin paraprak, ku ende nuk përmendej epika shqiptare, e pastaj materialet e tij përfshijnë një korpus epik me më shumë se 100 këngë e me mbi 22.000 vargje, që u përkisnin repertorëve të rreth dyzet këngëtarëve, thotë autori. Aty kemi regjistrimin e parë të një kënge të tërë epike shqiptare dhe këngën më të gjatë shqipe, të dyja të pabotuara. E para është “Muji dhe Gavran Kapetani”, e kënduar nga Salih Uglla, ndërsa e dyta është “Sirotin Alia”, me 2.163 vargje, e diktuar nga Adem Brahimi. Kë-ngëtari Salih Uglla, një nga figurat qendrore të brezit të tij të këngëtarëve, deri në moshën tridhjetë vjeç këndoi vetëm në gjuhën shqipe. Në këngën “Muji dhe Gavran Kapetani”, me 236 vargje, Salih Uglla përdor vetëm tre melodi të shkurtra (ose, më saktë, modele melodike), secila prej të cilave ka pozicionin dhe funksionin e vet të saktë, pohon ai. Këngët boshnjake të Salihit ofruan elementë të rëndësishëm për zhvillimin e teorisë së formulës. Ai ishte i njohur për studiues, si Matija Murko dhe Alois Shmaus. Rasti i tij është shumë interesant dhe tregon se sa të ndërlikuara ishin lidhjet etnike dhe kulturore në atë zonë në atë kohë, përfundon autori.
Edhe kumtesa e profesorit të folkloristikës dhe studiuesit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Zymer U. Neziri, “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri në Koleksionin e Millmen Perit”, është po ashtu rezultat i kërkimeve të tij në Harvard, në Koleksionin e Letërsisë Gojore të Millmen Perit – Projekti i Millmen Perit shtë hartuar më 1933 dhe, në kuadër të tij, është realizuar edhe poezia popullore gojore shqiptare, nga lahutarët shqiptarë në Sanxhak të Pazarit: Salih Uglla, Avdo ose Avdullah Ferizi, Sulejman Makaj, Ali Fulani, Xhemajl Zogaj, Shaban Nuhoxha, si dhe Fatime Arifi, Ethem Hasani dhe Hamdi Mutari. Dy më të mirët ishin Salih Uglla e Avdo (Avdullah) Ferizi dhe konsiderohen ndër Homerët e fundit në Evropë. Dëshmitë se lahutarët shqiptarë dygjuhësorë nuk janë sllavë, duhet pranuar, pra: deklarimi i tyre për përkatësinë etnike shqiptare, plisi i bardhë shqiptar, mbiemri pa prapashtesën boshnjake – viq, leksiku shqip në këngët boshnjakisht dhe sinta-ksa e përmbysur boshnjake, prandaj duhet të rishikohet edhe emërtimi i Koleksionit. A. Llordi solli edhe dëshmi shumë të rëndësishme në Harvard se këngët e kreshnikëve i këndojnë njësoj lahutarët shqiptarë të dy besimeve, ndërsa Koleksioni i Perit mbetet kryevepër arkivore e eposeve heroike të Ballkanit dhe renditet ndër kryeveprat arkivore botërore të letërsisë gojore.
(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat